1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Apel dramatik i Papandreut, Gjermania grindet për borxhet greke

Apeli dramatik për konsensus ndaj kursimeve të rrepta i kryeministrit grek Papandreu gjen vetëm mbështetjen e partisë së tij. Ndërsa në Gjermani pas miratimit të paketës së re të ndihmës polemika për Greqinë vazhdon.

default

Jorgos Papandreu, kryeministri grek

Kryeministri grek Jorgos Papandreu drejtoi apel televiziv në tone dramatike të premten për konsensus politik ndaj programit të kursimeve shtesë prej 28 miliardë eurosh deri në vitin 2015, dhe për herë të parë foli për qeveri personalitetesh. Nga rezidenca e tij kryeministri grek Papandreu tha: “Në qoftë se braktisim përpjekjen në mes të rrugës konsekuencat do të jenë shkatërrimtare” tha Papandreu, i cili la të hapur për herë të parë derën e kabinetit të tij edhe për personalitete jopartiake dhe u drejtoi apel qytetarëve të thonë fjalën e tyre novatore për të dalë nga kriza.

Papandreu: Të jemi kredibël ndaj atyre që na zgjasin dorën e ndihmës

Më parë në parlament ishte paraqitur për aprovim programi 3-vjeçar i kursimeve të rrepta shtesë prej 28 miliardë eurosh, kusht për livrimin e paketës së re të ndihmës prej 100 miliardë eurosh nga troika. “Duhet të tregojmë se jemi kredibël ndaj atyre që na zgjasin dorën e ndihmës” tha Papandreu që replikoi me krerët e opozitës, të cilët refuzojnë të votojnë programin me argumentin se nuk “mund të votojnë një recetë të dështuar”.

Papandreut nuk i mbetet veçse të luftojë për aprovimin e programit vetëm nga deputetët e partisë së tij, nga elektorati i të cilëve ushtrohet presion i madh që t'u thonë jo masave të reja fiskale. Veç kësaj më 28 qershor, ditën e votimit në parlament, sindikatat do të jenë në rrugë dhe të revoltuarit do të rrethojnë parlamentin në mënyrë simbolike.

Jürgen Stark nga Banka Qendrore Evropiane

Jürgen Stark nga Banka Qendrore Evropiane

Banka Qendrore Evropiane kundër propozimit gjerman

Edhe pas miratimit të një tjetër pakete shpëtimi për Greqinë nga parlamenti federal gjerman, në Gjermani vazhdon edhe më tej polemika për llojin e ndihmës financiare. BQE nuk pranon propozimin gjerman për llojin e ndihmës financiare për Greqinë. Kryeekonomisti i Bankës Qendrore Evropiane, Jürgen Stark, ritheksoi kundërshtimin e institucionit të tij ndaj kërkesës së qeverisë gjermane për pjesëmarrje të kreditorëve privatë në ristrukturimin e borxhit grek.

Nëse një pjesëmarrje e detyruar do të vlerësohej si humbje kredie, Banka Qendrore Evropiane nuk do të pranojë më obligacionet shtetërore greke, tha Stark në Frankfurt-mbi-Main. Me shumicën e partive qeverisëse Kristiandemokrate (CDU), Kristiansociale (CSU) dhe asaj liberale (FDP), parlamenti federal gjerman pranoi një kërkesë për ndihmë shtesë për Greqinë, e cila ka si kusht ndarjen e barrës mes kreditorëve privatë dhe publikë. Qeverisë në Athinë iu bë thirrje të kontribuojë në uljen e borxheve me privatizime në periudhë afatshkurtër.


Autor: Niko Anagnosti/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi