1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Anullohet samiti i ASEAN-it në Tajlandë pas protestave kundër qeverisë

Sot (11.4.) qeveria e Tajlandës shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në lokalitetin turistik Pattaya dhe ndaloi samitin e bashkësisë së shteteve jugaziatike që po zhvillonte atje punimet.

Demonstruesit veshur me këmisha të kuqe të shtunën (11.4.) thyen dyert e xhamit të qendrës së konferencave dhe hynë me forcë në ndërtesë

Demonstruesit anti-qeveritarë hyjnë në sallën e konferencave të samitit të ASEAN-it

Përballë protestave kundër qeverisë tajlandeze samiti i shteteve të ASEAN-it është ndërprerë. Edhe samiti i Azisë Lindore që pritej të mbahej këtë fundjavë në Pattaya u shty.

Qindra demonstrues me këmisha të kuqe çanë bllokimet përreth hotelit ku zhvillonte punimet samiti në Pattaya, dhe sulmuan ndërtesën. Pati disa të plagosur pasi demonstruesit hynë me forcë në qendrën e medieve të samitit të ASEAN-it.

Zëdhënësi i qeverisë Panitan Wattanayagorn tha se takimi i kryetarëve të shteteve dhe qeverive të ASEAN-it me homologët e tyre nga vendet fqinje mike, do t'i vazhdojë punimet më vonë.

"Takimi me Kinën është shtyrë. Disa njerëz përpiqen të pengojnë pjesëmarrjen në takim të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të tjera. Na duhet të ndryshojmë planin kohor pasi kemi nevojë për më shumë kohë për të garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve."

Kryeministri Abhisit Vejjajiva ka shpallur zonë emergjence lokalitetin turistik Pattaya dhe zonën përreth tij. Duhet bërë gjithçka për të garantuar sigurinë e të ftuarve, tha zëdhënësi i dytë i qeverisë Tharit Charungvit:

"Mund t'ju sigurojmë se delegacionet ndërkombëtare nuk janë objektivi i këtyre protestave. Demonstruesit duan vetëm të kompromentojnë qeverinë."

Të shtunën (11.4.) në mëngjes demonstruesit penguan takimin e planifikuar të ministrave të jashtëm të Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut, në të cilin do të diskutohej mbi lëshimin pak ditë më parë nga Koreja e Veriut të një rakete.

Përpara qendrës së konferencave në Pattaya pati përleshje të dhunshme mes kundërshtarëve të qeverisë dhe anti-demonstruesve veshur me këmisha blu. Demonstruesit me këmisha të kuqe thanë se anti-demonstruesit ishin ushtarë të maskuar:

"Qeveria duhet të shpërndajë parlamentin dhe të mbajë zgjedhje të reja, sipas kushtetutës së vjetër të vitit 1997. Nëse Abhisit fiton ne do ta njohim si kryeministër të vendit."

Pas ndërprerjes së samitit të ASEAN-it në Pattaya, demonstruesit njoftuan se të shtunën në mbrëmje do të vazhdojnë protestat e tyre përpara selisë së qeverisë në Bankok.


Autor: Bernd Musch-Borowska/Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 11.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HUp0
  • Data 11.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HUp0