1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Anullohen qindra fluturime të Lufthansës

Që nga ora pesë MEZ pasagjerët e Lufthansës ballafaqohen sot me anulime të fluturimeve dhe me vonesa. Në shumë aeroporte gjermane filloi në mëngjes greva e sindikatës Verdi. Qendra e grevës është në Frankfurt mbi Main.

Edhe në Mynih dhe Dusseldorf punonjësit lanë punën, siç konfirmuan zëdhënësit e sindikatës dhe të kompanisë Lufthansa. Në aeroporte të tjera janë planifikuar greva paralajmëruese. Shoqëria ajrore kishte anuluar paraprakisht për këtë e enjte deri në orën dymbëdhjetë në mesditë të gjitha fluturimet në Gjermani dhe pothuajse të gjithë trafikun evropian, 700 fluturime gjithsej. Trafiku interkontinental duhet të qëndrojë.  Sindikata përmes grevave kërkon të rrisë trysninë ndaj koncernit para fillimit të raundit të dytë të negociatave për rritjen e pagave të premten në Frankfurt mbi Main.

Një zëdhënës i koncernit njoftoi se Lufthansa u ofron personave të prekur nga greva anulimin falas të udhëtimit, apo prenotimin e një udhëtimi tjetër. Pasagjerët mund të informohen në faqen e internetit Lufthansa lidhur me statusin e fluturimit të tyre. Germanwings, një kompani bijë e Lufthansës, njoftoi se nuk është e detyruar të anulojë fluturimet për shkak të grevave paralajmëruese. Megjithatë këtë të enjte priten vonesa, njoftoi Germanwings.

Punëdhënësit bllokojnë

Në raundin e parë të negociatave punëdhënësit kishin paraqitur një "listë krejtësisht të papranueshme me kërkesa", thotë Christine Behle, anëtare bordit kombëtar të sindikatës Verdi. Për më tepër ishte parashikuar që një pjesë e pagesës të të punësuarve të varej nga suksesi i sipërmarrjes. Sindikata Verdi e refuzoi këtë kërkesë.

Negociatat kolektive në Lufthansa filluan në fund të shkurtit. Verdi kërkon për 33.000 punonjësit e koncernit një rritje page prej 5.2 për qind për një afat prej dymbëdhjetë muajsh. Sindikata kërkon përmirësime për stazhierët e shoqërisë ajrore. Edhe tema e sigurisë së punës është në rendin e ditës.

Politika e kursimit e Lufthansës

Lufthansa, shoqëria më e madhe ajrore e Gjermanisë, ka ndërmarrë aktualisht një program kursimesh. Koncerni planifikon ndër të tjera të shkurtojë 3.500 vende pune në mbarë botën, sidomos në administratë. Së bashku me hapa të tjerë kjo do të shërbejë që të ardhurat e koncernit në vitin aktual fiskal të përmirësohen me deri në 1.5 miliardë euro.

Autor: Angjelina Verbica (dpa, afp)

Redaktoi: Auron Dodi