1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Antiruse, proukrainase apo neutrale? - Media në Gjermani për krizën në Ukrainë

Të njëanshme? Sipërfaqësore? Në mediet gjermane raportojnë si "ata që e kuptojnë Rusinë", ashtu edhe ata, që janë kritikë ndaj saj. Ku qëndron vështirësia për të qenë neutral në raportim?

Në fillim janë imazhet klasike revolucionare, ashtu siç i njohim nga mediat: Demonstrues paqësorë, të cilët për javë të tëra luftojnë për një Ukrainë më të mirë në kampet e protestës. Ai që i ndjek qysh nga shpërthimi i krizës në Ukrainë vjeshtën e kaluar lajmet në Gjermani, përjeton pothuajse në të gjitha kanalet mediatike se: këtu luftojnë demonstruesit pro-rusë kundër presidentit të korruptuar dhe besnik ndaj Rusisë Janukoviç. Ndarja në media duket fare e qartë në "të mirë" dhe të "të këqinj".

Por konflikti nuk mund të shpjegohet kaq prerazi - as në fillimet e tij dhe as tani. "I gjithë raportimi karakterizohet nga pozicionet bardhë - e zi, si në njërin drejtim ashtu edhe në tjetrin", kritikon Hanno Gundert, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare n-ost. Kjo për faktin, se interesat në konfliktin e Ukrainës qysh në fillim kanë qenë të pështjelluara. Se sa komplekse është faktikisht gjendja, kjo thuajse nuk trajtohet në raportet e korrespondentëve. Pra "pro-europiane" e përshkruanin filimisht lëvizjen e protestës reporterët e dërguar në Kiev. Asnjë gazetar nuk është larguar prej sheshit Maidan, për të krijuar një përfytyrim më të qartë për gjendjen në vend. Shumë përfaqësues të mediave perëndimore ishin vendosur në hotelin Ukraina direkt në sheshin e protestës. Atje u etablua një lloj "qendre shtypi e opozitës".

Hanno Gundert Geschäftsführer von n-ost

Hanno Gundert, drejtor ekzekutiv i rrjetit n-ost

Skema Lindje - Perëndim në media

"Lëvizja shihej si një protestë e shoqërisë civile kundër një sundimtari të keq", thotë në intervistë për DW Simon Weiß, politolog në Universitetin e Heidelbergut. Pikërisht në fazën e parë të protestës ai ka konstatuar një raportim jo të diferencuar, në të cilin është ndjekur shablloni: "Nga njëra anë Perëndimi dhe nga ana tjetër sundimtari i lig dhe Rusia e dyshimtë - përparimi kundër korrupsionit. "Mediet gjermane, sipas Weiß, fillimisht kanë pasur një "këndvështrim shumë të ngjashëm" me atë të qeverisë federale ndaj konfliktit në Ukrainë - pra të njëanshëm dhe të paekuilibruar.

Në të njëjtin konkluzion arrin edhe raporti i revistës së medias "Zapp" i kanalit mediatik Norddeutscher Rundfunk: Në të janë analizuar nga një javë resht përkatësisht në nëntor, në janar dhe në shkurt edicionet qendrore të lajmeve të kanalit të parë televiziv të Gjermanisë, ARD, "Tagesschau" dhe "Tagesthemen". Rezultati është: Gati 80% e të intervistuarve kanë qenë kundërshtarë të regjimit. Një ndër më të preferuarit si partner intervistash ka qenë ish-kampioni i botës në boks Vitali Kliçko, i cili u stilizua si një figurë simbolizuese e protestës. Ndërkohë që ai ishte vetëm njëri prej shumë drejtuesve të opozitës. A mos vallë media pozicionohet në njërën anë? Shumë lexues dhe shikues e kanë krijuar këtë përshtypje, thotë Weiß.

Me avancimin e krizës ndryshuan edhe imazhet në lajme. Pas fundit të shkurtit situata në Maidan përshkallëzoi dhe qeveria e Janukoviçit më në fund u rrëzua, papritur doli në pah emri "Swoboda" në raportimet e medias. Kjo është partia populiste e djathtë, që ndërkohë merr pjesë edhe në përbërjen e qeverisë së përkohshme. Tani narracioni në mediet gjermane është ndryshe: Nëse flamujt e partisë së diskutueshme Swoboda më parë valëviteshin pa u komentuar në sfond, tani e gjithë vëmendja është përqendruar tek ajo.

"Referimi pro-lëvizjes Maidan mori fund dhe nisën të dëgjohen më shumë zëra kritikë", thotë politologu Simon Weiß. Një dëshmi kjo, që korrespondentët më në fund nisën t'i shohin zhvillimet më me kujdes? Drejtori ekzekutiv i rrjetit n-ost Hanno Gundert është skeptik: "Të djathtët kanë qenë në fokus në mënyrë mbiproporcionale - e kësisoj është diskretituar një lëvizje e tërë." Më së voni tani në fokusin e medias doli një aktor: Rusia. Presidentit rus duket se i ka ardhur përshtat shpërbërja e mitit opozitë.

Pro ose kundër Rusisë: Qëkurse Putini aneksoi gadishullin e Krimesë, në konfliktin e Ukrainës kryesisht bëhet fjalë për Rusinë. Sa më shumë përhapet kriza, aq më shumë në raportimet e medias konflikti personalizohet. Revista "Der Spegel" p.sh. në numrin e saj të 10.3.2014 mban titullin: "Zjarrvënësi - Kush mund ta ndalojë Putinin?" Në shumë kronika Putin paraqitet si brutal dhe i paskrupullt.

Ata që kuptojnë Rusinë kundër kritikëve të Rusisë

Putin kundër Europës dhe Amerikës, Lindja kundër Perëndimit: Kjo është retorika e Luftës së ftohtë. Por jo vetëm kjo po përhapet në media. "Të bie në sy edhe se të ashtuquajturit "ata që e kuptojnë Rusinë" dhe "kritikët e Rusisë" akuzojnë reciprokisht njëri-tjetrin për mungesë barazpeshe", vë në dukje Hanno Gundert. Njëra palë e konsideron Putinin si fajtor. Pala tjetër bën thirrje për më shumë mirëkuptim ndaj sensibilitetit rus. Gundert kritikon që në këtë kontekst pa reflektuar përdoren pjesërisht edhe argumentat e propagandës ruse. Si p.sh. argumenti se NATO ka premtuar, që nuk do t'i zgjerojë kufijtë e saj.

Edhe tani në konfliktin, që po përshkallëzohet me separatistët në lindje të Ukrainës, del në pah se tonet e ndërmjetme në raportim janë të rralla. Në një situatë kaq të komplikuar konflikti nuk është gjithmonë e mundur që faktet të emërtohen qartë. Jo gjithmonë mund të thuash qartësisht: Që ky është një informacion i "Russia Today", televizioni zyrtar i Kremlinit në gjuhën angleze, një burim ky jo i besueshëm për mediat perëndimore. Kanalin e dytë televiziv të Gjermanisë, ZDF, gazeta "Der Freitag" e akuzoi, se i referohet një agjencie të PR (Marrëdhëniet me Publikun), e cila organizon konferencat e shtypit të qeverisë së tranzicionit në Kiev. ZDF-ja i hodhi poshtë si të pabaza këto akuza.

Gjatë raportimit në media në Gjermani pavarësisht shqetësimit për arkitekturën europiane të sigurisë, nuk duhet harruar se: "Po diskutohet më shumë duke e anashkaluar Ukrainën", kritikon eksperti i Europës Lindore Gundert. Ukraina, që në fakt është thelbi i çështjes, mbetet në sfond, pasi vëmendja përqendrohet vetëm tek Rusia.