1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Antiislamizmi në rritje? - Mbi gjendjen e myslimanëve në SHBA

Pak para përvjetorit të atentateve terroriste të 11 shtatorit, SHBA duket se po i përfshin një valë armiqësie ndaj fesë islame. Megjithatë nuk ka shkak për ta dramatizuar gjendjen.

default

A ka Amerika qendrim armiqësor ndaj fesë islame? Kjo pyetje preokupon tani jo vetëm SHBA, por gjithë botën. Djegia e planifikuar e kuranit nga një predikues sektar i urrejtjes në SHBA merret si shkas në disa vende islamike për të mbajtur manifestime antiamerikane. Frika nga intoleranca fetare në vendin amë të lirisë fetare rri si një hije e rëndë në manifestimet përkujtimore në përvjetorin e atentateve monstruoze të 11 shtatorit 2001.

Çfarë ka ndodhur që atëherë në SHBA? A ka ndryshuar në mënyrë radikale ky vend, të cilit atëherë i dëshmohej një trajtim i matur i myslimanëve? A e ka braktisur shtegun e integrimit në dukje kaq të suksesshëm? Vetëm pak kohë më parë pati protesta kundër planit për të ndërtuar një qendër kulturore myslimane në afërsi të vendit ku u kryen atentatet e 11 shtatorit në Nju Jork. Përfaqësues myslimanë, të krishterë dhe hebrenj bëjnë thirrje për tolerancë fetare dhe flasin për një valë në rritje të frikës dhe intolerancës.

Përfaqësues të lartë qeveritarë, si ministrja e Jashtme, Clinton e kërkojnë fjalën dhe dënojnë me fjalë të ashpra planet për djegien e kuranit. Sado të pabukura që janë këto, nuk ka shkak për dramatizim. Nxitës të ndjenjave fetare gjithmonë ka pasur në SHBA. Në fillim të shekullit të 19-të, ata u ngritën kundër katolikëve irlandezë, të cilët sot megjithatë janë pjesë përbërëse integrale e shoqërisë në SHBA. Në shekullin e 20-të dhe deri sot, mbështetësit liberalë të së drejtës së grave për abort janë përballur me fanatizmin e fundamentalistëve të krishterë.

Po ashtu, natyrisht që në SHBA ka forca që te feja islame nuk shohin një bashkësi të barazvlershme fetare, por një komplot politik kundër botës perëndimore. Këto forca morën mbështetje nga atentatet e 11 shtatorit para nëntë vjetësh. Dy luftëra, të cilat SHBA i kanë kryer që atëherë në vendet islamike sigurisht që nuk e kanë bërë më të lehtë gjendjen e myslimanëve në SHBA. Po megjithatë: ai që i sheh SHBA në rrugën e antiislamizmit, ai gabohet. Në fjalimin e tij të famshëm në Kairo, presidenti Obama e vlerësoi fenë islame dhe u zgjati dorën të gjithë myslimanëve në botë. Numri i akteve të dhunshme me motive fetare në SHBA nuk është rritur në asnjë mënyrë, ky numër ka qendruar në vend. Një numër i madh bashkësish islame në SHBA do ta përdorin fundin e muajit të Ramazanit, i cili këtë vit përkon me ceremonitë në përkujtim të 11 shtatorit, për ceremoni përkujtimore për viktimat e atentateve të atëhershme. Edhe ky është realiteti aktual i SHBA. Islami do të thotë paqe, pati thënë ish-presidenti i SHBA, Xhorxh Bush pak javë pas atentateve terroriste në një xhami. Amerika konservatore e ndoqi pas atë atëherë. Sot ultratëdjathtët flasin sërish me zë të lartë në SHBA të drejtuara nga Obama. Botëkuptimi antiislamik bën pjesë për fat të keq në repertorin e tyre të preferuar.

Autor: Daniel Scheschkewitz

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 09.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P7nJ
  • Data 09.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P7nJ