1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

"Annapolis" do të ishte "Camp Davidi" i Georg Bushit

Në shtypin gjerman të ditës fokusuhemi tek temat e konferencës për Lindjen e Afërme, vizitës së Sarkozisë në Kinë dhe grevave në sektorin e hekurudhave në Gjermani

Presidenti Bush takohet me Presidentin e Autoriteteve palestineze Mahmoud Abbas

Presidenti Bush takohet me Presidentin e Autoriteteve palestineze Mahmoud Abbas

Lidhur me konferencën për Lindjen e Afërme që zhvillohet në Annapolis "Westdeutsche Zeitung" shkruan: Zgjidhja e mrekullueshme e Bushit, nënshkrimi i një dokumenti përfundimtar në të cilin kryeministri i Izraelit Ehud Olmert dhe presidenti i palestinezëve Mahmud Abaz obligohen për hapa konkretë në rrugën për një zgjidhje me dy shtete, nuk do të thotë se shërben patjetër si garanci, që kjo të bëhet edhe realitet. Por, një sukses i tillë mund të hidhte një dritë pozitive në politikën e jashtme gjatë presidencës së tij. "Annapolis" do të ishte "Camp Davidi" i Georg Bushit, marrëveshja e paqes ndërmjet Izraelit dhe Egjiptit, me të cilin para rreth 30 vjetësh Jimmy Carter mundi ta shpëtojë trashëgiminë e tij politike.

"Bayerische Rundschau": Do të varet në rradhë të parë nga presidenti amerikan Xhorxh Bush, në se Annapolis do të mbetet një takim simbolik pa pasoja apo do të bëhet stacioni i nisjes së një procesi paqeje për Lindjen e Afërme. Aty është krijuar hendek i madh, që vjen edhe nga politika kryesisht luftarake e qeverisë së Bushit në Lindjen e Afërme. Tani duket sikur Bushi vitin e fundit të mandatit të tij do ta shfrytëzojë për t´i vënë presidencës së tij vulën e paqes. Dhe për këtë ka zgjedhur konfliktin më të komplikuar të kësaj bote. Dhe ai vetë ka njollën, se nuk shihet si ndërmjetësues i ndershëm.

Për ketë temë së fundi një zë nga "Hamburger Abendblatt": Kryeministri i Izraelit është një rob i një koalicioni të lëkundur qeveritar, shefi i palestinezëve Abbas, që nuk është zgjedhur kurrë në mënyrë demokratike, ka kapitulluar para fanatikëve islamistë të Hamasit, dhe presidenti amerikan Bush i cili e ka injoruar për kohë të gjatë konfliktin, ia lë fushën e lojës pas një viti një pasardhësi. Kështu rëndësia e konferencës qëndron në rradhë të parë, në faktin se ajo zhvillohet. Nuk duhet nënvlerësuar në asnjë mënyrë edhe pjesëmarrja e shteteve arabe, të cilat kanë tani mundësinë, që të marrin perseri në dorë fillin e dialogut, por duke ruajtur prestigjin. Përveç kësaj provokimi hegjemonist dhe nuklear i Iranit i jep krahë gatishmërisë për bisedime edhe të shteteve kopuke si Siria. Nuk do të arrihet që bllokada e shekullit të thyhet për një ditë. Por nëqoftëse në Annapolis fiton arsyeja, shanset për një fillim të ri në Lindjen e Afërme nuk do të jenë të këqija.

Konflikti mes sindikatës së makinistëve dhe koncernit hekurudhor gjerman nuk është zgjidhur ende. Por edhe për një javë pasagjerët nuk preken nga greva.

"Münchner Merkur" shkruan: Makinistët vazhdojnë të këmbëngulin për një kontratë kolektive. Shefi i shoqërisë gjermane të hekurudhave Mehdorn manovron. Sot u ofron makinistëve një kontratë të tyren, për ta tërhequr atë të nesërmen. Me këtë lojë çoroditëse koncerni kërkon ta lodhë sindikatën dhe t´i shtyjë bisedimet vendimtare, me shpresë se do të shtohet presioni nga popullsia. Interesat e pasagjereve dëmtohen.

«Schwäbische Zeitung»: Nëqoftëse çdo sindikatë e vogël bën punën e vet, humbet solidariteti ndërmjet kolegëve. Dhe kjo i dedikohet së fundi Mehdornit. Ai nuk arriti që të mbajë paqen e sipërmarrjes, që ka qenë shëmbullore për vite të tëra te koncerni i hekurudhave gjermane. Në vend të kësaj, e orientoi koncernin nga renditet, por punonjësit ngelën në gjysëm të rrugës.

«Bild-Zeitung» që del në Hamburg shkruan për vizitën e Sarkozisë në Kinë: Më qartë nuk ka ku shkon. Për shkak të vizitës së Dalai Lamës tek kancelarja gjermane udhëheqësit kinezë anullojnë rradhazi takimet me gjermanët. Por presidenti i Francës Nicolas Sarkozy pritet shumë përzemërsisht dhe mbulohet me kontrata, 20 milionë euro! Çmimi, të drejtat e njeriut u prekën vetëm shkarazi. Sarko që është zakonisht i rreptë, di të jetë edhe i butë. Mesazhi i Pekinit është i qartë, kush e mbyll gojën, mbush arkën. Kështu Kina do ta përçajë Evropën. Këtë nuk duhet ta arrijë. Dhe kjo varet nga vetë evropianët. Ajo që mungon është një ekuilibër i përgjithshëm ndërmjet interesave të biznesit dhe kërkimit këmbëngulës të vlerave si liria dhe shteti juridik. Edhe francezët duhet ta kenë të qartë, se Evropa është e fortë për një kohë të gjatë vetem e bashkuar. Vetëm në këtë mënyrë evropianët mund të jenë në një nivel me fuqinë e re botërore Kinën.

  • Data 27.11.2007
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CThA
  • Data 27.11.2007
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CThA