1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Annani jep dorëheqjen nga misioni "i pamundur"

Timo Fuchs / Elert Ajazaj3 Gusht 2012

Pas dorëheqjes së Kofi Annanit qeveria amerikane duhet t'i rishikojë strategjitë e saj të deritanishme për Sirinë. Në këtë mënyrë po vendoset më shumë në fokus dekreti sekret.

https://p.dw.com/p/15jN6
Disfatë e diplomacisë - Kofi Anan jep dorëheqjen nga ndërmjetësimi në Siri
Fotografi: Reuters

Hillary Clinton e tregoi hapur zhgënjimin e vet pak kohë më parë. Gati çdo vend i këtij planeti e mbështet trysninë mbi regjimin e Assadit, tha me forcë Ministrja e Jashtme amerikane. Mirëpo, gjakderdhja mund të vazhdojë, shtoi ajo, sepse Irani, Kina dhe Rusia e bëjnë të dështojë punën e përbashkët.

Disfatë e diplomacisë

Atmosfera është e acaruar, sepse hapësira e manovrimit për SHBA-në sa vjen e zvogëlohet. Me dorëheqjen e Kofi Annanit si emisar i posaçëm i OKB-së ka rënë tani edhe një instrument tjetër diplomatik. Përkitazi e ashpër ishte deklarata nga Shtëpia e Bardhë në lidhje me këtë zhvillim: Aksionet e Assadit janë të neveritshme dhe Rusia e Kina gjenden në anën e gabuar të historisë, u tha.

Me siguri për qeverinë amerikane kjo do të thotë se asaj i duhet t'i intensifikojë përpjekjet e saj të deritanishme për të mbështetur rebelët sirianë. Ajo ka vënë në dispozicion për këtë 25 milionë dollarë. Por theksohet se nuk do të ketë livrime armësh nga SHBA-ja.

Program i fshehtë në mbështetje të rebelëve

Kryengritës sirianë në afërsi të Aleppos.
Kryengritës sirianë në afërsi të AlepposFotografi: picture-alliance/dpa

E megjithatë, në sfond po zbatohet një program, me të cilin synohet të rritet forca goditëse e rebelëve. Sipas raporteve të medias presidenti amerikan Obama ka nënshkruar që para disa muajsh një dekret sekret, duke dërguar në rajon shërbimin e fshehtë amerikan. Sipas medias CIA këshillon në Turqi livruesit e vërtetë të armëve për rebelët, si Arabinë Saudite dhe Katarin. Cilët rebelë do të përfitojnë pajisje ushtarake dhe kush është aq i besueshëm që t'i kontrabandojë këto armë në vend? Me ç'duket këtyre pyetjeve u japin përgjegje agjentët amerikanë.

Por CIA ka për detyrë që të qetësojë në terren edhe qeverinë turke, supozon në televizionin CNN ish-agjenti Bob Baer. Këtë të fundit po e kaplon ngadalë paniku prej konfliktit që i ka shpërthyer në prag të shtëpisë.

Në të njëjtën kohë shërbimi i fshehtë duhet të ketë të paktën në njëfarë mase kontrollin në kaosin në rritje. Ndërsa rebelët dhe aleatët arabë kërkojnë me ngulm livrime më të mëdha armësh, amerikanët përpiqen të pengojnë që rebelët të marrin nga armatimi. Në të njëjtën kohë ata nuk duan që rebelët të zhgënjehen, pasi mund të ktheheshin nga ekstremistët: Grupe si Al Kaida janë me kohë pjesë e konfliktit.