1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Annan në përpjekje për paqe në Siri

Pas masakrës në Siri ndërmjetësuesi i OKB-s, Kofi Annan po qëndron në Damask për t'u bërë thirrje palëve që të zbatojnë planin e paqes. Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar ashpër masakrën në qytetin Hula.

Varrimi i viktimave të masakrës në Hula.

Masakra në Hula shkakton indinjatë mbarëbotërore

I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe i Ligës Arabe, Kofi Annan pas mbërritjes së tij në Siri është shprehur i tmerruar dhe i tronditur nga masakra në Hula, ku të premten humbën jetën të paktën 108 vetë. Ai kërkoi me forcë që autorët përgjegjës të kësaj masakre  të japin llogari. Ai tashmë po përpiqet që të zbatohet nga të gjitha palët plani gjashtë pikësh që do të çonte në dhënien fund të dhunës, por që sipas Annanit nuk po ndodh.

"Unë besoj se misioni i OKB është e vetmja mundësi për të stabilizuar vendin. Unë shpresoj që si qeveria ashtu dhe opozita ta kuptojnë këtë dhe ta shfrytëzojnë  këtë shans që ka mbetur ende për komunikim".

Annan do t'i kërkojë këtë të martë presidentit të vendit në Damask, Baschar al Assad që t'i përmbahet planit të paqes dhe t'i japë fund dhunës. Ish sekretari i përgjithshëm i OKB-s do të takohet edhe me përfaqësuesit e opozitës. Opozita siriane nga ana e saj e sheh si të dështuar armëpushimin që u vendos zyrtarisht në prill.

Kofi Annan në takim me ministrin e Jashtëm sirian Walid al-Moallem.

Kofi Annan në takim me ministrin e Jashtëm sirian Walid al-Moallem.

Rusët edhe më tej kundër ndërhyrjes nga jashtë

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov bëri përgjegjës për masakrën në Hula krahas qeverisë në Damask, edhe ekstremistët. Sirianët duhet të vendosin për fatin e tyre pa ndërhyrje nga jashtë.

"Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët po luajnë të njëjtën lojë, dhe kjo është zbatimi i planit të paqes së Ananit të ecë përpara dhe jo një ndryshim i regjimit. Ne duhet të zgjedhim prioritetet tona. Çfarë duhet të bëjmë ne saktësisht për të arritur synimet tona politike dhe për të shpëtuar jetën e njerëzve? Kjo është pyetja që shtrohet?", tha Lavrov.

Edhe bashkësia ndërkombëtare e dënoi ashpër gjakderdhjen  në qytetin Hula. Shefi i shtabit të përgjithshëm, gjenerali amerikan Martin Dempsey për herë të parë në një intervistë televizive foli hapur për një sulm ushtarak kundër Sirisë. Franca dhe Britania e Madhe ndërkohë kanë rënë dakord që të organizojnë një konferencë të grupit të shteteve "Miqtë e popullit sirian".