1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Fitorja e Frontit Nacional në Francë një sinjal fatal"

Alexander Kudascheff26 Maj 2014

Një në katër vota i ka kaluar Frontit Nacional. Partia është kësisoj forca më e madhe politike në Paris. Pasoja e një kthimi tek nacionalja është një sinjal fatal, mendon Alexander Kudascheff.

https://p.dw.com/p/1C7Ca
Rubrikenbild Kommentar albanisch

Fitorja, një fitore jo befasuese e së djathtës, së djathtës ekstreme, e populistëve të djathtë, e radikalëve të djathtë, e Frontit Nacional (FN) ksenofob në Francë është një shok – për Francën, për Europën, për Bashkimin Europian e më gjerë.

Franca përjeton një tërmet politik dhe po kalon një ankth politik. Vendi i Volterit dhe Dekartit, vendi i "la clarté", i cili racionalizimin e ka bërë parimin e shoqërisë hidhet në krahët e një rebelimi mikroborgjez kundër globalizimit – e kësisoj edhe kundër idesë së një Europe të bashkuar.

Një qeveri e dështuar dhe një opozitë e dobët

Natyrisht ka shumë arsye për fitoren e Marine le Pen, kryetares karizmatike, elokuente dhe me mprehtësi taktike të partisë. Qeveria e socialistëve të François Hollande në dy vjet qeverisje ka dështuar plotësisht: si ekonomikisht edhe politikisht. Ndonëse presidenti francez përmes ndërhyrjes së vendosur dhe të justifikueshme në Mali dhe në Republikën e Afrikës Qendrore përkohësisht mundi të fitojë pikë në politikën e brendshme, megjithatë ai mbeti i pafuqishëm në aspektin politik. Ai po e humbet gjithnjë e më shumë besimin e francezëve. Ai është presidenti më i padëshiruar francez i të gjitha kohërave – edhe sepse programi i tij është i paqartë dhe i paidentifikueshëm – e përveç kësaj vazhdimisht duke qenë i dekurajuar ai e ndryshon atë. Pasoja e kësaj është: socialistët pësuan një goditje të rëndë në zgjedhjet për Europën – ata nuk arritën të marrin as 15 për qind të votave. Një dështim ky.

Edhe opozita është e dobët. Qëkurse nuk u zgjodh Nicolas Sarkozy, partia u përça në një luftë pakrye për pasuesin. Asaj i mungon „një shef“, një sfidant i Hollande, pas të cilit do të mund të bashkoheshin qysh sot francezët. Pra s'të habit fakti, që konservatorët ndonëse dolën më mirë se socialistët – në rezultat kanë mbetur gjithashtu të dobët. Aktualisht opozita nuk është një alternativë joshëse qytetare për zgjedhësit. Pasoja: edhe UMP u ndëshkua me votë.

Alexander Kidascheff, kryeredaktor i Deutsche Welle
Alexander Kidascheff, kryeredaktor i Deutsche WelleFotografi: DW/M. Müller

Kthimi në nacionalen

Këto janë kushtet politike, në të cilat u ngjitën dhe fituan Fronti Nacional dhe Marine Le Pen. Por ka edhe arsye të tjera, që kanë çuar në fitoren frikësuese të FN: një kthesë mëse e qartë mentaliteti tek francezët. Prej vitesh ky vend diskuton frikën traumatike të tij prej "le declin" – prej rënies. Çfarë roli ka ende Franca në globalizim? Çfarë roli luan Franca në Europë, në BE, ku Gjermania e ndrojtur në mënyrë evidente po kthehet në një fuqi drejtuese? Çfarë misioni historik ka ky vend? Çfarë të ardhmeje ka industria franceze? Përgjigja është kapitulluese: asnjë, prandaj ne duhet të kthehemi tek Franca. Franca e francezëve, kjo është parrulla e Frontit Nacional. Franca mund të mbijetojë politikisht, nëse ajo ndërgjegjësohet për vetveten – dhe i kundërvihet BE-së dhe euros. Një pikëpamje kjo, që e ndajnë së bashku ekstremi i majtë me atë të djathtë.

E me predikimin e frikës prej rënies le Pen e ka nxjerrë partinë e saj prej qoshes së errët, ku e kishte zhytur atë babai i saj. Ajo ka bërë për vete më shumë se sa vetëm zgjedhësit e dekurajuar dhe të zhgënjyer të skajeve. Ajo ka tërhequr me sukses pjesë të gjera të borgjezisë, ajo ka pushtuar zonat studentore dhe urbane, po ashtu siç ka fituar pikë edhe në zonat rurale. Ajo u është referuar edhe reminishencave të njohura të ksenofobisë – duke fituar me këtë pjesërisht elektorat edhe tek shtresa e pasigurtë e punëtorëve.

„Franca e vërtetë“ e Le Pen

E të mos harrojmë: Franca është me zemër një vend konservator (kjo vlen edhe të majtën). Askund në Europë njerëzit nuk kanë protestuar kaq shumë kundër martesave mes homoseksualëve sa në Francë – qindra mijëra, një lëvizje masive. Kjo është "la France profonde", Franca e vërtetë, të cilën arriti ta bëjë për vete me sukses Marine Le Pen. E me këtë ajo ka shkatuar një tërmet politik – me pasoja sot ende të paparashikueshme për Francën dhe për Europën – e nga këndvështrimi gjerman edhe për Gjermaninë. Kjo për faktin se politika e Francës do të ndryshojë, ajo do të bëhet më nacionale, madje më nacionaliste, dhe më e orientuar nga vetvetja. Një sinjal fatal – në sfondin e krizës gjeopolitike në kufijtë e Europës – që nga Ukraina deri në Afrikë.