1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ankesa për parregullsi në zgjedhjet parlamentare në Indonezi

Ndërkohë që në Indonezi ende po numërohen votat e zgjedhjeve parlamentare të ditës së enjte (9.4.), partitë kanë nisur bisedimet e para për krijimin e një koalicioni qeveritar. Partia e presidentit Yudhyono kryeson.

Presidenti indonezian Susilo Bambang Yudhoyono (në të majtë) me bashkëshorten Kristiani Yudhoyono (në të djathtë) tregojnë gishtat me bojë pas hedhjes së votës më 9 prill 2009.

Presidenti indonezian Susilo Bambang Yudhoyono dhe gruaja e tij Kristiani Yudhoyono gjatë hedhjes së votës, 09.04.2009.

Me më shumë se 20 për qind të votave, Partia Demokratike duket se do të jetë forca më e fuqishme në parlamentin e ardhshëm të Indonezisë. Por objektivi i rëndësishëm prej 25 për qindësh me sa duket nuk u arrit. Kjo do të thotë se edhe Partia Demokratike nuk mund të prezantojë një kandidat të vetin për zgjedhjet presidenciale më 8 korrik. Asaj i duhet tani të gjejë një partner koalicioni, i cili mbështet rikandidimin e presidentit aktual Yudhyono. Kryetari i Partisë Demokratike, Hadi Utomo u shpreh megjithatë i kënaqur me rezultatin e demokratëve: "Ky është pikërisht rezultati që prisnim. Ne donim të arrinim më shumë se 20 për qind dhe e orientuam gjithë fushatën tonë elektorale drejt përmbushjes së këtij objektivi. Kemi punuar shumë për këtë rezultat."

Në vend të dytë dhe të tretë sipas rezultateve nga numërimi i deritanishëm i votave, radhiten Partia Demokratike e Luftës e ish presidentes Megavati Sukarnoputri dhe partia konservative Golkar, për të cilën zëvendëspresidenti aktual Jussuf Kalla kandidon në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Të dyja këto parti kanë marrë nga rreth 14 për qind të votave.

Partia islamiste e Mirëqënies dhe Drejtësisë (shkurt PKS) është ofruar si partner i mundshëm në koalicion me presidentin Yudhoyono. Bashkë me partinë Golkar ajo ka bërë pjesë në të kaluarën në koalicionin qeveritar. Në një studim të publikuar pak para zgjedhjeve thuhej se PKS përpiqej të depërtonte në institucionet shtetërore, me synim kthimin e Indonezisë në një shtet islamik. Vendi me popullsinë më të madhe myslimane ka një kushtetutë laike, por në shumë provinca të vendit islamistët përpiqen të fusin Sharian, të drejtën islamike.

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve pritet në fillim të muajit maj, por që tani janë paraqitur ankesat e para për parregullsi në zgjedhje. Megjithatë zgjedhjet parlamentare u zhvilluan pa incidente të mëdha. Pas tre muajsh indonezianët do të votojnë sërish, këtë herë për zgjedhjen e një presidenti të ri. Përballë fitores së mundshme të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare, presidenti Yudhoyono duket se ka shanse të mira për një mandat të dytë.

Autor: Bernd Musch-Borowska/Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 12.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HVCv
  • Data 12.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HVCv