1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ankesa dhe akuza për mashtrim pas zgjedhjeve në Afganistan

Një sërë kandidatësh shprehën dyshime për parregullsi në zgjedhjet presidenciale në Afganistan. Kohë për të parë nëse ka pasur parregullsi ka mjaft, sepse rezultatet e numërimit të votave shpallen më 24 prill.

Pas zgjedhjeve presidenciale në Afganistan dy prej kandidatëve favoritë u ankuan për parregullsi. Ish-ministri i Financave Ashraf Ghani deklaroi se vëzhgues të partisë së tij mund të dëshmojnë për "mashtrime të qarta" në disa qendra votimi. Në të njëjtën kohë ai i bëri thirrje Komisionit Zgjedhor për të hetuar këto të dhëna.

Abdullah Abdullah

Abdullah Abdullah

Ish-ministri i Jashtëm Abdullah Abdullah tha se në disa rajone vëzhguesit e partisë së tij qenë penguar nga forcat qeveritare. Po ashtu dhjetra- mijëra apo madje qindra-mijëra njerëz nuk kishin mundur të votonin për shkak se mungonin fletat e votimeve.

Sipas një vlerësimi të Komisionit të Zgjedhjeve në zgjedhjet e së shtunës (05.04) morën pjesë rreth shtatë milionë zgjedhës nga rreth dymbëdhjetë milionë vëtë me të drejtë vote. Në këtë mënyrë ata iu kundërvunë kërcënimeve të talibanëve radikalë islamikë, të cilët nuk arritën ta pengonin ndjeshëm votimin.

Presidenti i deritanishëm Hamid Karzai ishte në krye të Afganistanit që nga rënia e regjimit të talibanëve në fund të vitit 2001. Atij sipas kushtetutës nuk i lehohej të kandidonte për një mandat të tretë.

Për postin e presidentit ishin në garë tetë kandidatë. Mendohet se në raundin e parë asnjëri prej tyre nuk mund të ketë fituar një shumicë absolute.

Hamid Karsai

Hamid Karsai

Rezultatet e votimit do të shpallen më 24 prill, dhe në rast nevoje raundi i balotazhit do të zhvillohet më 28 maj.

Urime dhe dëshira nga Perëndimi

Presidenti amerikan Barak Obama i quajti zgjedhjet si treguese të rrugës në të ardhmen e Afganistanit i cili është i përfshirë nga dhuna. Votimi ishte vendimtar për të siguruar të ardhmen demokratike të Afganistanit dhe mbështetjen e vazhdueshme ndërkombëtare. SHBA pret që komisionet e votimit në frganistan të plotësojnë javët e ardhshme detyrimin e tyre për numërimin e votave, tha Obama në Uashington.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen u shpreh për një "moment historik". Ai vlerësoi punën e forcave afgane të sigurisë. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier shprehu shpresën se pas zgjedhjeve presidenti i ri i vendit do të pranohet në të gjithë vendin.