1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Angola është vend i gabuar për eksport armësh

Armët gjermane nuk lejohet të shiten në zona konfliktesh. Mirë do të ishte. Sepse kancelarja gjermane i ka premtuar Angolës anije gjermane patrullimi, megjithëse rregullat e eksportit të armëve e ndalojnë.

default

Në Angola, në enklavën veriore të Cabinda-s, ekziston prej dekadash një konflikt i përgjakshëm. Disa grupe luftojnë atje për pavarësinë e zonës të pasur me naftë. Vëmendja e botës u fokusua në këtë zonë gjatë Kampionatit afrikan të futbollit 2010, kur rebelët sulmuan autobusin e ekipit të Tongos.

Rajoni i trazuar i Cabinda-s ndodhet në bregdet. Në det gjenden disa platforma nafte, të cilat përbëjnë një pjesë të madhe të eksportit angolez të naftës. Prandaj nuk duhet shumë fantazi për të kuptuar se anijet gjermane do të përdoren në të ardhmen në këtë zonë kundër rebelëve.

Të drejta njeriu vetëm në letër

Rregullat gjermane për eksportin e armëve parashohin se armët nuk lejohet t`i shiten vendeve në të cilat të drejtat e njeriut shkelen sistematikisht dhe në mënyrë të vazhdueshme. Në Angolë kemi të bëjmë me një rast të tillë. Gjithnjë e më shumë aktivistë paqësorë të të drejtave të njeriut dhe gazetarë dënohen me burgime disavjeçare. Demostratat kundër qeverisë ndalohen rregullisht dhe shpërndahen nga policia. Shtypi i lirë dhe radio e pavarur ekziston vetëm në kryeqytet, në Luanda. Qeveria angoleze ka shkatërruar vitet e fundit shtëpitë e mijëra angolezëve, për të krijuar vend për projektet luksuiroze të ndërtimit, duke mos i kompesuar banorët as me dëmshpërblim as me banesë tjetër.

Kush kërkon të mësojë më shumë, mjafton të hedhë një vështrim në raportet e Amnesty International, Human Rights Watch ose Freedom House. Këto raporte duhet t`i njohin edhe këshilltarët e Angela Merkelit. Edhe presidenti angolez José Eduardo dos Santos është pas Muammar Gaddafit, pushtetmbajtësi tjetër që qëndron në periudhën më të gjatë kohore në krye të një shteti afrikan. Kjo nuk mendohet të jetë sekret për kancelare. Po ashtu siç nuk duhet të jetë sekret se në 31 vitet e mbajtjes së pushtetit nuk janë zhvilluar kurrë zgjedhje demokratike.

Stabilitet në rajon – cilin stabilitet?

Atëherë çfarë e ka bërë Angela Merkelin, që gjatë debatit të nxehtë për shitjen e tankeve gjermanë Arabisë Saudite, një vendi ku të drejtat e njeriut respektohen shumë më pak se në Angolë, t`i ofrojë angolezëve armë gjermane?

Merkel vetë thotë se në këtë mënyrë kërkohet të përkrahet iniciativa afrikane për t`i zgjidhur konfliktet rajonale në nivel rajonal. Për misione të tilla duhet të aftësohet ushtria angoleze.

Por për këtë Merkel ka zgjedhur partnerin e gabuar. Politika e jashtme e Angolës, ka luajtur vitet e fundit në kontinent një rol shumë të dyshimë. Shembulli i fundit vjen nga Bregu i Gjirit të Fildishtë. Aty, Angola ka përkrahur prej kohësh presidentin Laurent Gbagbo, i cili i ka humbur zgjedhjet. Pushtetmbajtësit angolezë kanë ndjekur me nervozitet të madh revolucionet në Afrikën e Veriut.

Edhe më keq: Në kufi me Republikën Demokratike të Kongos, forcat angoleze të sigurisë kanë përdhunuar prej vitesh në mënyrë sistematike migrantet kongoleze.

Asnjë armë për Angolën

Nuk mund të jetë në interesin gjerman, që konfliktet afrikane të zgjidhen nga qeveri që nuk respektojnë të drejtat e njeriut. Për Afrikën duhet të vlejnë të njëjtat standarte si për kontinentet e tjera.

Lufta Civile në Cabinda, të drejtat e njeriut vetëm në letër dhe roli i dyshimtë e Angolës si fuqi rajonale në Afrikë, janë arsye të mjaftueshme për të mos dërguar armë gjermane në Angolë.

Autor: Johannes Beck

Redaktoi: Aida Cama /Esat Ahmeti