1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Angelika Beer për Kosovën: Vendimi shenjë e paaftësisë së OKB-së dhe e strategjisë së gabuar evropiane ndaj Serbisë

Anila Shuka27 Nëntor 2008

Europarlamentarja e Gjelber, Angelika Beer, kritikon ashpër vendimin e Këshillit të Sigurimit për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, sipas planit të Ban Ki Munit.

https://p.dw.com/p/G397
Eurodeputetja ekologjiste, Angelika Beer

"Pasoja e kësaj, sipas meje, është që Kombet e Bashkuara në marrëveshje me Beogradin kanë përgatitur ndarjen e Kosovës. Kombet e Bashkuara po bëhen kështu përgjegjëse për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor", tha deputetja e gjelbër në një takim me gazetarët në Berlin.

Vendimi është shenjë e paaftësisë së OKB-së dhe e një strategjie të gabuar evropiane kundrejt Serbisë, tha Beer më tej. "Ne deri tani vazhdimisht kemi ofruar bombone, si perspektiva për kandidat në vitin 2009 duke e lënë mënjanë pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, kjo është një strategji e gabuar."


Sipas Beer plani i Ban Ki Munit për shtrirjen e misionit të BE-së në Kosovë do të ketë si pasojë destabilizimin e të gjithë Ballkanit. "Ndarja faktike e Mitrovicës së veriut mund të ketë pasoja për shqiptarët që jetojnë në Serbi, në Preshevën e Jugut. Ata mund të kërkojnë t'i bashkohen Kosovës."


Kritikë ka ushtruar politikanja e të gjelbërve edhe ndaj rolit pasiv të Gjermanisë në rajon. Gjeramnia, sidomos si kryetare e radhës së BE-së, nuk arriti një strategji të përbashkët evropiane ndaj të gjithë Ballkanit Perëndimor. "Gjermania nuk luan rol proaktiv në Ballkan. Ajo është mjaftuar me gjetjen e emëruesit më të vogël të përbashkët politik, por kjo nuk ka mjaftuar. Ndërkohë është Gjermania ajo që mban përgjegjësi për zhvilimin paqësor në Ballkan."

Politikanja gjermane Angelika Beer është anëtare e Komisionit të Evropës Juglindore në Parlamentin Evropian dhe e viziton rregullisht Kosovën. Ajo ka ndërmjetësuar partneritetin e sapo vendosur mes një shkolle në Rahovec dhe një shkolle profesionale në landin e Shlesvig-Holshtajnit (Schleswig-Holstein) në Gjermani.

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë

Zbulo më shumë