1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Angela Merkeli merr dekoratën më të lartë nga Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani

Në foto: kancelarja Merkel flet në pranimin e çmimit Leo Bek

Kancelarja Merkel flet në pranimin e çmimit Leo Bek

Ky cmim është dekorata më e lartë, që jep Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani. Ai e ka marrë emrin sipas njërit nga dijetarët më të rëndësishëm hebrej të kohës së re, Leo Bek-ut (Baeck), i cili lindi më 1873 në provincën atëherë prusiane të Pozenit- një njeriu që u angazhua me guxim gjatë diktaturës nacionalsocialiste për bashkësinë hebreje. Pas lirimit nga kampi i përqendrimit Terezienshtadt ai themeloi në Londër institutin me emrin e tij "Instituti për kërkimet e hebraizmit në Gjermani që prej iluminizmit". Marrja e një cmimi që mban emrin e Leo Bekut, për kancelares Angela Merkel ka një kuptim të trefishtë:

"Së pari: të angazhohesh në mënyrë të vazhdueshme, që racizmi, armiqësia ndaj të huajve dhe antisemitizmi në Gjermani dhe në Evropë të mos gjejnë më vend. Së dyti: të forcosh me të gjitha fuqitë partneritetin me bashkësinë hebreje. Së treti: të angazhohesh sot dhe në të ardhmen për sigurinë e shtetit Izrael dhe për vlerat tona të përbashkëta të demokracisë dhe të shtetit juridik."

Angela Merkeli ka bërë përmes veprimeve të saj të angazhuara gjithmonë të qartë, se përgjegjësia që i rezulton asaj nga historia gjermane është për të "një cështje për zemër" dhe udhërrëfyese e veprimit të saj politik, tha Sharlote Knobloh, presidentja e Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani:

"Angela Merkel është një grua e jashtëzakonshme, e cila dallohet përmes një qëndrimi pa ekuivoke dhe të paepur përballë të gjithë atyre, që duan ta bëjnë të pamundur një bashkëjetesë harmonike midis hebrenjve dhe jo-hebrenjve. Komuniteti hebre ka gjetur te ajo një partnere të besueshme dhe një shoqe të vërtetë"

35 vitet e para të jetës së saj ajo ka jetuar në një shtet, i cili nuk e ka njohur politikisht Izraelin, tha Merkeli në fjalën e saj të falenderimit. Dhe përgjegjësia për krimet e nacionalsocializmit, ka qenë mendimi i atëhershëm në RDGJ, i takon vetëm RFGJ. Vetëm pas ribashkimit Gjermania mund të merrte e gjitha përgjegjësinë për të kaluarën e saj, dhe të njihte përgjegjësinë e saj për shtetin e Izraelit. Përballë kërcënimit të vendit nga programi bërthamor i Iranit, këto nuk duhet të mbeten fjalë boshe:

"Këto fjalë duhet të pasohen nga vepra, dhe qeveria ime i pason fjalët nga veprat.Ne angazhohemi së bashku me partnerët tanë për një zgjidhje diplomatike. Këtu bën pjesë edhe që Gjermania, në rast se Irani nuk e ndryshon qëndrimin, është e gatshme edhe për sanksione të tjera më të ashpra."

Kur vitin e ardhshëm të kremtohet 60 vjetori i shtetit të Izraelit, atëherë, kjo është dëshira e kancelares, në qendër të vëmendjes nuk duhet të jetë vetëm konflikti i Lindjes së Afërme, por edhe projekte bilaterale, takime në fushën e ekonomisë, të rinisë, të politikës arsimore dhe të shkencës. Takime midis njerëzish, të cilat janë më të rëndësishmet.

  • Data 07.11.2007
  • Autor Silke Bartlik
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/C548
  • Data 07.11.2007
  • Autor Silke Bartlik
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/C548