1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Angela Merkel rizgjidhet kryetare e Unionit Kristiandemokrat

16 Nëntor 2010

Kancelarja gjermane Angela Merkel u zgjodh në Karlsruhe kryetare e Unionit Kristiandemokrat (CDU), edhe për dy vitet e ardhshme. Në fjalimin drejtuar delegatëve, ajo u përpoq të largonte dyshimet e bazës.

https://p.dw.com/p/Q9uv
Kancelarja Angela Merkel (CDU) në kongresin e partisë
Kancelarja Angela Merkel (CDU) në kongresin e partisëFotografi: dapd

Në të vërtetë nga gati 1000 delegatët e pranishëm ajo morri me 90,4 për qind të votave të vlefshme, më pak vota se para dy vjet më parë. Në fjalimin drejtuar delegatëve, ajo u përpoq më parë të largonte dyshimet e bazës së partisë ndaj politikës së saj. Vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje në gjashtë nga 16 landet federale dhe sipas sondazheve të tanishme gjasat e Unionit Kristiandemokrat nuk janë edhe aq të mira.

Ata që kishin bërë spekullime në prag të kongresit të CDU-së për kryetaren e goditur rëndë, u përballën qysh në fillim të punimeve të tij me një realitet tjetër. Angela Merkel mbajti një fjalim agresiv, i cili ndërpritej pas çdo disa fjalive me duartrokitje të fuqishme.

Kongresi i CDU-së në Karsruhe
Kongresi i CDU-së në KarsruheFotografi: dapd

Ajo e filloi fjalimin me një dozë të vogël autokritike. Mosmarrëveshjet në mes të partnerëve të koalicionit qeverisës të zgjedhur para një viti, kanë çuar në humbjen e besimit tek qytetarët dhe në këtë mënyrë edhe në humbjen e zgjedhjeve në landin më të madh federal në pranverën e vitit 2010. Kështu që Merkel foli hapur në Karlsruhe: "Bilanci i qeverisë kristian-liberale në vitin e saj të parë mund të shihet tek veprat. Por jo gjithmonë tek stili. Dhe miqtë tanë në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë kanë vuajtur veçanërisht. Këtu nuk kemi çka të zbukurojmë."

Por pastaj Angela Merkel lavdëroi veten dhe qeverinë e saj - sidomos për mënyrën e përballimit të krizës financiare. Gjatë krizës së euros ajo ka rezistuar ndaj presionit të opozitës dhe partnerëve evropianë dhe ka realizuar me ngulm kushtet e vështira të ndihmave financiare për Greqinë, tha ajo. Dhe pa e përmendur drejtpërdrejt presidentin amerikan Barack Obama dhe kërkesën e tij për kufizimet e eksportit ajo theksoi se: "Ne nuk lejojmë që të na japin dajak pse eksportojmë produkte të mira në botë: made in Germany. Dhe nëse të tjerët nuk mund ta bëjnë këtë ata mund ta provojnë me kënaqësi dhe të na arrijnë, ne jemi për një konkurencë korekte por nuk lejojmë që të na ndëshkojnë vetëm pse prodhojmë gjëra të mira, të dashur miq".

Angela Merkel urohet për zgjedhjen kryetare e partisë nga ministrja e familjes Kristina Schroeder dhe ai i ambientit Norbert Roettgen (CDU)
Angela Merkel urohet për zgjedhjen kryetare e partisë nga ministrja e familjes Kristina Schroeder dhe ai i ambientit Norbert Roettgen (CDU)Fotografi: dapd

Miratim të plotë nga delegatët e bazës partiake pati po ashtu për deklararat e Merkelit për emigrimin e punëtorëve të kualifikuar. Sipas saj fillimisht një mundësi duhet të kenë të papunët në Gjermani. Merkel foli edhe për bashkëjetesën me migrantët: për këtë ekzistojnë rregulla të cilat janë lehtë të kuptueshme: "Kush do të jetojë këtu duhet të mësojë gjuhën gjermane. Dhe kush e bën këtë, unë e them qartë se ne e mirëpresim përzemërsisht. Kush do të jetojë këtu duhet të respektojë ligjet dhe vlerat tona, kush e bën këtë është i mirëpritur nga ne. Dhe kush nuk e bënë këtë duhet të llogarisë me sanksione, kaq e thjeshtë është kjo. Dhe ne shumë thjeshtë do ta vazhdojmë më tej këtë rrugë."

Kritika në adresë të Merkel-it në prag të kongresit ka pasur kryesisht nga qarqet konservative të partisë. Në fjalimin e saj ajo i dha mjaft ushqim shpirtit konservator. Megjithatë në fund rreth dhjetë për qind të delegatëve nuk ia dhanë asaj votën për postin e kryetares së partisë. Një paralajmërim i vogël por asgjë serioze që do të duhej ta brengoste kancelaren Merkel.

Autor: Peter Stützle/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama