1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Angela Merkel rizgjidhet kancelare e Gjermanisë

Marrëveshja e koalicionit është nënshkruar, Angela Merkel u rizgjodh kancelare - për herë të tretë që nga viti 2005 . Ajo siguroi, siç pritej, shumicën absolute në votimin e parë. Por Merkeli s'do ta ketë të lehtë.

Për pozitën nga e nis punën kancelarja nuk mund të ankohet: perspektivat ekonomike për Gjermaninë janë pozitive si në asnjë vend tjetër në Evropë, të ardhurat tatimore burojnë. Koalicioni i ri qeverisës i CDU / CSU dhe SPD mund të shpenzojë shumë të holla, dhe nga marrëveshja e koalicionit duket se ashtu do të bëjë. Megjithatë, me disa miliarda këtu dhe atje Angela Merkel nuk nuk mund të shkëlqejë vërtetë në periudhën e saj të tretë dhe ndoshta të fundit në këtë post.

Para Sigmar Gabrielit detyra prej Herkuli

Sigmar Gabriel

Sigmar Gabriel

Sfida kryesore e qeverisë së re do të jetë fusha e prodhimit dhe e furnizimit me energji. Pas katastrofës bërthamore në Fukushima Gjermania dëshiron të heqë dorë nga energjia bërthamore deri në vitin 2020 dhe të bazohet tek energjitë e ripërtëritshme nga era, dielli dhe uji - por projekti ka kohë që ka ngecur në vend. Kryetari i SPD Sigmar Gabriel si ministër i ri i Ekonomisë do të jetë përgjegjës edhe për politikën energjitike. Një mundësi kjo, por edhe një rrezik për zëvendëskancelarin, mendon këshilltari politik Michael Spreng: "Kjo është sigurisht një detyrë e rëndë prej Herkuli që ka marrë mbi vete Gabrieli." Kjo për shkak se deri tani çështje të rëndësishme nuk janë zgjidhur: si mund të mbeten të përballueshme për konsumatorët energjia elektrike dhe gazi, çfarë roli do të luajë në të ardhmen qymyrguri në Gjermani, si mund të zgjerohen shpejtë dhe mjaftueshëm rrjetet e energjisë elektrike për ta përçuar energjinë elektrike, ku është e nevojshme?

Andrea Nahles

Andrea Nahles

Ministrja e re e Punës Andrea Nahles (SPD) mund realizojë projektin më të rëndësishëm të social-demokratëve: pagën minimale të përgjithshme dhe të detyrueshme. Ajo ka gjithashtu mundësi të realizojë edhe projekte të tilla sociale: si dalja në pension në moshën 63 vjeç për një kategori të caktuar njerëzish, apo shtesë pesnionesh për nënat fëmijët e të cilëve kanë lindur para vitit 1992. Por këto mini-reforma të shtrenjtë janë me rrezik dhe mund të kenë edhe efekte anësore, kritikon Michael Spreng, sepse financimi i tyre është i mundshëm vetëm në qoftë se ekonomia vazhdon të zhvillohet me këto ritme. Në rast të kundërt ato mund të çojnë përsëri në borxhe.

Shpenzim apo kursim?

71-vjeçari Wolfgang Schäuble (CDU) do të vazhdojë të jetë ministër i Financave. Ky me sa duket do të jetë posti i tij i fundit ministror dhe ai nuk ka se ç'të arrijë më. Por Angela Merkel do të ketë një problem nëse u kërkon vendeve të tjera si Greqia, Portugalia apo Spanja të kursejnë, kurse në Gjermani do të shpenzojë dhe të hapë qesen. Ky është një sinjal i keq për vendet e tjera të BE-së, thotë Michael Spreng në intervistë me DW.

Ursula von der Leyen (CDU)

Ursula von der Leyen (CDU)

Ministrja e mëparshme e Punës Ursula von der Leyen (CDU) do të jetë ministrja e parë femër e Mbrojtjes dhe tani mund të profilohet krahas kancelares jashtë vendit. Detyra e saj kryesore do të jetë realizimi i tërheqjes së trupave gjermane nga Afganistani vitin e ardhshëm. Një pikë delikate, për shembull: Çfarë do të ndodhë me punonjësit afganë të cilët kanë punuar për gjermanët, për shembull, si përkthyes dhe që janë tani të kërcënuar nga talibanët? Pothuajse të gjithë ata kanë bërë kërkesë për azil në Gjermani, dhe qeveria federale duhet të gjejë në këtë çështje një qëndrim unik. Në rast se von der Leyen do t'ia dalë mbanë në postin e vështirë që ka marrë, ajo mund të jetë pasardhësja e Angela Merkelit.

Konkurrencë e re për Merkelin

Angela Merkel ështe në CDU figura udhëheqëse e padiskutueshme, mendon politologu nga Boni Volker Kronenberg, por me një zëvendëskancelar shumë të vetëvetëdijshëm si Sigmar Gabriel dhe një politikane të fortë si Ursula von der Leyern Merkeli mund ta ketë qeverisjen më të vështirë se në koalicionin e mëparshëm me FDP. Gjithësesi Kronenberg beson se kancelarja është ende e armatosur mirë për luftërat për pushtet ". Politika përbëhet në një shkallë të lartë nga menaxhimi i krizave dhe ajo ka dëshmuar vitet e fundit se është e zonja për këtë."

Merkel lufton për amanetin e saj

Në rast se Merkeli nuk do të kandidojë për zgjedhjet e vitit 2017, bilanci i saj si kancelare nuk është shumë i madh, mendon Michael Spreng, sepse ajo nuk ka arritur ndonjë gjë me rëndësi veç heqjes dorë nga energjia atomike dhe përballimi jo deri në fund i krizës së euros. "Ajo ka tani edhe katër vjet që të zërë vend në librat e historisë, se deri tani nuk ka ndonjë projekt të madh që të lidhet me emrin e Angela Merkelit" - mendon Michael Spreng.

Volker Kronenberg mendon se shënime të tilla bëhen në fund të periudhës si kancelare dhe në katër vitet e ardhëshme do të shihet se ç'sfida të reja do të dalin dhe pastaj mund të bëhet bilanc.