1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Angela Merkel - menaxhuesja e krizave

Ajo është shumë e kënaqur me rezultatet, tha Angela Merkeli në fund të natës së gjatë në Bruksel. Kjo nuk të çudit, sepse kancelarja gjermane e zbatoi vullnetin e saj përballë të gjitha kundërshtive.

Merkeli në fund të takimit të Brukselit, 27.10.

Merkeli në fund të takimit të Brukselit, 27.10.

Pas takimit të Brukselit, në Berlin përgjithësisht dëgjon zëra dashamirës. Kancelarja ka bërë punë të mirë, paketa e miratuar është ajo që duhej, dëgjon të thuhet. Mbështetja më e madhe vjen natyrisht nga grupi parlamentar i partive unioniste, ku flitet për një hap të rëndësishëm për stabilizimin e euros, për arritjen e pjesës më të madhe të pozicioneve të synuara dhe për aftësi drejtuese të kancelares. Por në kënaqësinë e kristjandemokratëve përzihet edhe pak lehtësim. Kjo meqenëse muajt e fundit, Angela Merkelin e patën kritikuar jo vetëm në Gjermani, por edhe në nivel evropian për zvarritje e pavendosmëri. Jo vetëm skeptikët ishin ata që thanë paraprakisht se nuk mund të presësh shumë nga një takim i nivelit të lartë ku të pranishmit nuk janë dakord me njëri-tjetrin.

Tani ka nga ata që fërkojnë sytë me habi. Brenda natës u vendosën masa, për të cilat u zhvillua grindje me javë, me muaj të tëra, të cilat pjesërisht konsideroheshin të pazbatueshme. Greqisë i falet gjysma e borxheve dhe sektori privat, pra bankat dhe shoqëritë e sigurimeve duhet të marrin pjesë në këtë proces të faljes së borxhit. Nëse ato nuk janë në gjendje ta arrijnë vetë këtë, fillimisht do të jepet ndihmë nacionale, përpara se të angazhohet Evropa me ombrellën e saj të shpëtimit. Por EFSF nuk do të marrë për këtë licensën e një banke, siç donin ta arrinin patjetër francezët. Ndihma për vende me borxhe do të ketë vetëm nën kushte të rrepta, për programe kursimesh dhe reforma madje u caktuan afate kohore, bie fjala për Italinë. Marrëveshjet evropiane do të ndryshohen madje shumë shpejt.

Gjermania - vendimmarrësja?

A është kjo vërtet vepër e kancelares federale gjermane? Romano Prodi, ish-Presidenti i Komisionit Evropian, e ka formuluar njëherë kështu gjendjen: puna ndërkohë ka ardhur në atë pikë sa "lady i merr vendimet dhe presidenti francez jep më pas një konferencë shtypi, për t'i shpjeguar vendimet". Sigurisht, Gjermania është forca më e madhe ekonomike e Evropës dhe është Gjermania ajo që mban pjesën më të madhe të barrës financiare, të cilën e sjell me vete kjo krizë borxhesh. Por vetëm ky fakt nuk mund të jetë shkaku për rezultatin e natës së gjatë në Bruksel. Në qarqe qeveritare berlineze, të gjithën e shpjegojnë me një fat të mbarë. Duke nisur nga e mërkura e kaluar (19.10.) kur presidenti francez Nikolas Sarkozy erdhi papritur në Frankfurt, ka pasur një seri takimesh në rreth të ngushtë, të cilat nuk qenë planifikuar si të tilla, por që në shumën e tyre ishin kaq efikase dhe rezultative, sa më në fund u arrit në një natë të vetme që të lidheshin të gjitha fijet dhe të arrihej një vendim.

Monedhe euro

Njëri prej këtyre takimeve të vogla ishte i ashtuquajturi raundi i Frankfurtit. Në ceremoninë zyrtare të lamtumirës së Presidentit të BQE, Jean-Claude Trichet, Kancelarja Federale, Presidenti franczez, shefja e FMN, Christine Lagarde, Presidenti i BE Herman van Rompuy, Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe natyrisht presidenti i BQE, Jean-Claude Trichet u mblodhën për herë të parë në një përbërje të tillë. Sarkozy-a u përpoq që me shfaqjen e tij të paparalajmëruar dhe dramatike- gjithsesi gruaja e tij në Paris ishte ne dhimbjet e lindjes - të neutralizonte para së gjithash kancelaren emocionalisht. Por kancelarja nuk u impresionua.

Dhe këtë Sarkozia në fakt duhet ta kish ditur. Kur Merkeli është e vendosur, atëherë atë nuk mund ta impresionosh. Disa e quajnë mënyrën e saj edhe stoike. Në pamje të jashtme e qetë, e kontrolluar, pa rënë në sy dhe me buzëqeshje të hekurt, por në materje këmbëngulëse dhe që nuk heq dorë. Veç kësaj e pajisur me një qendrueshmëri të hekurt fizike. Kush mund të pohojë për vete se ia del mbanë me katër-pesë orë gjumë çdo natë dhe se po të vi puna arrin t'ia dalë mbanë edhe fare pa gjumë? Kjo do ta ketë ndihmuar Merkelin natën duke gdhirë e enjtja (27.10.), kur erdhi puna që takimi i nivelit të lartë të kthehej në sukses. Në negociatat e ashpra me bankat, kancelarja dhe Sarkozy-a së bashku me krerët e BE madje ndërhynë personalisht. "Ne bëmë vetëm një ofertë", do të thoshte Merkeli më vonë. "Ajo ishte fjala jonë e fundit."

Autor: Sabine Kinkartz/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama