1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Angela Merkel – me ashensor në zyrë

Në CDU hyri rastësisht. Por shumë shpejt do të pushtonte majat: në fillim kreun e partisë, më pas postin më të rëndësishëm të vendit. Angela Merkel po lufton tani për të mbetur në detyrën e kancelares.

Angela Merkel.

Në CDU hyri rastësisht. Por shumë shpejt pushtoi majat, Angela Merkel.

Unioni Kristiandemokrat (CDU) i RDGJ-së ishte një vend ku mblidheshin të gjithë njerëzit me orientim të krishterë e që, në njërën anë nuk donin të hynin në partinë ateiste shtetërore Bashkimi Socialist i Gjermanisë (SED) dhe në anën tjetër, donin të angazhoheshin në kuadër të sistemit. Angela Merkel, e bija e një prifti, nuk ishte nga këta njerëz. Ajo zgjodhi rrugën e shkencës, doktoroi në fizikë dhe politikës kishte vendosur t‘i qëndronte larg, deri në vjeshtën e vitit 1989, kur filluan transformimet politike.

„Kthesa Demokratike“ (Der Demokratische Aufbruch), njëri nga grupimet e shumta opozitare të asaj kohe, që mbështeteshin nga kisha evangjeliste kishte marrë si dhuratë një kompjuter dhe kërkonte dikë që dinte ta përdorte. Merkel u tregua e gatshme të ndihmonte dhe pak kohë më vonë ajo do të bëhej zëdhënëse e grupit të vogël. Kur mbas zgjedhjeve të para të lira të RDGJ-së, në mars të vitit 1990, „Kthesa Demokratike“ do të bëhej pjesë e koalicionit qeveritar me në krye politikanin e CDU-së, Lothar de Maiziere, ajo u bë zëdhënësja e dytë e qeverisë. Pak më vonë „Kthesa Demokratike“ u bë pjesë e CDU-së lindore. Kështu edhe Angela Merkel përfundoi në CDU.

„Vajza“ e Helmut Kohl-it

Në zgjedhjet e para për Parlamentin Federal (Bundestag) të Gjermanisë së bashkuar, më 2 dhjetor 1990, Merkel do ta fitonte me shumë lehtësi mandatin e drejtpërdrejtë si deputete e një zone elektorale në landin Mecklenburg Vorpommern, në verilindje të Gjermanisë. Kur kancelari i asaj kohe, Helmut Kohl, po kërkonte një politikane gjermano-lindore për ta bërë ministre të grave dhe të rinjve, de Maiziere dhe politikanë të tjerë e këshilluan të merrte Angela Merkel-in.

Kancelari dhe kryetari i CDU-së Helmut Kohl dhe Angela Merkel e porsa zgjedhur në postin e nënkryetares së partisë, në dhjetor 1991.

Kancelari dhe kryetari i CDU-së Helmut Kohl dhe Angela Merkel e porsa zgjedhur në postin e nënkryetares së partisë, në dhjetor 1991.

Në atë kohë Merkel nuk kishte as një vit që merrej me politikë dhe shumëkush mund të kishte menduar se ajo do të dështonte. Por Merkel e gjeti menjëherë veten në këtë detyrë. Kohl-i e kishte diktuar mirë talentin e saj dhe e mbështeste ku të mundej „vajzën“ e vet. Në fund të vitit 1991 ajo u bë zëvendëskryetare e CDU-së dhe nga mesi i 1993-shit kryetare e CDU-së së landit Mecklenburg-Vorpommern, gjë që do t’i siguronte edhe një territor të vetin brenda partisë, megjithëse një territor modest, nisur nga përmasat e vogla gjeografike dhe fuqia e dobët ekonomike e landit gjermano-lindor.

Mbas zgjedhjeve parlamentare të vitit 1994, asaj iu besua një ministri me rëndësi politike, ajo e mjedisit. Kjo edhe për shkak të njohurive të saj në shkencat e natyrës. Në profilizimin e saj në këtë post luajti rol të rëndësishëm edhe samiti i OKB-së për klimën në vitin 1995 në Berlin, në të cilin Angela Merkel ishte kryetare. Aty ajo pati rastin të merrte përvojën e parë në nivel ndërkombëtar.

Me shkathtësi dhe kuraje deri në majë

Në vitin 1998 Helmut Kohl-i i humbi zgjedhjet federale në garën kundrejt Gerhard Schroeder-it dhe u tërhoq nga jeta partiake. Pasardhës i tij u bë Wolfgang Schaeuble, ndërsa Merkel u zgjodh sekretare e përgjithshme e CDU-së, pra dora e tij e djathtë. Së bashku me Schaeuble-n ajo u angazhua me forcë për ri-pozicionimin programatik të partisë. Kjo bëri që CDU-ja shumë shpejt të arrinte suksese spektakolare në zgjedhjet për parlamentet e disa landeve dhe ato evropiane. Por, pak më vonë do të dilte në shesh afera e donacioneve me xhirollogaritë e paligjshme që rrezikonte të shkatërronte gjithçka. Në këtë situatë Merkel tregoi kurajën të bënte një goditje çliruese: Në një artikull të publikuar në "Frankfurter Allgemeinen Zeitung" ajo kërkoi që CDU-ja të distancohej nga Halmut Kohl-i. Askush nuk kishte pasur guximin deri atëherë të bënte një hap të tillë.

Merkel i hap rrugën Stoiber-it për të kandiduar për kancelar në zgjedhjet e shtatorit 2002

Merkel i hap rrugën Stoiber-it për të kandiduar për kancelar në zgjedhjet e shtatorit 2002

Kur një aspekt dytësor i aferës së donacioneve rëndoi edhe mbi kryetarin e CDU-së, Wolfgang Schaeuble-n, edhe ky kërkoi dorëheqje, Merkel-it i ra e gjithë përgjegjësia mbi shpinë. Me 96 përqind të votave ajo u zgjodh kryetare e partisë në kongresin e CDU-së, në prill 2000. Pak më vonë, do të përjetonte edhe një dështim të vogël, të vetmin në karierën e saj marramendëse: Ajo caktoi Ruprecht Polenz-in, asokohe një deputet jo shumë i njohur, si sekretar të përgjithshëm të CDU-së. Por ky nuk pati forcë bindëse tek anëtarët dhe pas disa muajsh dha dorëheqjen.

Drejt postit të kancelares

Një humbje e vogël, por që – parë nga perspektiva e sotme – del që ka qenë fitore: Kryetari i simotrës bavareze, CSU-së, Edmund Stoiber, ia mori kandidaturën për postin e kancelares në zgjedhjet e vitit 2002. Mbas debatesh të gjata, Merkel i hapi rrugë bavarezit dhe ky humbi kundrejt Gerhard Schroeder-it. Sipas vëzhguesve asokohe as Merkel nuk kishte shumë shans për të fituar. Por kur tre vjet më vonë, Schroeder-i u detyrua të shpallte zgjedhje të parakohshme, nuk e vuri më askush në diskutim që kandidatura sfiduese i takonte Merkel-it.

Megjithëse Merkel për pak sa do ta kishte humbur fitoren që në fillim u duk aq e sigurt. Farën për këtë gati-humbje e hodhi kongresi i CDU-së në Leipzig në vitin 2003. Nën udhëheqjen e Merkel-it koncepti programatik i partisë ishte distancuar nga i ashtuquajturi „kapitalizëm i Rinit“, që kishte më shumë elemente sociale, dhe ishte afruar më tepër kah mendësia neoliberale. Megjithëse politika e Schroeder-it ecte në të njëjtën linjë, gjatë fjalimeve të fushatës elektorale ai përpiqej ta nxirrte politikën e Merkelit si antisociale, dhe me sukses. Diferenca e rezultatit të dy kampeve, atij konservativ, CDU/CSU dhe Partisë Socialdemokrate, ishte i vogël, por ai mjaftoi për t’i dhënë Merkel-it të drejtën e krijimit të qeverisë me socialdemokratët. Për një koalicion të mirëfilltë konservator-liberal nuk mjaftonin votat.

A do ta fitojë Merkel edhe legjislaturën e dytë si kancelare?

A do ta fitojë Merkel edhe legjislaturën e dytë si kancelare?

Mësimi që nxori Merkel nga kjo përvojë, me sa duket, ishte që të mos pozicionohet hapur. Gjatë periudhës së koalicionit të madh, e kushtëzuar edhe nga partia bashkë-qeverisëse, ajo vazhdimisht është përpjekur të mbajë distancë ndaj shoqatave ekonomike, por pa kaluar në anën tjetër. Problemet u mundua t’i zgjidhte me pragmatizëm, në varësi të rastit konkret. Meqenëse edhe në parketin ndërkombëtar ajo zuri vend më shumë se ç’kishte paramenduar shumëkush, Merkel arriti të fitonte shumë pikë dhe të bëhej një nga politikanet më të preferuara nëpër anketime.

Ajo tani është pretendentja me shanset më të mëdha në këto zgjedhje, me gjithë krizën ekonomike. Por kjo nuk do të thotë se e ka në xhep fitoren: Merkel e di këtë edhe vetë, nga përvoja personale: Në vitin 2005 pyetësorët anonin të gjithë nga ajo, por si përfundim edhe për një fije do të kishte dështuar.

Autor: Peter Stützle / Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 23.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JG06
  • Data 23.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JG06