Angela Merkel: Marrëveshja për qeverinë e re gjermane do të jetë e mirë për BE | Gjermania | DW | 22.02.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Angela Merkel: Marrëveshja për qeverinë e re gjermane do të jetë e mirë për BE

Gjermania ka plane të mëdha për Bashkimin Evropian, i tha kancelarja parlamentit gjerman në prag të një takimi joformal të BE në Bruksel. Por më parë asaj i duhet qeveria.

Angela Merkel iu drejtua Bundestagut, Parlamentit gjerman një ditë para takimit joformal të liderëve të 27 shteteve anëtare të BE në Bruksel. Forcimi i Bashkimit Evropian është një element qendror i marrëveshjes midis dy partive më të mëdha të Gjermanisë. Merkeli tha se marrëveshja do të ofrojë "impulse esenciale" për reformimin e bllokut. Ajo theksoi se marrëveshja e koalicionit është e para e këtij lloji, që fokusohet shprehimisht në politikën ndaj BE.

"Duhet të jemi të përgatitur për të mbështetur iniciativat kur ato janë më të përshtatshme se zgjidhjet nacionale", tha kancelarja.

Luftimi i shkaqeve të arratisë dhe forcimi i Frontexit

Për temën e refugjatëve, Merkeli tha se politika duhet të fokusohet në luftimin e arsyeve pse njerëzit e braktisin atdheun e tyre për të ardhur në Evropë. Ajo theksoi se përpjekje më të mëdha nevojiten për të shkatërruar rrjetet e trafikantëve të njerëzve. Edhe marrëveshja e koalicionit me SPD e mbështet një politikë të përbashkët të BE për refugjatët. Merkeli kërkoi që të "forcohet në mënyrë masive" agjencia evropiane për Mbrojtjen e Kufirit, Frontex.

Kancelarja kërkoi më tej një riorientim të financave të Bashkimit Evropian. "Debati për kuadrin e ardhshëm financiar është edhe një shans për t'i verifikuar në përgjithësi financat e BE", tha Merkeli në deklaratën e saj qeveritare para Bundestagut. Ajo dëshiron një "Evropë të aftë për të vepruar, solidare dhe me besim në vete".

Përplasje me shtetet lindore të BE 

Të premten kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE do të diskutojnë pa Britaninë e Madhe për planin afatmesëm financiar të BE prej 2021 deri 2027. Ajo pret një diskutim për detyra të reja dhe një mbrojtje evropiane të kufirit. "Kemi nevojë për një zgjim për Evropën", tha Merkeli.

Njëkohësisht ajo la të kuptojë se priten konflikte me shtetet lindore të BE. Sepse në fondet strukturore duhet të merret parasysh në të ardhmen edhe angazhimi për pranimin e refugjatëve. "Solidariteti nuk mund të jetë rrugë me një drejtim në BE", tha ajo. Shkaku për këtë deklaratë është refuzimi i disa shteteve të Evropës Lindore që të pranojnë refugjatë nga shtete të tjera të BE. Vende si Polonia janë përfituese neto të shërbimeve të BE, Gjermania është një paguese neto.

Merkeli tha se në reformën e Eurozonës në të ardhmen përgjegjësia dhe kontrolli duhet të jenë në një dorë. E rëndësishme është në radhë të parë që të përmirësohet aftësia për konkurrencë në Eurozonë. Pa një treg të brendshëm digjital, shtetet e BE do ta kenë të vështirë që të ruajnë aftësinë e konkurrencës në plan ndërkombëtar.