1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Angela Merkel: "Më shumë Evropë!"

"Ne na duhet më shumë Evropë, më shumë bashkëpunim", thotë Angela Merkel. Kancelarja gjermane kërkon një politikë të përbashkët fiskale dhe një union politik.

Për kancelaren gjermane Angela Merkel këto ditë nuk ka temë më të ndjeshme se sa kriza e euros dhe e ekonomisë evropiane. Kancelarja gjermane ka të gjitha arsyet për t'u shqetësuar pasi kurrë më parë Evropa nuk ka qenë më pranë greminës se tani. Në pjesën më të madhe të vendeve ekonomia është në rënie, edhe në Gjermani janë dhënë shenjat e para për fundin e rritjes ekonomike.

Veç kësaj në Greqi fundjavën e ardhshme mbahen zgjedhje parlamentare, rezultati i të cilave mund ta vendoste BE-në para problemeve të reja. Në Spanjë kriza financiare e bankave të mëdha po shkallëzohet dhe aprovimi i paktit fiskal nga deputetët në parlamentin federal gjerman, pak para pushimit të verës, nuk është ende i sigurtë.

Nevojitet një pakt fiskal

Megjithë këto sfida të mëdha Merkel shprehet optimiste se kriza është e menaxhueshme. Në emisionin e mëngjesit të kanalit të parë gjerman ARD, ajo tha se brenda këtij muaji në nivel evropian do të paraqitet një plan pune, i cili parashikon një bashkëpunim më të ngushtë të shteteve anëtare të BE-së. "Ne kemi nevojë për më shumë Evropë", tha Merkel, "ne kemi nevojë jo vetëm për një union monetar por edhe për të ashtuquajturin union fiskal, pra për një politikë të përbashkët buxhetore." Por para së gjithash Evropës i nevojitet një union politik. Për shtetet anëtare të BE-së kjo do të thotë që Evropës duhet t'i kalojnë më shumë nga kompetencat deri tani kombëtare dhe BE-së duhet t'i akordohen më shumë mundësi kontrolli.

Pamje simbolike: monedha euro mbi një kartë krediti

Gjermania do të kërkojë futjen e taksës mbi transaksionet financiare

Merkel theksoi se me paktin fiskal u arrit të përfshihen në bashkëpunim jo vetëm 17 shtetet e Eurozonës. 25 nga 27 vendet anëtare të BE-së janë të gatshme t'i nënshtrohen një të ashtuquajture "frene të borxheve" dhe të zbatojnë masa më të rrepta kursimesh. Në të njëjtën kohë kancelarja hodhi poshtë akuzën se ajo mbështetet në mënyrë të njëanshme në disiplinën buxhetore duke lënë pas dore stimulimin e ekonomisë. "Unë isha ajo që propozoi të ashtuquajturin 'pakt euro plus', ku bëhet fjalë vetëm për çështje të rritjes ekonomike dhe të aftësisë konkurruese", tha Merkel dhe shtoi: "Unë mendoj se konsolidimi buxhetor dhe rritja ekonomike janë dy anë të së njëjtës medalje. Pa financa të forta nuk ka rritje ekonomike, por financat e forta të vetme nuk mjaftojnë. Të rëndësishme janë edhe pika të tjera, e para së gjithash, çështjet e aftësisë konkurruese."

Kthesë në negociatat me opozitën

Ndërkaq janë shënuar lëvizje në negociatat mes qeverisë dhe opozitës në lidhje me miratimin e paktit fiskal. Negociatorë të të dyja palëve deklaruan në Berlin se është rënë dakord për pikat kyçe të një takse mbi transaksionet financiare. Sipas marrëveshjes qeveria gjermane do të angazhohet "me këmbëngulje" në nivel evropian për futjen e një takse mbi transaksionet financiare, edhe në qoftë se nuk janë dakord të gjitha vendet e Eurozonës.

Për socialdemokratët dhe ekologjistët gjermanë, futja e një takse mbi transaksionet financiare është kusht i rëndësishëm, për të dhënë votën e tyre në favor të paktit fiskal, në parlamentin federal dhe këshillin e landeve. Në të dyja dhomat e parlamentit është e nevojshme një shumicë prej dy të tretash.

Partia "E Majta" është e vetmja parti opozitare, e cila ka bërë të qartë se nuk do ta miratojë paktin fiskal.