1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Angela Merkel kërkon vazhdimin e dialogut me Rusinë dhe mohon gabime me Kosovën

Merkeli u pozicionua në një intervistë dhënë të dielën (07.09) radios DeutschlandRadio edhe ndaj kritikave të ish-kancelarit Shrëder, se Perëndimi kishte bërë gabime në trajtimin e Rusisë, edhe për çështjen e Kosovës.

Kancelarja Angela Merkel

Kancelarja Angela Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel është e mendimit se shprehja hapur e ideve në raportin midis BE dhe Rusisë nuk duhet të çojë në ndërprerjen e dialogut. Në Osetinë Jugore shpërtheu një i ashtuquajtur "konflikt i ngrirë" dhe nuk mund të flitet për një luftë të re të ftohtë, thotë ajo. Në rubrikën "Intervista e Javës", në Radion Kombëtare gjermane Deutschlandradio, Merkeli u shpreh për reagimin e Perëndimit ndaj luftës në Kaukaz:

"Ne si BE reaguam në formën e përshtatshme, megjithatë ne thamë se nuk duam t'i ndërpresim kontaktet me Rusinë, t'i këmbejmë me ndershmëri mendimet me njëri-tjetrin, të themi se ç'mendojmë për njëri-tjetrin, por të mos kalojmë në një gjendje ku nuk bisedohet."

Merkeli kritikoi në intervistë reagimin e Rusisë në konflikt:

"Ne ishim të mendimit dhe këtë BE edhe e bëri të qartë, se reagimi ndaj konfliktit në Osetinë Jugore ishte joproporcional, ne e konsiderojmë edhe njohjen e Osetisë Jugore dhe të Abkazisë jo në pajtim me të drejtën ndërkombëtare."

Kancelarja gjermane mendon se Moska është vetë shumë e interesuar, që bashkëpunimi me Perëndimin të vazhdojë:

"Por përbashkësi në bashkëpunim bazohen natyrisht në një sistem të përbashkët vlerash, dhe prandaj neve na duhet të luftojmë herë pas here në kontaktet me Rusinë."

Në këtë linjë, Angela Merkeli e refuzoi idenë e një përjashtimi të mundshëm të Rusisë nga grupi i vendeve G-8, siç u shpreh ajo së fundi në fushatën elektorale në SHBA nga kandidati republikan për president, Xhon Mekkein.

Më tej kancelarja gjermane u ndal edhe në pohimet e bëra nga disa politikanë në media, se Rusia reagoi në mënyrë joproporcionale në konfliktin e Kaukazit, për shkak se Perëndimi nuk i kishte marrë parasysh interesat ruse. Për kritikat e artikuluara së fundi nga ish-kancelari Gerhard Shrëder, se Perëndimi kishte bërë gabime të rënda ndaj Rusisë, ndër të tjera duke njohur pavarësinë e Kosovës, Merkeli u shpreh:

"Ne sidoqoftë i kemi bërë shumë oferta bashkëpunimi Rusisë. Për shembull, për zgjidhjen e konfliktit të Kosovës ne kemi bashkëpunuar për shumë vite shumë ngushtë, përfshirë edhe planin Ahtisaari. Rusia ka qenë gjithmonë e pranishme. Eshtë miratuar gjithmonë në OKB rezoluta në bazë të së cilës vepruam ne tani, edhe përsa i përket njohjes, kemi një rezolutë, e cila u bashkëaprovua nga Rusia, d.m.th këtu nuk mund të bëhet fjalë fare për një përjashtim të Rusisë. Gjermania u angazhua në mënyrë të veçantë që të organizohej edhe një raund i ri negociatash."

Ndërsa përsa i përket mbrojtjes raketore amerikane në Evropë, të kritikuar ashpër nga Moska, Merkeli tha se ajo ka theksuar gjithmonë që Rusia mund të bëhej pjesë e kësaj mbrojtjeje. Ajo kritikoi megjithatë zbatimin e planit të mbrojtjes raketore me anë të marrëveshjeve bilaterale midis SHBA dhe Polonisë e Cekisë, dhe tha se do të ngulë këmbë që në të ardhmen "të bashkëpunohet më shumë në NATO me njëri-tjetrin dhe që në këtë rast të kërkohet të bisedohet edhe me Rusinë".

  • Data 08.09.2008
  • Autor Auron Dodi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FDMR
  • Data 08.09.2008
  • Autor Auron Dodi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FDMR