1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Andreas Schockenhoff ka lënë një zbrastësirë të madhe në politikën gjermane

Në moshën 57-vjeçare papritur ndërroi jetë të shtunën në mbrëmje një prej politikanëve më të njohur të CDU-së në Bundestag, Andreas Schockenhoff. Nënkryetari i franksionit të CDU-së ka lënë një zbraztësirë të madhe.

Me vdekjen e Andreas Schockenhoff në Bundestag do të mungojë një zë shumë i mprehtë dhe kritik i politikës së jashtme gjermane. Në veçanti sa i përket politikës ekspansioniste të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, të cilin e ka kritikuar së fundi ashpër edhe në intervistën e tij të fundit për Deutsche Wellen, të botuar ditën e vdekjes së tij, të shtunën (13.12.2014). Schockenhoff kritikonte ashpër politikën ekspansioniste ruse në Ballkan dhe kërkonte angazhimin më të madh të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian, për të evituar influencën e Rusisë në Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe rajonet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Schockenhoff ka qenë shumë i angazhuar jo vetëm në politikën ndaj Rusisë, por edhe në Ballkanin Perëndimor. Së fundi ai ka qenë në Kosovë vetëm disa ditë para krijimit të koalicionit PDK-LDK dhe është takuar me liderët e këtyre partive, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Në intervistën e tij të fundit për mediat në Ballkan, dhënë DW, ai tha se "koalicioni PDK-LDK-minoritetet është zgjidhja më e mirë për Kosovën". Schockenhoff ka qenë edhe një ndër hartuesit e kushteve të paraqtitura në Beograd, për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Ai konsiderohej një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të kancelares Merkel për çështjet e Ballkanit Perëndimor.

Angazhimet në lidhje me Rusinë

Megjithatë pikërëndesa e angazhimeve të tij në politikën e jashtme kanë qenë raportet me Rusinë dhe vendet lindore. Ai ishte i respektuar nga të gjitha forcat demokratike në Rusi, Ukrainë dhe vendet e tjera të këtij rajoni. "Ne kemi interes që të bashkëpunojmë ngushtë me një Rusi të fuqishme, demokratike, me një shtet juridik", thoshte Schockenhoff. Sa i përket politikës ndaj Rusisë, Andreas Schockenhoff ishte një prej mbështetësve të denjë të sanksioneve kundër Putinit. "Putini do të dorëzohet vetëm kur të shohë se çmimi është tepër i lartë", pohon ai dhe shtonte: "Moska e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, e ka shkelur paqën në raport me Ukrainën. Putini e ka bërë të qartë se nuk do të respektojë integritetin territorial të vendeve fqinje". Deri në ditët e fundit, Schockenhoff është angazhuar për ruajtjen dhe forcimin e dialogut të Petersburgut. Në çështjet që kanë të bëjnë me Rusinë ai ka bashkëpunuar jo vetëm me deputetët e Unionit CDU/CSU si dhe me partnerin në koalicion SPD, por edhe me politikanët opozitarë ekologjistë, si Marieluise Beck.

Karriera politike

Schockenhoff ishte një prej deputetëve të Bundestagut gjerman, që nga koha e ribashkimit të Gjermanisë. Në periudhën prej vitit 1998 -2005 ka qenë zëvendës i zëdhënësit të grupit parlamentar të Unionit CDU/CSU për politikë të jashtme. Prej vitit 2006 - 2014 ishte koordinator i Qeverisë gjermane për raportet gjermano-ruse. Ndërkohë që së fundi ishte edhe nënkryetari i grupit parlamentar. Schockenhoff ishte një prej mbështetësve më të denjë të miqësisë gjermano-franceze. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier (SPD) kumtoi se "me humbjen e Andreas Schockenhoff, Gjermania e ka humbur një prej politikanëve më të angazhuar në politikën e jashtme. Kemi humbur një politikan i cili gjithmonë e ka thënë hapur mendimin e tij dhe është angazhuar me gjithë fuqinë për realizimin e qëndrimeve të tija, në veçanti ato që kanë të bëjnë me Rusinë dhe vendet lindore, por edhe në raport me Francën."

Sinqeriteti

Andreas Schockenhoff është bërë i njohur për opinionin e gjërë në Gjermani në vitin 2011 kur e pranoi hapur se kishte probleme serioze me alkoolin. Në verë të këtij viti, në gjendje të dehur, ai kishte edhe një fatkeqësi komunikacioni, kur vendosi që të futet në terapi. Pas katër javësh ai është kthyer nga terapia në jetën normale politike dhe fliste hapur për problemet me alkoolin. Ai vuante për shkak të vdekjes së bashkëshortes së tij të parë nga kanceri si dhe udhëtimet e pandërprera jashtë vendit. Ndërkohë që ishte baba i tre fëmijëve dhe përpiqej t'i edukonte ata sa më mirë.

Lajmi për vdekjen e tij i ka prekur thellë politikanët në Bundestag. Shefi i grupit parlamentar të Unionit CDU/CSU Volker Kauder tha se "Unioni CDU/CSU kanë humbur një prej politikanëve më të profilizuar. Shumë prej nesh kemi humbur një mik të mirë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë."

Andreas Schockenhoff ka ndërruar jetë nga një vdekje natyrore, në moshën 57-vjeçare.