1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Analiza e Marrëveshjes së Ohrit trazon politikën në Maqedoni

Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në bashkëpunim me Institutin Evropian për Paqe dhe OSBE, ka bërë analizën për zbatimin e saj duke përpiluar një draft - propozim në formë rekomandimesh.

Rikthimi i preambulës së Kushtetutës, ku do të theksohet identiteti qytetar dhe jo etnik i qytetarëve në Maqedoni, miratimi i një ligji ku do të saktësohej se gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoni, miratimi i buxhetit qendror dhe lokal sipas parimit të Bandenterit dhe krijimi i një ministrie të re që do të mbikqyrte zbatimin e Marveshjes së Ohrit (MO), janë disa nga rekomandimet kryesore të analizës së hartuar nga Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Zëvendëskryeministri Musa Xhaferi thotë, se Dokumenti nuk ka të bëjë me marrëveshje të re apo të vjetër, por për një proces. Është një thirrje kolegjiale përfaqësuesve maqedonas që paragjykimet t'i lenë më njëanë, të bëhemi të barabartë që të ecim pak më shpejtë në rrugën e integrimeve evropiane.

“Dokumenti është një avancim i kushtetutës, interpretim i avancuar i kushtetutës. Ky dokument në mënyrë direkte është pjesë integrale e marrëveshjes së Përzhinos, është në Progres - raportin detyrë e drejtpërdrejtë që ka qeveria dhe këtë dokument e përpilojmë me lehtësues ndërkombëtar”, shprehet Xhaferi. Gjithnjë sipas tij, rekomandimet nuk duhet të interpretohen nga opinioni maqedonas si kërkesa maksimaliste.

Kotevski: VMRO-DPMNE nuk është përpiluese e rekomandimeve

Partia VMRO-DMPNE, thotë se rekomandimet që dalin nga analiza e MO-së nuk do t'i pranojë meqë nuk ka qenë pjesë e analizës e as edhe e hartimit të rekomandimeve , thotë zëdhënësi i VMRO DPMNE- së Ivo Kotevski. “VMRO-DPMNE kundështon idetë e federalizmit të Maqedonisë, ose paralajmërimet e liderit të LSDM-së opozitare, Zoran Zaev, i cili po promovon mësimin e gjuhës shqipe në tërë territorin e shtetit”, ka deklaruar Kotevski, Madje nga partia e Gruevskit, mohojnë se bëhet fjalë për një projekt në emër të qeverisë, por e cilësojnë si një projekt kryekëput të Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit.

Zëdhënësi i LSDM-së opozitare, Petre Shilegov e hedh poshtë pretendimin e partisë VMRO, se nuk qëndron pas analizës së Marrëveshjes së Ohrit. Sipas tij kryeministri i vendit përmes këtij dokumenti po fsheh federalizmin e Maqedonisë.
“Gruevski u mundua që ta fshehë, se qeveria qëndron pas analizës së Marrëveshjes së Ohrit. Gruevski duhet të dalë dhe publikisht t'ju sqarojë qytetarëve të Maqedonisë se çka janë këto rekomandime”, thotë Shilegov. Nga partia opozitare maqedonase nuk përgjigjen nëse për LSDM-në janë të pranueshme rekomandimet që dolën nga analiza e Marveshjes së Ohrit.

Opozita shqiptare kërkon marrëveshje të re

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, në një takim me Komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johanes Hahn tha se Marrëveshja e Ohrit është shkatërruar. “Ne kemi vlerësuar se Marrëveshja e Ohrit është shkatërruar, jo me dëshirën e shqiptarëve dhe kemi propozim që në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, t'i qasemi mundësisë për marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve”, thekson Thaçi.

Rekomandimet shkaktojnë zhurmë të madhe në opinion

Analisti Jove Kekenovski ka thënë se po vërehen kërkesa kontradiktore nga rekomandimi. Është hipokrizi që nga njëra anë të insistohet në koncept qytetar dhe nga ana tjetër të kërkohet parimi i Badenterit, siç shprehet ai, aty ku nuk e ka vendin. Profesori i së drejtës kushtetuese, Jeton Shasivari thotë se analiza e MO-së, e realizuar nga partia shqiptare në pushtet , do të dështojë. “Qëllimi i këtij dokumenti ishte të ndalet lufta e vitit 2001 në Maqedoni. Në këtë plan ky dokument ka qenë efikas dhe i suksesshëm. Mirëpo, ky dokument nuk arriti të sjellë harmoni ndëretnike si dhe të parandalojë politikat etnocentrike të regjimit politik”, thotë Shasivari.

Profesori universitar Lubomir Fërçkovski vlerëson se me analizën e Marrëveshjes, BDI synon përfitimin e pikëve politike dhe jo adresimin e dështimeve të deritanishme. Megjithëse përmbajtja e analizës nuk është kontestuese, sipas Fërçkovskit , ajo duhej të bëhej vite më parë dhe jo tani në kohë fushate parazgjedhore. “Analizë e tillë mund të bëhej para 10 apo 7 vitesh kur mund të analizoheshin se cilët detaje nga MO nuk ishin të përmbushura, ku mund të zgjerohej përdorimi i gjuhës, përfaqësimi në administratën shtetërore. Kjo përpjekje është për shmangie të përgjegjësisë politike”, shprehet Fërçkovski.

Sipas profesorit Mersel Balalli me rekomandimet mbi analizën e Marrëveshjes së Ohrit, u mohuan pretendimet e deritanishme të partisë shqiptare në pushtet për zbatimin e suksesshëm të shumë pikave të Marrëveshjes. “Bie në ujë i gjithë konstatimi se Marrëveshja e Ohrit është standard, i cili i plotëson nevojat e realiteteve të Maqedonisë. Duhet të kalonin 15 vite që të dëshmojnë se nuk është ashtu, se Marrëveshja e Ohrit nuk po realizohet ashtu siç ishte parashikuar", vlerëson Mersel Bilalli,

Zëvendës kryeministri Xhaferi, ende nuk e ka caktuar përfundimisht kur dhe si do të mbahet konferenca ndërkombëtare për prezantimin e analizës cilësore, edhe pse këtë gjë e paralajmëroi për në dhjetor.