1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Analisti Adebar për kërkesën e Shqipërisë në BE: "Hap i matur"

28 Prill 2009

Shqipëria dorëzoi sot kërkesën për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Kërkesa është dorëzuar nga vetë kryeministri Sali Berisha, por ka dhe zëra mendojnë se ky është një hap i ngutur i Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/Hfkr
Ne foto: Analisti Kornelius Adebar
Analisti Kornelius AdebarFotografi: DGAP

Cornelius Adebahr është specialist për Ballkanin dhe Evropën në Shoqatën Gjermane për Politikë të Jashtme (DGAP) në Berlin. Në pyetjen nëse ky ishte një hap i përshpejtuar i Shqipërisë, Adebahri përgjigjet:

Cornelius Adebahr: Qeveria shqiptare me këtë hap po kalon në ofensivë, sepse ajo nuk po pret më derisa Komisioni të japë dritën e gjelbër. Me këtë hap ajo e mori vetë në dorë situatën. Por procesi do të zgjasë edhe disa kohë derisa të merret vendimi.

DW: A mendoni se ishte një hap i mençur nga ana e qeverisë shqiptare?

Adebahr: Mua më duket hap i matur. Qeveria shqiptare u përpoq të merrte mbështetjen e shumë shteteve anëtare, një pjesë e tyre e kanë thënë hapur se e mirëpresin pozitivisht kandidaturën e saj. Së fundi, janë vendet anëtare ato që do të duhet ta pranojnë kandidaturën e që më vonë do t'ia dorëzojnë Komisionit. E më vonë do të jenë sërish vendet anëtare ato që do të vendosin se a do t'i jepet statusi i kandidatit apo jo. Pra kontakti me vendet anëtare është shumë i rëndësishëm.

DW: Gjermania megjithatë nuk ka qenë ndër vendet inkurajuese. Si duhet kuptuar qëndrimi i saj?

Adebahr: Të mos nxitësh nuk do të thotë të jesh kundër. Gjermania ndodhet në krizë ekonomike dhe në fushatë zgjedhore dhe politikanët e këtushëm aktualisht janë shumë të kujdesshëm. Ata nuk duan të trembin qytetarët me premtime të mëtejshme për anëtarësim. Prandaj edhe ka shumë zëra që thonë se kërkesa të tilla nuk duhen parashtruar tani.

DW: Kur mund t'i jepet Shqipërisë statusi i kandidatit?

Adebahr: Kjo do të kërkojë kohë. Kërkesa tani do t'u kalohet vendeve anëtare, e pastaj sërish do t'i kthehet komisionit. Ky do ta rishqyrtojë. Kjo procedurë mund të duket formale, por ajo mund të kërkojë disa muaj, siç ishte në rastin e Malit të Zi. Më pas do të duhet një vit për shqyrtimin e kërkesës nga Komisioni. Pra, para vitit të ardhshëm nuk do të ketë ndonjë rezultat konkret.

DW: Çfarë do të përfitonte Shqipëria nga statusi kandidat?

Adebahr: Po të pranohet kërkesa, dhe Shqipërisë t'i jepet statusi i kandidatit, atëherë ajo do të bënte një hap cilësor në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, do të hynte në grupin e vendeve që janë më afër BE-së e do të ketë të drejtë të marrë pjesë në programin e Ndihmës për Anëtarësim. Statusi nuk do të ketë vetëm vlerë simbolike, por edhe materiale.

DW: Maqedonia e ka fituar statusin qysh para katër vjetësh dhe ende nuk ka filluar bisedimet për negociata. Sa kohë do t'i duhet Shqipërisë për të pritur fillimin e negociatave? Kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur për një pauzë pesëvjeçare deri në raundin e ardhshëm të zgjerimit, mbas ratifikimit të traktatit të Lisbonës.

Adebahr: Nuk e besoj që do të duhet kaq shumë kohë, sepse edhe negociatat do të zgjasin disa vjet. Nuk do të kalojë aq kohë sa në rastin e Maqedonisë, sepse për këtë nuk ka shkak. Por, siç duket gjendja deri tani, procesi do të jetë i ngadaltë dhe në fillim ndoshta do të zvarritet.

DW: BE-ja kërkon realizimin e standardeve. Ku ndodhet Shqipëria në këtë pikë?

Adebahr: Ende nuk i ka arritur standardet e duhura. Nga këndvështrimi shqiptar kjo pikë duhet të luajë rolin kryesor, sepse Shqipëria nuk mund të ushtrojë ndikim në ratifikimin e Traktatit të Lisbonës. Kjo do të kërkojë shumë vite. Pra, janë të dyja palët që kërkojnë kohë.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Auron Dodi