1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Analistët rreth skandalit të Bankës së Shqipërisë

Skandali për vjedhjen e rreth 713 milion lekëve nga thesari i Bankës shihet nga ekspertët si cënues për imazhin e institucionit. Ata e shohin më shumë zgjidhjen tek dorëheqja e Gurvernatorit se sa te procedimi ligjor.

default

Muaji i vakancës, siç konsiderohet më së shumti gushti, nuk po përjetohet si i tillë nga administrata e Bankës së Shqipërisë në Tiranë, organet e specializuara të investigimit dhe procedimit, si dhe nga aktivistë të shoqërisë civile, në një kohë që klasa politike në përgjithësi është më e përmbajtur. Zbulimi së fundmi se nga arka e thesarit të Bankës së Shqipërisë mungojnë rreth 713 milion lekë ka hequr cipën e një skandali, sa i takon mënyrës se si sigurohen depozitat monetare në njërin prej institucioneve, që në perceptimin e publikut është konsideruar si super i sigurtë. Por dita ditës nga Prokuroria e Republikës, që po heton në shkallë të gjerë vjedhjen, po dalin fakte tronditëse, se vlerat monetare nuk jane ruajtur dhe administruar si duhet dhe nga kjo kanë përfituar punonjës të brendshëm duke vënë dorë mbi depozitat. Në një kohë që në opinion po hamendësohet se shuma është edhe më e madhe se ajo që është artikuluar zyrtarisht dhe se skema e vjedhjes kap nivele të tjera. Por gjithsesi për këto fjalën e fundit do ta thonë prokurorët.

Paralelisht me hetimet, aktivistë të shoqërisë civile, pasi kanë zhvilluar disa protesta me pjesmarrje modeste njerëzish, ditët e fundit po lëvizin në Tiranë dhe rrethe të tjera të vendit në firmosjen e një peticioni drejtuar Parlamentit me kërkesën kryesore për shkarkimin e Guvernatorit. Aktivistët janë duke udhëhequr dhe një fushatë sensiblizimi në rrjetet sociale pro nismës së tyre. Nga ana tjetër ekspertët e pavarur tutje procedimit hetimor dhe debateve, që bëhen për përgjegjësitë, janë duke kalkuluar dëmet nga ky skandal.

Arsye për debat mbi çështjen e stabilitetin e sistemit financiar

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, profesor në Institutin Kanadez të Teknologjisë në Tiranë mendon se një ngjarje e kësaj përmase cënon seriozisht besueshmerine e një prej institucioneve më të rendesishme të vendit, siç është banka qendrore. Çështja nuk është as politike, dhe as e lidhur me operimin dhe besueshmërinë e sistemit bankar, por ekskluzivisht me mënyrën se si menaxhohet vetë ky institucion, thotë për Deutsche Welle-n Xhepa.

“Për këtë arsye edhe pjesa më e madhe e opinionit publik mendoj se është përqëndruar me të drejtë tek drejtuesit më të lartë të këtij institucioni. Vjedhja e thesarit, fatkeqësisht për herë të dytë, dhe mosreagimi i duhur nga drejtuesit e lartë nëpërmjet marrjes së barrës morale të kësaj ndodhie, e bën opinionin publik shumë të ndjeshëm edhe për rastin konkret. Mendoj se një akt dorehëqjeje do të ishte veprimi më i drejtë për t'i rikthyer besimin publikut tek funksionarët e saj të lartë. E përsëris se nuk ka asnjë arsye për të futur në debat çështje, që lidhen me pavarësine e bankës qendrore, me stabilitetin e sistemit financiar, me sistemin bankar, dhe çfarëdo aspekti parimor të sistemit, me çështjen konkrete, që është sa penale, por dhe morale për drejtuesit e këtij institucioni”.

Pavarësisht nga artificat largimi i Guvernatorit është i pashmangshëm

Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike

Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike

Për drejtorin e Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, dr. Zef Preçi, ajo që thirret si skandali i vjedhjes së thesarit të Bankës së Shqipërisë, është shumëdimensional, sepse vjedhja është kryer nga vetë punonjesit e Bankës, numri i madh i të përfshirve në këtë aferë për një periudhë disavjeçare dhe ka dëmtuar rëndë sigurinë kombëtare dhe kredibiliteitin publik të këtij institucioni. Por sipas tij, askush ende nuk mund të japë me siguri përmasat e dëmit dhe shkallën e përfshirjes së niveleve të ndryshme të menaxhmentit të instituticionit në ketë aferë, të cilën ai e pëshkruan si kriminiale. Kemi të bëjmë për mendimin tim me një krim të rëndë në një sektor me besueshmëri të padiskutueshme deri në ditën e zbulimit të skandalit, thotë dr. Zef Preçi për Deutsche Welle-n.

“Të kini parasysh kontekstin që ngjarja ka ndodhur në një vend si Shqipëria, ku humbja e kursimeve monetare në skemat piramidale, ose ‘bankat fantazëm' të vitit 1997 çuan në krizën e rëndë të asaj kohe. Fatmirësisht ky skandal nuk ka prekur stabilitetin makro-ekonomik të vendit dhe veprimtaria e bankave tregtare vazhdon normalisht. Sa i takon manaxhmentit të Bankës së Shqipërisë, të favorizuar ndoshta edhe nga heshtja institucionale e qeverisë, mazhorancës së majtë, por edhe nga besimi i (ri)kthyer nga politika te organet e drejtesisë për hetimin e rastit në fjalë, deri më tani qendrojnë ‘në krye të puneve', ndonëse shqetësimi publik rreth marrjes së përgjegjesive, më saktë, dorëheqjes, apo shkarkimit të Guvernatorit Fullani duket se është në rritje”.

Nisur nga ky arsyetim dr. Zef Preçi parashikon që kjo histori është në dinamikë dhe pavarësisht artificave, që mund të përdoren, largimi i Guvernatorit Fullani është i pashmangshëm.

“Edhe takimi i fundit joformal mes tij dhe ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, pak para se të fillonte mbledhja e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, është për mendimin tim një koincidencë e rastit, që nuk ndihmon në kapërcimin e krizës”.

Procedimi ligjor levizje e vështirë dhe me kosto

Për dr. Zef Preçin pavarësisht ndjeshmërisë publike në rritje, hapat e mëtejshëm institucionalë do t'i referohen vetëm ligjit, që sipas tij është në favor të Guvernatorit, i cili ka status të disafishtë: edhe anëtar i Këshillit Mbikqyrës, edhe kryetari i tij, edhe drejtor ekzukutiv i përgjithshëm i Bankës. Ai gëzon një mbrojtje të fuqishme ligjore, por për fat të keq, në rastin e një krimi të tillë ai ka humbur kredon morale, ndaj dhe largimi nga detyra është çështje kohe përsërit për DW, dr. Zef Preçi.

“Zgjidhja më e përshtatshme për kapërcimin e krizës - edhe pse çdo ditë qe kalon e bën më të komplikuar situatën - mbetet dorëheqja vullnetare e Guvernatorit Fullani, si një akt moral dhe provë e mospërfshirjes së tij në aferën në fjalë. Procedura të tilla, si pezullimi nga Kuvendi, ngritja e një komisioni hetimor parlamentar, apo shkarkimi nga Kuvendi, etj, janë levizje më të vështira, që kanë kosto dhe që rrezikojnë shtimin e tensioneve sociale dhe përdorimin politik të rastit. Ndërkohë, ekonomia e dobët, performanca ende jo në nivelet e pritshme të administratës fiskale, prania e gjerë e korrupsionit, zhytja e administratës në korrupsion, ndikimi i elementëve të krimit te organizuar mbi zhvillimet politike dhe përfshirja e tyre në sektorët më fitimprurës të ekonomisë janë probleme, që lidhen me vetë funksionimin më të mirë të sistemit bankar në vend.”

Për dr. Preçin zgjidhja ligjore, institucionale dhe sa më e shpejtë e skandalit të vjedhjes së parave në Bankën e Shqipërisë i shërben forcimit të stabilitetit ekonomik e shoqëror të vendit.