1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Analistët: Jo-ja ndaj armëve kimike nuk i cënon raportet Shqipëri-SHBA

Sipas analistëve “Jo”- ja për të mos pranuar shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e Shqipërisë ishte një leksion demokracie për qeverinë dhe opozitën dhe ajo nuk i cënon raportet SHBA-Shqipëri.

Studiues të çështjeve ndërkombëtare dhe analistë të pavarur të Tiranës e përshëndesin refuzimin që Shqipëria i bëri të premten ( 15.11.2013) kërkesës së SHBA-së për të kryer në territorin e saj shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Albert Rakipi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Marrdhënieve Ndërkombëtare, me seli në Tiranë thotë për DW: “Mendoj se ka qenë një ide e gabuar e qeverisë, e cila nuk duhet të kishte pranuar ta diskutonte shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e saj. Edhe SHBA-ja nuk duhej t’ia adresonte Shqipërisë një kërkesë të tillë. Pse? Shqipëria është një mikroshtet në marrdhëniet ndërkombëtare dhe sidomos në rastin e një projekti të tillë të Kombeve të Bashkuara, si ky i shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë. Arsyet pse SHBA-ja ia kërkoi këtë, i gjej tek fakti që Shqipëria është një shtet i vogël, i varfër dhe ndoshta presioni nga ana e SHBA-ja ndaj lidershipit të saj për ta pranuar kërkesën mund të ishte më i lehtë. Ndërkohë që ka vende të tjera me kapacitete dhe teknologji të përparuara që refuzuan. Shqipëria është vendi më i papërgatitur i NATO-s për një operacion të tillë, me territor shumë të vogël. Protestat e qytetarëve para ambasadës amerikane në Tiranë janë të dytat në Shqipëri në 100 vjet: në 1946 kur SHBA-ja nuk njohu qeverinë komuniste të Hoxhës dhe tani për këtë ҫështje” thotë Albert Rakipi.

Për analistin e pavarur të Tiranës, Alekdsandër Çipa, fakti pse SHBA-ja ia drejtoi kërkesën edhe Shqipërisë është ende i paqartë.“ Kjo kërkon analiza të thelluara, të mëtejshme” thotë ai për DW.

A i cënon refuzimi raportet SHBA - Shqipërisë?

Refuzimi që Shqipëria i bëri kërkesës së SHBA-sëshënon një thyerje të paprecedentë në qëndrimin e saj besnik ndaj Uashingtontonit. A do të ndikojë refuzimi në marrdhëniet mes dy vendeve? “Mendoj se nuk do t’i cënojë, por këmbëngul që ka qenë e gabuar nga ana e SHBA-së që i kërkoi Shqipërisë të shkatërronte në territorin e saj armët kimike të Sirisë”, thotë Albert Rakipi.

Ndërsa analisti Aleksandër Çipa mendon se ”marrdhëniet mes dy vendeve përbëjnë një investim shumë të rëndesishëm strategjik për Shqipërinë, gjë që shprehet edhe në deklaratën zyrtare të ambasadës amerikane në Tiranë pas refuzimit, deklaratë që i referohej “jetëgjatësisë së marrdhënieve dypalëshe”.

Agim Nesho, president i Këshillit shqiptar për Marrdhënie me Jashtë thotë për DW-në se ”marrdhëniet shqiptaro-amerikane janë strategjike dhe afatgjata, edhe pse SHBA-ja ishte përgatitur për një ”po” nga Shqipëria. Marrdhëniet dypalëshe do të mbeten po aq tëmira”.

Protestat qytetare- leksion demokracie për politikanët

Edi Rama Premierminister Albanien 15.11.2013

Kryeministri Edi Rama duke dhënë deklaratën qeveritare mbi vendimin lidhur me armët kimike

Një pyetje tjetër që ngrihet pas refuzimit të kërkesës amerikane është edhe ajo lidhur me mbështetjen e SHBA-së ndaj Shqipërisë për të përshpejtuar ritmet e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “Këto ritme nuk përshpejtohen nga plotësimi ose jo i kësaj kërkese. Përshpejtimi varet nga transformimi i Shqipërisë, arritja e standardeve të BE-së, pra ato vendosin dhe jo Brukseli apo SHBA-ja”, thotë Albert Rakipi.

Protestat masive të qytetarëve dhe sidomos të rinisë në Tiranë dhe në 12 qytete të tjera të vendit kundër pranimit të kërkesës amerikane krahasohen me Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990 që përmbysi regjimin komunist. Për herë të parë pas asaj lëvizjeje në protestat e këtyre ditëve nuk ishin organizatore partitë politike, por ato ishin spontane, pasojë e vullnetit të qytetarëve. “Qeveria dhe opozita besoj se morën një leksion të madh, leksionin se pushteti i vërtetë në një sistem demokratik qëndron tek qytetarët. Besoj se për herë të dytë në 25 vitet e fundit pamë që vetë qytetarët u rrjeshtuan dhe kundërshtuan një projekt politik të qeverisë”, thekson Albert Rakipi.