1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Anëtarësim në NATO për Gjeorgjinë dhe Ukrainën? - Temë polemike në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s

Rezervat ndaj një pranimi të shpejtë janë shtuar edhe më tej në Evropë pas luftës mes Rusisë dhe Gjeorgjisë në muajin gusht. Tani edhe nga Uashingtoni thuhet se SHBA nuk do të bëjnë më presion për pranimin të shpejtë.

default

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer

Sa shpejt duhet të bëhen Ukraina dhe Gjeorgjia anëtare të Nato-s? Dhe a duhet ato të anëtarësohen? Me këto pyetje merren prej një kohe të gjatë Nato, të dy vendet kandidate dhe Rusia. Në samitin e Nato-s në prill të këtij viti në Bukuresht, presidenti i SHBA-ve Xhorxh Bush mbajti një pleduaje plot pasion për anëtarësimin e këtyre dy vendeve në Nato. Më parë vendet duhet të hynin në të ashtuquajturin Plani i Veprimit për Anëtarësim (shkurt: MAP), që është shkalla e parë drejt anëtarësimit:


"Ne jemi për një plan veprimi për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Nëse dy vendet lëvizin drejt anëtarësimit në Nato, kjo është në interes të të gjithë anëtarëve të Aleancës dhe do të çojë përpara sigurinë dhe lirinë në këtë rajon", u shpreh atëherë presidenti Bush.


Por kjo për shumë qeveri, ndër të cilat atë gjermane dhe franceze, ishte një lëvizje shumë e shpejtë. Në një deklaratë përmbyllëse kancelarja gjermane Angela Merkel mbështeti në fakt objektivin për anëtarësim të të dy vendeve në Nato, por refuzoi të jepte miratimin për pranimin e tyre në MAP:


"Nuk diskutohet se të dy vendet duhet të kenë një perspektivë anëtarësimi në Nato. Gjithashtu është plotësisht e qartë se janë vendet anëtare të Nato-s ato që vendosin se kush do të jenë anëtarët e ardhshëm, dhe jo të tjerët p.sh. Rusia. Por ne kemi bindjen se është ende shumë herët për këtë anëtarësim."


Gjatë konfliktit ushtarak mes Gjeorgjisë dhe Rusisë në muajin gusht, mendimet në gjirin e Nato-s mbi pyetjen nëse në Bukuresht ishte vepruar mirë apo gabim, u diferencuan shumë. Një pjesë thonin se nëse në gusht Gjeorgjia do të kishte qenë anëtare e Nato-s, e gjithë Aleanca do të kishte hyrë në një konflikt të armatosur me Rusinë, me pasoja të paparashikueshme. Të tjetër, p.sh. amerikanët, mendonin se anëtarësimi i Gjeorgjisë do ta kishte penguar luftën. Në muajin tetor sërisht SHBA ushtruan trysni për një pranim të shpejtë të Gjeorgjisë në Aleancën Veriatlantike.


Por papritur zërat nga Uashingtoni flasin një gjuhë krejt tjetër. Ministrja e jashtme e SHBA Kondoliza Rajs pak ditë më parë u shpreh:


"Gjeorgjia dhe Ukraina nuk janë gati për një anëtarësim. Kjo është fare e qartë."


Kjo tingëllon në pamje të parë si deklarata e kancelares gjermane Merkel në Bukuresht. Por fjalët e Rajsit flasin për një ndryshim taktike të amerikanëve dhe aspak heqje dorë nga synimi për anëtarësimin e shpejtë të të dy vendeve:


"Qëndrimi ynë në Bukuresht mbështetej në bindjen se MAP-i është një rrugë për t'i pregatitur vendet për anëtarësimin. Por ka edhe rrugë të tjera për të arritur atje. Polonia dhe Çekia, për shembull nuk kanë marrë asnjëherë pjesë në një plan të tillë veprimi."


Alternativa ndaj MAP-it së cilës i referohet tani Rajs është komisioni Nato-Ukrainë dhe ai Nato-Gjeorgji. Në Berlin dhe gjetkë ekziston dyshimi se SHBA duke mënjanuar MAP-in synojnë madje të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit.


Në këtë rast Rajs do të ndeshte në refuzimin e fortë të shumë qeverive. Me këtë lidhet ngushtë edhe pyetja se si do të veprojë Nato-ja me Rusinë. Këshilli Nato-Rusi pas luftës në Kaukaz është pezulluar. Ndërkohë gjithnjë e më shumë qeveri kërkojnë rifillimin e dialogut politik. Por ka të ngjarë që amerikanët t'i kundërvihen këtij plani veçanërisht nëse ndiejnë kundërshtim ndaj planeve për anëtarësim të Gjeorgjisë në Nato-s. Duket pra se ka mjaft arsye për konfrontime diplomatike në këto javë të fundit të qeverisë Bush.

  • Data 02.12.2008
  • Autor Christoph Hasselbach
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/G7Vi
  • Data 02.12.2008
  • Autor Christoph Hasselbach
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/G7Vi