1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Amnesty ngacmon folenë e grerëzave

Këshilli Ndërkombëtar i Organizatës për të Drejtat e Njeriut, Amnesty International ka vendosur që të angazhohet për një legalizim të prostitucionit. Shumë aktiviste të grave janë të entuziazmuara, të tjera të tmerruara.

Sekretari i Përgjithshëm i Amnesty-së, Salil Shetty e quajti një "ditë historike" për organizatën. Por historike para së gjithash është vala e kritikave, që derdhet tani mbi Amnesty International. Shetty tha se synimi është që të mbrohen të drejtat e prostitutave. Por Amnesty dëshiron që në këtë mënyrë të angazhohet edhe për mosparaqitjen më si kriminelë të tutorëve të prostitutave dhe të pronarëve të bordeleve. Para së gjithash kjo është pika që shkakton kritika.

Organizatës nuk i vlen fare që flet shprehimisht për seks me mirëkuptim midis të rriturish. Edhe përbetimi që vendimi nuk ndryshon asgjë në faktin që për Amnesty puna me detyrim dhe tregtia e njerëzve me synim shfrytëzimin seksual mbeten shkelje të rënda të të drejtave të njeriut nuk i qetëson kritikët.

"Amnesty në anën e tutorëve"

Lea Ackermann, themeluese e Organizatës së ndihmës Solwodi, e cila kujdeset për viktimat e tregtisë së njerëzve, për prostitucionin e detyruar dhe për dhunën në marrëdhënie, i tha gazetës "Osnabrücker Zeitung": "Amnesty merr anën e tutorëve dhe të tregtarëve të njerëzve.". Të tmerruar janë edhe tek revista feministe "Emma". Kjo revistë shpall që tani "fundin e palavdishëm të organizatës" dhe shkruan: Pikërisht një organizatë e themeluar për mbrojtjen e të burgosurve politikë "kërkon të mbrojë nga dënimi pikërisht ata që fitojnë miliarda në tregtinë e grave dhe kalon në anën e dorasve". Organizata kundër Tregtisë së Grave, CATW, ku bëjnë pjesë edhe emra si aktoret e Hollivudit Meryl Streep, Kate Winslet dhe Emma Thompson që para shpalljes së vendimit pati deklaruar se emri i organizatës do të ndotet, nëse organizata vendos ashtu si vendosi.

Lëvdata nga Shoqata e Prostitutave

Por vendimi ka gjetur edhe mbështetje. Johanna Weber, zëdhënësja politike e Shoqatës Profesioniste Shërbime erotike dhe seksuale tha se "na nevojiten më shumë të drejta, kjo është mbrojtja jonë, dhe jo ndalime. Claudia Zimmermann-Schwarz, drejtuese departamenti në Ministrinë e Shëndetit, Emancipimit dhe Përkujdesjes nuk e kupton gjithë zemërimin, pasi në fund të fundit bëhet fjalë për "marrëdhënie seksuale me marrëveshje dhe jo për varësi, shfrytëzim ose tregti njerëzish. Ai që thotë se AI angazhohet për tutorët, ai i jep temës "tipare skandaloze, gjë që nuk përshtatet fare me cështjen.

Dallime të mëdha

Shqetësimi paraqet sigurisht edhe botë të ndryshme morale dhe kulturore dhe legjislacione të ndryshme për prostitucionin. Edhe brenda Evropës këto përfytyrime përplasen. Asambleja Nacionale Franceze vendosi pak kohë më parë që të në ardhmen të ndëshkojë klientët e prostitutave, por jo prostitutat. Pra do të penalizohet blerja e seksit, por jo shitja e tij. Ky i ashtuquajtur model nordik vlen në Islanë, Suedi dhe në Norvegji. Legal dhe i përcaktuar me rregulla prostitucioni është para së gjithash në Gjermani, Austri, Hollandë dhe Zvicër. Prostitucioni i detyruar nga ana tjetër është i ndaluar kudo në Evropë.