1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Amnesty International rreth fluturimeve sekrete të CIA-s

Karl Teofilovic6 Prill 2006

Amnesty International publikoi të dhëna të reja në lidhje me transportimin sekret të të burgosurve prej CIA-s. Raporti i AI-së citon edhe dëshmitë e tre burrave nga Jemeni, të cilët janë marrë prej shërbimit sekret amerikan dhe janë mbajtur në një vend të fshehtë për më tepër se një vit.

https://p.dw.com/p/Aqek
Fotografi: AP

Akuzat e AI kundër shërbimit sekret amerikan CIA janë të rënda. Sipas AI-së, CIA ka organizuar një aksion në shkallë të gjërë duke kidnapuar dhe mbajtur në vende të fshehta, për t'i marrë në pyetje, persona të dyshuar për terrorizëm. Sipas informacioneve të AI-së, për transportimin e këtyre njerëzve CIA ka përdorur avionë që u përkasin firmave private.

Neil Derkin thotë: "Raporti ynë tregon se CIA përdor avionë privatë për të anashkaluar ligjet ndërkombëtare të transportit ajror. Avionët privatë mund të ulen nëpër aeroporte komercialë pa u kontrrolluar."

Sipas AI, në periudhën 2001-2005 ka pasur rreth 1000 fluturime të tilla, të cilat kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me CIA-n. Në rreth 600 raste të tjera, CIA ka luajtur të paktën përkohësisht një rol.

"Condoleezza Rice, thotë se fluturime të tilla shpëtojnë jetë dhe janë të domosdoshme në luftë kundër terrorizimit. Kjo është tërësisht gabim, sepse përmes fluturimeve të tilla kidnapohen njerëz nga qytete të tilla si Roma, për t'u çuar më tej nëpër burgje sekrete në Marok, Siri apo Jordani. Aty ata mbahen pa pasur të drejtë të konsultohen me një avokat, pa lidhje me botën e jashtme dhe në disa raste edhe duke u torturuar."

Sipas të dhënave të AI, personat e dyshuar për terrorizëm nuk janë çuar vetëm në Afganistan, por edhe në Irak dhe në Guantanamo në Kubë. Përveç kësaj ka dyshime se burgje të tillë ka pasur edhe në Turqi, Rumani dhe në Shqipëri.

AI kërkoi që të ndërpritet menjëherë kidnapimi i personave të dyshuar. Për t'ia arritur kësaj duhet ,që qeveritë e të gjitha vendeve t'i konsiderojnë si normale të gjitha fluturimet, duke pasur edhe të drejtën e kontrollit ndaj tyre. Vetëm kështu CIA nuk do të jetë në gjendje që t'i shpëtojë kontrollit të autoriteteve të çdo vendi.

Një zëdhënës i shërbimit sekret amerikan reagoi ndaj këtij raporti me fjalët "No comment".