1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Amerikanët duan ta kalojnë luftën e Irakut në rend të ditës

Lufta në Irak zyrtarisht ka përfunduar, por shumë amerikanë ende kanë dyshime nëse vendimi ishte i drejtë. Mundësia e zhytjes së Irakut përsëri në kaos - ka gjasa të jetë temë në një fushatë elektorale të rëndësishme.

Konvoi me ushtarë amerikanë duke u larguar nga Iraku

Konvoi me ushtarët amerikanë duke u larguar nga Iraku

Me konvoin e fundit ushtarak amerikan, i cili të dielën e kaluar kaloi kufirin nga Iraku për në Kuvajt përfundoi zyrtarisht pas nëntë vjetësh lufta në Irak. Në popullatën amerikane ka një shumicë të qartë njerëzish që mbështesin vendimin e presidentit Barack Obama për tërheqjen e trupave. Në një anketim të organizuar nga NBC dhe Wall Street Journal në muajin Nëntor, 71 për qind e të pyeturve mendonin se ishte një vendim i drejtë dhe vetëm 24 për qind mendonin se ky vendim ishte i gabuar.

Interesant megjithatë është që të shihen zhvillimet e perceptimit publik në lidhje me luftën gjatë nëntë viteve të fundit. Në parim mund të thuhet që amerikanët nuk ishin të bindur nga nevoja e domosdoshme e luftës së dytë në Gjirin Persik, e cila nisi në vitin 2003 nën udhëheqjen e presidentit të atëhershëm George W. Bush. Ndërhyrja do të ishte si marshimi i parë ushtarak nën drejtimin e të atit  të tij në vitin 1991.

Fillimisht miratimi, pastaj refuzimi

Vetëm pak ditë para se të niste lufta, në një anketim të organizuar  nga USA/Today/CCN –Gallup, rezultoi se një shumicë e qartë amerikanësh ishin në përkrahje të një marshimi të trupave amerikane në Irak dhe për rrëzimin e Saddam Huseinit  -  por kjo në mënyrë ideale me mbështetjen përmes një mandati të OKB-së. Pa mbështetjen e Kombeve të Bashkuara ishin vetëm 54 për qind për një sulm ushtarak.

Kur filloi në fakt lufta popullariteti u rrit me shpejtësi sikurse pritej. Por atmosfera në vend  ishte jo e mirë. Tashmë pesë muaj pas pushtimit të Irakut, në një anketim të CBS rezultoi që popullata amerikane ishte e ndarë, si  nga numri i lartë i të vdekurve ashtu dhe nga shpenzimet e tjera të luftës për të pushtuar Irakun.

Menjëherë pas kësaj atmosfera atëherë ndryshoi tërësisht. Një shumicë vazhdimisht në rritje e njerëzve deklaroheshin në të njëjtin anketim për luftën në Irak se kostoja  financiare dhe njerëzore nuk ia vlenin. Në muajin e kaluar 67 për qind e të anketuarve thanë se ata nuk panë në këtë luftë asnjë efekt pozitiv, ndërsa vetëm 24 për qind mendonin se ndërhyrja në Irak kishte qenë e vlefshme.

Ushtar amerikan në Dora të Irakut

Ushtar amerikan në Dora të Irakut

Ekspertët e konfirmojnë këtë gjendje shpirtërore dhe i konsiderojnë amerikanët thjesht të lodhur pas nëntë vjetësh luftë në të cilën u vranë gati 4500 ushtarë të SHBA-së dhe ku u  shpenzuan miliarda dollarë për armatim.

Gëzim dhe lehtësim

„Kjo ndjenjë mbizotëruese është një lehtësim“, i thotë DW presidentja e qendrës Stimson Center në Uashington. „Unë besoj që njerëzit janë thesht shumë të lumtur që shumica e ushtarëve kthehen përsëri nëpër shtëpitë e tyre për festat e Krishtlindjeve“.

Por në të njëjtën kohë ka dyshime të mëdha lidhur me të ardhmen e Irakut. Anketime të ndryshme tregojnë se shumë amerikanë kanë dyshime nëse demokracia në Irak do të zërë vend  pas një kohe dhe frikësohen se vendi përsëri mund të zhytet në kaos.

Donald Brand, Profesor për shkencat politike në kolegjin Holy Cross në Worcester, Massaschusetts,  mendon se do të ishte e vështirë të jepej një përgjigje definitive për shkak të situatës së pasigurtë në Bagdat nëse lufta ia vlejti me të gjitha humbjet në njerëz dhe me shpenzimet në miliarda. „Unë mendoj se në qoftë se Iraku zhvillohet në drejtimin e duhur, mund të thuhet një përgjigje PO. Megjithatë  nëse konfliktet fetare të vendit rriten dhe Iraku bëhet thjesht  një figurë shahu i Iranit, atëherë përgjigja është më shumë JO.

Sfidat e brendshme politike

Në krahasim me pritjet para luftës që si pikë referimi ishte nëse ndërhyrja është parë si sukses, kjo ka kohë që është ulur në mënyrë drastike. Askush në Uashington nuk ka iluzione se Iraku mund të ketë ndonjëherë një demokraci sipas modelit perëndimor. Në vend të kësaj shumë amerikanë do të ishin të kënaqur, në qoftë se vendi do të ketë sukses në ndërtimin e strukturave pak a shumë demokratike dhe që të mos përfshihet në vorbullën e një dhunë politike dhe të motivuar fetare.

Ushtar amerikan i plagosur në bazën ajrore Ramshtajn

Ushtar amerikan i plagosur në bazën ajrore Ramshtajn

"Për fat të keq, sipas Laipson  duke iu refereuar përpjekjeve më të fundit të kryeministrit irakian Nouri al –Maliki për të konsoliduar pushtetin e tij, ka „ shenja shqetësuese se pa një prezencë të fortë të ushtrisë amerikane, shumë në Irak mund të bien përsëri në modelin e rrethanave të dikurshme“.

Por duhet të konfirmohet kjo tendencë dhe të përkeqësohet madje në mënyrë dramatike  situata në vend vitin e ardhshëm, që pastaj dhe vetëm atëherë mundet që lufta e Irakut  të avancojë si një temë e rëndësishme në një fushatë elektorale.

Autor: Michael Knigge/Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Lindita Arapi