1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Amerikanët duan një parti të tretë

Këtë javë kthehen senatorët nga pushimet - por duket se shumë amerikanë nuk duan fare t'i shohin me sy të përzgjedhurit e tyre. Në sondazhet e fundit thuhet se gati 90 % e amerikanëve kërkojnë një alternativë tjetër.

Zgjedhjet në SHBA.

Kush duhet të jetë shef këtu?

Pavarësisht se ku udhëton dhe ku gjendesh këto ditë në SHBA, gjithandej dëgjon të njëjtën ankesë: „Ata në Uashington nuk dinë asgjë. Të gjithë politikanët që shkojnë atje, bëhet të korruptuar“, pohon Jim Lavelle nga Ajova. Ndërsa farmeri 72 vjeçar Jim Meade mendon: „Ata më shumë kohë kalojnë duke u grindur me njëri-tjetrin, se sa angazhohen për zgjidhjen e problemeve ekonomike të popullit amerikan.“

Zgjidhja më e mirë - partia e tretë

Për shumë votues një zgjidhje e mirë do të ishte paraqitja e një partie të tretë politike, krahas republikanëve dhe demokratëve. Kështu mendon edhe Bailey Hurley nga Minesota: „Një parti e tretë do të ishte zgjidhje e mirë - sepse aktualisht në Uashington po punohet vetëm në varësi të përkatësisë partiake.“

Barack Obama

Barack Obama, jo!

Gjithnjë e më shumë amerikanë thonë se nuk është e mundur që në një dyqan, për shembull, të kesh mundësinë e përzgjedhjes mes dhjetëra prodhimeve të ndryshme të bukës, ndërsa në politikë mund të zgjedhësh vetëm Partinë Republikane apo Partinë Demokratike.

Grupet alternative

Ndërkohë janë krijuar grupe të ndryshme, të cilat po përpiqen të realizojnë këtë dëshirë të shumë amerikanëve. Ata e quajnë veten „America‘s Third Party“, „Americans Elect“ apo „Votocracy“. Disa prej tyre me të vërtetë duan të krijojnë një parti të tretë të fuqishme, të tjerët nuk duan parti, por mendojnë se duhet gjetur alternativë tjetër për zgjedhjet presidenciale - jashtë dy partive të mëdha.

Vëzhguesit konstatojnë se shumë prej këtyre grupeve kanë burime të mira financimi - nga persona të pasur, të cilët janë të ngopur me sistemin dypartiak politik. Sipërmarrësi Peter Ackermann është një prej atyre që financon grupin “Americans Elect”, një grup i cili aktualisht  përmendet më së shumti në opinion. „Ne po kërkojmë një kandidat jashtë interesave partiake“, thotë Ackerman.

Kërkesa e kandidatëve 

John McCain.

John McCain, jo se jo!

Kandidatët po kërkohen edhe përmes internetit, ku të gjithë qytetarët mund të bëhen anëtarë, të diskutojnë, të japin propozime dhe të nominojnë kandidatë për zgjedhjet presidenciale. Në qershor të vitit 2012 ky rrjet do të bëjë publik emrin e një kandidati të qendrës politike për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Kandidati mund të jetë një person jashtë partive politike, apo edhe ndonjë demokrat apo republikan. Kandidati duhet të dëshmojë menjëherë se është i gatshëm të punojë jashtë kufijëve partiakë dhe duhet të kërkojë një zëvendës nga një parti tjetër, apo jashtë partive politike.

“Ne mendojmë shumë seriozisht dhe kandidati ynë do të jetë në fletvotime në të gjitha 50 shtetet anëtare të SHBA-së", pohon Ackerman.

Janë këto plane ambicioze, sepse kandidatët e pavarur nuk e kanë fare të lehtë në SHBA, ku demokratët dhe republikanët kanë krijuar një sistem të veçantë zgjedhor. Por “Americans Elect” tani ka pushtuar edhe Kaliforninë, shtetin me rregullat më rigoroze zgjedhore. “Americans Elect” ka mbledhur deri tani 1,6 milionë nënshkrime me të cilat kërkohet që në fletvotime të jetë edhe kandidati i tyre.

„Nëse ia dalim në Kaliforni, atëherë do të kemi sukses edhe kudo tjetër", thotë Ackerman.

E kaluara e hidhur

Por e kaluara dëshmon se një kandidat i pavarur e ka shumë të vështirë. I fundit që ka fituar mbështetje serioze në zgjedhje është Ross Perot, i cili në vitin 1992 ka fituar 19 % të votave. Nëse „Americans Elect“ me të vërtetë do të ketë sukses, kjo varet prej seriozitetit të kandidatit të saj. 

David Petraeus.

David Petraeus, nuk do!


„Unë nuk jam politikan dhe nuk dua të flas për këtë punë", pohon David Petraeus, të cilin me siguri që shumëkush me dëshirë do ta shihte në garën presidenciale. Gjenerali me katër yje ka mbështetje të madhe, por ai para pak kohësh ka marrë drejtimin e shërbimit sekret CIA dhe zyrtarisht ka bërë të ditur se kurrë nuk do të futet në politikë.

Një problem tjetër për „Americans Elect“ është nëse ky grup do të vazhdojë të ketë mbështetjen e tanishme. Shumë prej atyre që kanë qenë të entuziazmuar në fillim, ndërkohë janë dëshpëruar dhe kritikojnë „Americans Elect“ për mungesë transparence në financim. Shumëkujt nuk i pëlqen as fakti që udhëheqësia e grupit e ka rezervuar për vete të drejtën e vetos në përzgjedhjen e kandidatit presidencial.

Autor: Sabine Müller/Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani