1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Amerika e Jugut është ngopur me socializmin

Për politikanët e majtë vitet 2000 në Amerikën e Jugut ishin një kohë lulëzimi. Por me rënien e çmimeve të lëndëve të para kudo në botë, morën fund edhe premtimet, me të cilat ata i patën fituar zgjedhjet.

Jo vetëm në Brazil duket se ka marrë fund magjia e gënjeshtërt e socializmit, e cila kishte përfshirë në vitet 2000 pjesë të gjera të Amerikës Latine: Lula da Silva në Brazil, Evo Morales në Bolivi, Nestor dhe Cristina Kirchner në Argjentinë - kudo në kontinent parti të majta fituan shumica në parlament dhe fituan zgjedhje presidenciale. E përbashkët për ta që në fillim ishte: premtimi i shenjtë për një politikë më të drejtë përmes rishpërndarjes, imazhi i armikut me tri elementë: kapitalizëm-SHBA-oligarki, një masë e madhe nacionalizmi si dhe kulti i personit.

Fillimi

Shembulli më ekstrem është në çdo pikëpamje "revolucioni bolivarian" kundër "imperializmit të veriut" në "tokën e shenjtëruar" të Venezuelës. Hugo Chavez ishte në vitin 1998 i pari në radhën e këtyre kryetarëve të shteteve, të cilët ai vetë i shihte si lëvizje. Ai e quajti atë "socializëm të shekullit të 21-të" dhe me karizmën e tij ai u kthye në ikonë.

Chavezi i sulmoi SHBA me parulla jodiplomatike, e zemëroi Perëndimin me aleanca me Iranin dhe me Kubën. Ai shpronësoi sipërmarrjet vendase dhe të huaja, subvencionoi konsumin dhe ngriti banesa sociale. Shkurt: ai bëri pa pyetur gjithçka që u pëlqente zgjedhësve të tij. Në Venezuelë kjo i solli mjaft mbështetës sa të fitonte tri zgjedhje dhe të mbijetonte një përpjekje për puç.

Kulti i Chavezit ende i gjallë në Venezuelë

Kulti i Chavezit ende i gjallë në Venezuelë

Socialistët dhe socialdemokratët qeverisnin gjithnjë e më shumë vende - para së gjithash në Amerikën e Jugut. Dhe me të vërtetë pasuan vite të rritjes ekonomike, prej të cilave përfituan edhe të varfërit.

Në vitin 2012, politologu nga SHBA, Kenneth M.Roberts konstatoi në një studim se ndarja e pabarabartë e të ardhurave në të gjitha vendet e Amerikës së Jugut u pakësua në vitet 2000-2012. Kjo vlen edhe për vende të drejtuara nga konservatorët, por në vendet e drejtuara nga të majtët shifrat janë më të qarta. Roberts arrin në përfundimin se presioni politik nga parti të majta i detyroi edhe qeveri konservatore që t'i marrin më fort parasysh nevojat e grupeve me të ardhura më të pakta.

Më konkretisht, si në Venezuelë, kjo do të thoshte se pati një rishpërndarje masive të të ardhurave përmes programeve sociale, paga minimale të larta të detyruara me ligj dhe subvencionim të mallrave të konsumit. Suksesi me kalimin e viteve ishte kaq i madh, sa madje edhe disa ekonomistë liberalë lëvduan se rritja e fuqisë blerëse e zgjeron bazën e konsumatorëve, në të mirë të të gjithë ekonomisë.

2014: Vetëm Juan Manuel Santos i Kolumbisë dhe Horacio Cartes i Paraguajit nuk qenë të majtë nga Amerika e Jugut

2014: Vetëm Juan Manuel Santos i Kolumbisë dhe Horacio Cartes i Paraguajit nuk qenë të majtë nga Amerika e Jugut

Rrënimi ekonomik

Kur vdiq Hugo Chavezi në 5 mars 2013, me përjashtim të Kolumbisë dhe Paraguajit të dymbëdhjetë shtetet e Amerikës së Jugut drejtoheshin nga parti socialiste ose socialdemokrate. Mandati presidencial në Venezuelë shkoi pas debatesh të pasardhësi i caktuar nga Chavezi, Nicolas Maduro, i cili që atëherë e drejton vendin siç do ta donte Chavezi, por pa aftësinë e mentorit të tij politik. Tri vjet e gjysmë më vonë, pas 18 vjetësh socializëm, Venezuela është e rrënuar ekonomikisht. Kequshqimi i fëmijëve ka arritur nivelin më të lartë që prej viteve '80. Klima politike karakterizohet nga kërcënimet, spiunimet dhe dhuna ndaj atyre që mendojnë ndryshe.

Edhe në vendet e tjera është acaruar klima, sepse kërkohen fajtorë për faktin që po bie fuqia blerëse. Në vitet e bumit shumë harruan se paratë me të cilat stimuloheshin zgjedhësit brazilianë, argjentinas dhe venezuelianë vinin në pjesën më të madhe nga eksporti i sojas, naftën, hekurit dhe lëndëve të tjera të para. Konsumin e tyre latinot e plotësonin kryesisht me mallra importi: me artikuj firmato nga SHBA dhe mallra të lira nga Kina.

Por prodhimi në këto vende avanconte vetëm në mënyrë sporadike. Prandaj me rënien e çmimit të lëndëve të para ra shteroi edhe burimi i parave të shtetit. Që atëherë partitë e majta mezi i kanë arritur shumicat te zgjedhësit. Në Kili socialdemokratja Michele Bachelet ndodhet nën presion, populistët Evo Morales në Bolivi dhe Rafael Correa në Ecuador me siguri duhet të heqin dorë nga plani i tyre për të qeverisur edhe pas zgjedhjeve të ardhshme. Vetëm socialisti i moderuar i Uruguajit Tabare Vazquez ka pozita të sigurta, por në zgjedhjet e fundit edhe ai mori një paralajmërim.

Natyrisht që kryeministrat përpiqen ta largojnë fajin nga vetja për krizën, siç bëri Rafael Correa i cili foli pak kohë më parë për një "furtunë perfekte" ngjarjesh të jashtme. Por po kaq rëndë sa kriza ekonomike, peshon edhe zhgënjimi që gjoja avokatët e të varfërve nuk janë më pak të korruptuar se elitat e vjetra.