1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ambasadorja gjermane Viets thirrje qytetarëve: ”Kërkesat e kosovarëve për azil refuzohen.”

Prania ndërkombëtare në Kosovë u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që mos të migrojnë për në vendet e BE-së, sepse kërkesat e tyre për azil refuzohen.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, dhe ministri i punëve të brendshme të Kosovës, Skender Hyseni, u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, që mos të marrin rrugën e migrimit ilegal për në vendet e Bashkimit Evropian, sepse kërkesat për azil në 99 % të rasteve refuzohen. Këto komente ambasadorja gjermane Viets dhe ministri Hyseni i bënë në një konferencë për media në kohën, kur është rritur fluksi i qytetarëve të Kosovës, që po tentojnë të migrojnë në vendet e Bashkimit Evropan nëpërmjet Serbisë dhe Hungarisë.

Ambasadorja gjermane Angelika Viets thotë se qytetarët e Kosovës, megjithë kushtet e rënda ekonomike, nuk kanë të drejtë të kërkojnë azil.

“Kosovarët, të cilët vijnë në Gjermani, kanë shumë pak shpresa për të fituar në mënyrë të suksesshme një vendim për të drejtën e azilit. Në përgjithësi 100 % të kërkesave të kosovarë për azil refuzohen. Gjermania, sikurse edhe vendet e tjera të BE-së, së bashku me qeveritë e tyre do të punojmë së bashku me qeverinë e Kosovës në mbështetjen për hapjen e vendeve të reja të punës, për një perspektivë për kosovarët, që të mos e lëshojnë vendin tyre”, tha ambasadorja Viets.

Sipas ambasadores gjermane në Kosovë, gjatë këtij viti vetëm në Gjermani janë parashtruar 5 mijë kërkesa për azil nga kosovarët dhe kjo shënon një rritje e numrit të azilkërkuesve, që do ta dëmtojë edhe dialogun në procesin e liberalizimit të vizave.

Në të njetën linjë u shpreh edhe ministri i punëve të brendshme, Skender Hyseni, i cili porositi qytetarët që të “mos të mos bien pre e tregtarëve me njerëz, e matrapazëve, e kriminelëve, që po përfundojnë mbi fatkeqësinë e qytetarëve të ndershëm”.

“Qytetarët e Kosovës po paguajnë para të majme për ta futur vetën në telashe. Unë u bëj thirrje të mos e bëjnë këtë, sepse në 99/9% të rasteve asnjërit nga ata nuk do t'i garantohet azil në vendet, ku po mbërrijnë, të gjithë do të kthehen më të varfër se sa që kanë shkuar”, tha ministri Hyseni.

Edhe përfaqësuesit e zyrës së BE-së në Kosovë dhe pothuaj të gjithë përfaqësuesit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me numrin në rritje të personave kosovarë, që po ikin nga Kosova dhe po hyjnë ilegalisht në vendet e BE-së.

Thomas Gnocchi, Ushtrues Detyre i Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, thotë në një deklaratë për media se:

"Sistemi i azilit në BE ekziston për qytetarët, që i ikin përndjekjes, ose rrezikut të madh në vendin e tyre dhe të cilët kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Në rastin e Kosovës ka shumë pak gjasa, që aplikimet për azil të pranohen. Çdo vendim për dhënien, ose jo të azilit është individual, mirëpo duhet përmendur se shumica e aplikimeve për azil nga Kosova refuzohen dhe qytetarët kthehen në atdhe. Kosovarët, përfshirë këtu romët, ashkalitë dhe egjiptasit, rrezikojnë që të bëjnë shpenzime të konsiderueshme vetëm për t'u kthyer sërish në Kosovë, por mbesin edhe më të varfër pas kthimit”, tha Thomas Gnocchi.

Ndalimi i migrimit ilegal të kosovarëve është një nga kriteret në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas përfaqësuesve të BE-së në Kosovë numri në rritje i kerkesave për azil nuk është në interes të Kosovës dhe do ta dëmtojë këtë proces.

"BE-ja me shqetësim vë re përfshirjen e grupeve trafikante të organizuara dhe kriminale, të cilat shfrytëzojnë rastin të përfitojnë nga dëshpërimi dhe nga gatishmëria e disa kosovarëve për të ndërmarrë hapa të konsiderueshëm për të arritur deri në BE. Për këtë u bëjmë thirrje autoriteteve kosovare, që të angazhohen fuqimisht e të merren me këto grupe kriminale. Kosova duhet të angazhohet ngushtë me vendet fqinje në shkëmbimin e informatave për aktivitetet e trafikimit me persona”, thuhet në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve në Kosovë të vendeve më të industrializuara. Ata i bëjnë thirrje qeverisë se re të Kosovës që të ndërmarrë masa kundër faktorëve shtytës për migrim, duke rikujtuar se njerëzit kanë nevojë për punë, që të kenë të ardhme, sidomos personat, që ndihen të margjinalizuar dhe të diskriminuar, më saktësisht grupet minoritare.