1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ambasadorja gjermane: BE i gatshëm të asistojë, por zgjidhja duhet gjetur brenda kuadrit ligjor shqiptar

Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Welle-n, ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri Carola Müller-Holtkemper, thotë se BE-ja është i gatshëm të asistojë, nëse pala shqiptare kërkon asistencë dhe konsulencë.

Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper.

Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper.

DW: Zonja Ambasadore, që nga mbrëmja e 8 majit kur janë mbyllur kutitë për zgjedhjet lokale, ende procesi për rezultatin final në bashkinë e Tiranës është duke u shqyrtuar në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Si do ta përshkruani këtë situatë paszgjedhore në bashkinë kryesore të vendit?

Carola Müller-Holtkemper: Më shumë se tre javë kur janë mbyllur kutitë e votimit procesi për shpalljen e fituesit në bashkinë e Tiranës nuk është mbyllur. Situata mbetet ende e paqartë. Unë mendoj se ka ardhur koha që Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit, të marrë një vendim të vetin dhe shpresoj shumë, që ky vendim të merret brenda kuadrit ligjor ekzistues në Shqipëri. Të merret në mënyrë sa më transparente dhe i pandikuar politikisht. E themi si komunitet ndërkombëtar, si Bashkim Europian se ofrojmë ndihmën tonë, konsulencën dhe asistencën tonë ligjore në qoftë se do të jetë e nevojshme. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë në rast se do të na kërkohet në marrjen e këtij vendimi të rëndësishëm. Por më lejoni të them që ky është një proces shqiptar dhe partitë politike duhet të bien dakord dhe të gjejnë konsensusin me njëra tjetrën.

DW: Kur ju thoni se jeni të gatshëm për asistencë dhe konsulencë për këtë proces çfarë keni parasysh konkretisht?

Carola Müller-Holtkemper: Do të përmendja p.sh. këtu asistencën që mund të jepej nga Komisioni i Venecias, që mendoj se në këtë fushë mund të ishte një institucion që disponon përvojën dhe kompetencën e nevojshme. Këtë të hënë mua më është drejtuar pyetja nga gazetarët nëse unë kisha përjetuar ndonjë situatë të tillë të ngjashme diku tjetër. Përgjigjen unë ja projektova procesit aktual që po ndodh në Shqipëri. Unë u jam përgjigjur gazetarëve, se megjithëse nuk kam një panoramë të plotë se çfarë ndodh në rreth 200 vende të botës, sipas përvojës sime, një proces të tillë - dhe këtu i referohem mungesës së komunikimit mes aktorëve të mëdhenj të politikës shqiptare – një proces të tillë pra, nuk e kam përjetuar ndonjëherë.

DW: Aktualisht në pritje të shqyrtimit të ankesave nga subjektet konkuruese në Kolegj dhe KQZ ka ende qëndrime të kundërta dhe fajësim të ndërsjelltë mes përfaqësuesve të politikës, për atë që konsiderohet si ushtrim presioni ndaj këtyre institucioneve. Sipas mendimit tuaj zonja Müller-Holtkemper, cili do të ishte qëndrimi që duhet të mbante politika në këtë periudhë të shqyrtimit të ankesave?

Carola Müller-Holtkemper: Sikurse e përmenda dhe më parë, ky është një proces tërësish shqiptar. Fjalën e ka Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit për vendimin përfundimtar. Krahas kësaj do të ishte normale që partitë politike shqiptare, në vend që të fajësojnë dhe akuzojnë njëra-tjetrën të arrijnë të gjejnë rrugën e bashkëpunimit për të mirën e interesit kombëtar.

Intervistoi: Arben Muka

Redaktoi: E.Xhani