1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Altmann: Serbia duhet të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës nëse synon integrimin në BE

Në intervistë me Deutsche Wellen Franz Lothar Altmann, ekspert gjerman për Evropën Juglindore, thotë se Serbia ka nevojë për një zgjidhje që i lejon të ruajë fytyrën. Bisedimet teknike me Kosovën janë të domosdoshme.

Dr. Franz-Lothar Altmann.

Dr. Franz-Lothar Altmann.

DW: 120 vende, ndër të cilat Rusia, Kina dhe Spanja nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës . A do të ndryshojnë qëndrim këto vende pas shqiptimit të gjykimit nga GJND-ja?

Altmann: Kjo është pritja, pra që Kosova të njihet edhe nga ato vende të cilat deri tani kanë deklaruar se do të prisnin me vendimin e tyre për njohjen e Kosovës, deri në shpalljen e gjykimit nga GJND.

DW: Gjykimi i shqiptuar nga GJND-ja nuk ka vlerë detyruese si në të drejtën civile. Dhe menjëherë ministri i Jashtëm i Serbisë deklaroi se vendi i tij kurrë nuk do ta njohë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Nga ana tjetër Serbia synon në periudhë afatgjatë integrimin në BE. A mund të ngulë këmbë Beogradi në këtë qëndrimin të tijin ndaj Kosovës?

Altmann: Jo, nuk është e mundur. Komisioni i BE-së ka thënë qartë se Serbia nuk mund të pranohet në BE sa kohë nuk ka zgjidhur qëndrimin ndaj statusit të Kosovës. Pasi nëse Serbia do të ishte anëtare e BE-së dhe do të vazhdonte të mbante këtë qëndrim ndaj Kosovës, ajo do të bllokonte gjithçka që BE-ja do të kishte në plan të bënte me Kosovën.

DW: Çfarë duhet të ndodhë sipas jush në mënyrë që Serbia ta njohë Kosovën?

Altmann: Do të duhej të gjendej një zgjidhje, e cila bën të mundur për Serbinë të ruajë fytyrën. Një lloj paketimi i statusit të pavarësisë në formën e një marrëveshjeje bazë, apo konfederate me lidhje shumë të dobëta mes shteteve. Në mënyrë që në aspektin e politikës së brendshme politikanët serbë të kenë mundësi të thonë: ne bëmë ç'ishte e mundur, nuk e kemi humbur plotësisht Kosovën, u përpoqëm të gjenim një kompromis dhe me këtë kompromis tani mund të pajtohemi. Vështirësia qëndron pikërisht në gjetjen e një forme të tillë kompromisi.

DW: Qeveria e Kosovës tani nuk do të pranojë të detyrohet të hyjë në negociata me Serbinë për statusin. Por a nuk ka mjaft çështje për të cilat duhet biseduar, si p.sh. situata në qytetin e ndarë të Mitrovicës?

Altmann: Po është e vëtetë, qeveria e Kosovës nuk do të pranojë të negociojë për statusin. Në Prishtinë do të festohet fitorja. Por nga ana tjetër ka probleme të pazgjidhura siç është qyteti i ndarë i Mitrovicës, apo veriu i cili është i banuar nga serbë. Dhe pikërisht për këtë duhen zhvilluar bisedime teknike për të çtensionuar situatën për popullsinë, dhe që nga serbët e Kosovës t' i dërgohen Beogradit sinjalet përkatëse për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare që të mund të pranohet edhe nga Beogradi zyrtar.

DW: A besoni ju zoti Altmann se mund të jetë i mundur një shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, pra territoret në jug të Serbisë me shumicë shqiptare me veriun e Kosovës të populluar nga shumicë serbe?

Altmann: Kjo pyetje shtrohet shpesh. Por edhe nga pala serbe është theksuar vazhdimisht se Presheva është lidhja mes Serbisë Qendrore dhe Jugore dhe më tutje me Maqedoninë në drejtim të Greqisë. Do të ketë me siguri bisedime por nuk besoj se këmbimi i territoreve do të shtrohet si opcion në bisedime. Besoj se fillimisht do të kemi një periudhë të akullt në bisedime. Qeveria në Beograd kërkonte në të vërtetë një mbledhje të asamblesë së Pergjithshme të Kombeve të Bashkuara ku do të kërkonte një rezolutë. Kjo tani do të jetë e vështirë të bëhet. Nuk besoj se do të ndodhë. Besoj se tani kabineti në Beograd do të përfshihet në bisedime të ethshme për hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë.

Intervistoi: Katrin Jäger

Redaktoi: Eliana Xhani / Esat Ahmeti

  • Data 22.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ORuS
  • Data 22.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ORuS