1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Altmann: "Maqedonia është në kufirin e saj të ngarkesës"

BE-ja duhet ta ndihmojë Maqedoninë që po përballet me refugjatët, mendon eksperti gjerman Franz-Lothar Altmann.

Çdo ditë kalojnë kufirin nga Greqia në Maqedoni rreth 2.000 refugjatë. Ata duan të vazhdojnë drejt veriut të Evropës. Tani Maqedonia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe po mbyll pjesërisht kufijtë. A është ky veprim aktualisht mjeti i fundit që i mbetet qeverisë për t'u përballur me refugjatët?

Franz-Lothar Altmann: Për "mjet të fundit" nuk mund të flitet, sepse ky është një mjet që me siguri nuk do të sjellë asnjë zgjidhje. Mbyllja e kufijve në rajonin mes Greqisë dhe Maqedonisë, që mund të quhet si territori i askujt, mund të shkaktojë mjaft bllokim. Por kjo do të thotë kryesisht që trafikantët do ta shfrytëzojnë situatën dhe do të gjejnë mënyra ilegale për të trafikuar refugjatët. Megjithatë nuk pritet të ketë një mbyllje të plotë të kufijve. Këtë e ka thënë edhe vetë Maqedonia. Maqedonia do të lejojë kalimin e ligjshëm, por ky kalim duhet të jetë i kontrolluar mirë.

Për këtë arsye u shpall tani gjendja e jashtëzakonshme. Çfarë do të thotë kjo saktësisht?

Kjo do të thotë se tani mund të dërgohen në kufi edhe ushtarë. Gjendja e jashtëzakonshme vlen vetëm për rajonin kufitar. Atje ushtria duhet të ndihmojë policinë me regjistrimin e refugjatëve. Policia nuk e përballon dot regjistrimin e numrit të madh të refugjatëve. Kjo nga ana tjetër është e rëndësishme për Maqedoninë. Njerëzit pajisen me një lloj leje kalimi që ju jep të drejtën për të udhëtuar brenda 72 orëve nëpër Maqedoni në drejtim të Serbisë. Pas tri ditësh, ata duhet të janë larguar nga vendi. Në qoftë se refugjatët nuk janë të regjistruar, qeveria e Shkupit ka frikë se njerëzit do të qëndrojnë në Maqedon, e cila do të tronditej, sepse gjithsesi gjendet edhe vetë në një situatë të vështirë.

Si e vlerësoni situatën në Maqedoni? Është vendi vërtet në kufijtë e të përballushmes, siç thonë shumë organizata ndihmash dhe politikanët lokalë?

Franz-Lothar Altmann

Franz-Lothar Altmann

Po, Maqedonia është definitivisht në kufirin e saj të ngarkesës. Vendi ka mjaft kohë që gjendet në një krizë shumë të rëndë ekonomike, ka një shkallë shumë të lartë papunësie. Kjo është arsyeja pse Maqedonia përpiqet që refugjatët të kalojnë sa më shpejt të jetë e mundur tranzit nëpër këtë vend dhe të mos bëhen një barrë e përhershme. Nëse tani mbërrijnë çdo ditë 2.000 refugjatë, mund të imagjinohet se si një vend i varfër me vetëm dy milionë banorë thjesht nuk mund ta përballojë këtë. Furnizimi nuk funksionon, refugjatët flenë diku nëpër fusha, nuk ka asnjë qendër pritjeje, ku ata të furnizohen. Vërtet ka disa nisma private që përpiqen t'u ndihmojnë refugjatëve me ujë dhe me ushqime. Por vetë qeveria duket të jetë krejtësisht e mbingarkuar.

Refugjatët që vijnë në Serbi, vijnë nga Greqia dhe duan të vazhdojnë rrugën përmes Hungarisë, për të shkruar në ve të tjera të BE-së. Qeveria serbe i ka kërkuar tashmë BE-së ndihma duke theksuar se BE-ka e ka për detyrë të ndihmojë. Si e shihni ju rolin e BE-së?

BE-ja duhet të ndihmojë, e të paktën të ngrejë kampe me çadra për furnizimin e refugjatëve. Shumë syresh flenë pjesërisht në fushë të hapur. Ata kani nevojë për përkujdesje mjekësore. Pra ne duhet t'u ndihmojmë atyre. Por nga ana tjetër është e nevojshme, të paktën në një periudhë afatmesme, edhe ajo që ka propozuar ndër të tjera pala gjermane. Pra që refugjatët të regjistrohen në vendet ku hyjnë në BE, në Greqi ose në Itali, dhe nga aty të shpërndarë nëpër vendet e veçanta të BE-së. Problemi është se shumica e vendeve anëtare të BE refuzoisë të pranojë këto kuota të përcaktuara nga BE-ja. Por tani BE-ja duhet t'u vijë një herë për ndihmë vendeve si Greqia dhe Maqedonia - dhe ndoshta së shpejti edhe Serbinë.

Franz-Lothar Altmann është profesor në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Ndërkulturore në Universitetin e Bukureshtit dhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Evropës Juglindore, Mynih. Ai është gjithashtu anëtar bordi i Indeksit të Transformimit të fondacionit Bertelsmann - BTI.