1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Altmann: Ajo që ndodhi - leksion për politikën shqiptare

22 Janar 2011

Eksperti i njohur për Ballkanin Prof. Franz-Lothar Altmann shprehet mbi ngjarjet e djeshme në Shqipëri. Politika shqiptare duhet të largohet nga retorika aktuale, apelon ai.

https://p.dw.com/p/100sP

Deutsche Welle: Prof. Altmann, demonstrata e djeshme në Tiranë përfundoi tragjikisht, të paktën katër viktima. A mund të çojë ky bilanc tragjik në një destabilizim të vendit?

Prof. Franz-Lothar Altmann: Mendoj se vetë Shqipëria është e shokuar për mënyrën se si shkoi demonstrata dhe tani të shpresojmë që nga përfundimi tragjik i djeshëm i demonstratës të nxirren mësime dhe të frenohet disi retorika aktuale. Në këtë kuptim shpresoj që ne si vëzhgues dhe të shqetësuar në perëndim të mos shohim që situata të përkeqësohet më tej.

Deutsche Welle: Në të vërtetë gjuha politike në Shqipëri është tejet e ngarkuar, madje agresive. Sa përgjegjësi mban politika shqiptare për një eskalim të tillë të situatës?

Prof. Franz-Lothar Altmann: Mendoj se vërtet politikës tanimë i kërkohet të kthejë timonin. Dhe me këtë nënkuptohen politikanët që e përdorin një gjuhë të tillë. Prej vitesh kërkohet prej këtyre politikanëve që të përmbahen në retorikën e tyre. Unë mendoj tanimë se edhe nga ana e Bashkimit Evropian duhet thënë qartë: Shqipëria dhe ju politikanët shqiptarë doni që ta vazhdoni rrugën drejt Bashkimit Evropian. Por në BE një lloj retorike e tillë ka lënë një përshtypje shumë negative. Dhe ju duhet të shikoni edhe më larg, dhe të kuptoni se çfarë do të thotë kjo për imazhin e Shqipërisë.

Deutsche Welle: Kur e dëgjon një gjuhë të tillë politike, sidomos në kohët e fundit mund të pyesësh se mos kanë nevojë disa politikanë për leksione në kulturën e komunikimit politik?

Prof. Franz-Lothar Altmann: Në të vërtetë leksioni ishte ajo që ndodhi dje në Tiranë, domethënë se ku të çon një gjë e tillë. Demonstratat dhe protestat sigurisht do të bëhen, kjo është pjesë e demokracisë, por deri në ç'pikë mund të shkosh, këtë nuk mund t'ia mësojmë ne nga perëndimi Shqipërisë, ky është një proces i gjatë që duhet të bëhet aty. Por sigurisht tani do të vijnë edhe paralajmërimet nga Bashkimi Evropian. Pra siç e thashë; Doni ju të bëheni pjesë e BE-së? Pra tregoni kujdes se çfarë përshtypje po lini.

Deutsche Welle: Demonstrata erdhi pas plasjes së skandaleve të fundit për korrupsion, me konsekuencën e largimit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Energjitikës, Ilir Meta. Opozita që ka kohë që akuzon për korrupsion qeverinë Berisha kërkoi largimin e Berishës dhe qeverisë së tij. A duhet t'i përgjigjet Berisha kërkesës së opozitës?

Prof. Franz-Lothar Altmann: Jo, nuk do ta quaja kështu. Kur një person vepron gabim, gjë që ende nuk është provuar përfundimisht, atëherë ky person duhet të marrë përgjegjësitë, edhe kështu ka ndodhur. Sigurisht dihet që opozita menjëherë e shtrin këtë tek e gjithë qeveria, dhe thotë shikoni se çfarë qeverie që kemi, por do të thoja që pasoja nuk duhet të jetë dorëheqja e të gjithë qeverisë. Natyrisht e gjitha kjo lidhet me protestat e vazhdueshme që janë kontestuar nga opozita, dhe me qëndrimin e fundit të qeverisë për djegien e fletëvotimeve, pra nga të dyja palët nuk është mënyra e duhur e procedimit me tjetrin.

Deutsche Welle: Edhe pas demonstratës së djeshme pozicionet nuk janë afruar. Kryeministri Berisha akuzoi kryetarin e opozitës Edi Rama për tentativë për marrje të pushtetit me dhunë, ndërsa Rama bëri Berishën përgjegjës për eskalimin e djeshëm. Si do të vijë kompromisi në këto kushte?

Prof. Franz-Lothar Altmann: Po ja një përpjekje e bëri Presidenti i Republikës për të gjetur gjuhën e zbutjes së gjendjes dhe të ndikojë si autoritet mes dy kampeve. Nga ana tjetër mendoj se ambasadat perëndimore duhet të përpiqen që të ulin në një tavolinë dy kundërshtarët Berisha dhe Rama, dhe t'i bindin për lëshimin e një deklarate të përbashkët, t'i drejtohen opinionit, kjo nuk është mënyra e duhur për zgjidhjen e problemeve. Ne do të përpiqemi të qetësojmë gjendjen në vend. Por kjo kërkohet nga të dy kundërshtarët politikë. Nga Berisha, që në mënyrë konstante vazhdon të mos e marrë në dorë çështjen e akuzave për manipulime zgjedhore, por edhe nga Edi Rama që me partinë e tij, nganjëherë mund të thuash gati në mënyrë jodemokratike, kujtoj këtu bllokimin e parlamentit, përdor metoda që nuk janë konstruktive.

Intervistën e zhvilloi Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama