1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Alternativa për Gjermaninë në Bavari kërkon ndalimin e xhamive

Një pjesë e partisë populiste të djathtë, AfD kërkon të ndalojë ndërtimin e përdorimin e xhamive në Gjermani e kufizimin e ndikimit të fesë islame. Ky është projekti më antiislam i partisë "Alternativa për Gjermaninë".

Dega e Bavarisë së Poshtme e Alternativës për Gjermaninë (AfD) ka paraqitur projektin deri tani më antiislam për programin e partisë populiste të djathtë AfD. Në dokumentin, të cilën e kanë në duar gazetat e "Rrjetit të redaksive Gjermani" (RND), kjo parti kërkon ndalimin e "ndërtimit dhe aktivitetit" të xhamive.

Xhamitë i shërbejnë jo vetëm "ritualit të përbashkët të faljeve, por edhe përhapjes së doktrinës islame, të drejtuar në eleminimin e rendit tonë juridik, thuhet në dokumentin me titull "Guxim për përgjegjësi". Autorët e propozimit më tej pohojnë se Kurani lejon "gënjeshtrën dhe mashtrimin". Veç kësaj, feja islame "në rrugën e saj të deklaruar për sundim të përbotshëm ka mbërritur tashmë në 57 prej 190 shteteve"

Sulm ndaj lirisë së fesë

Hartuesit e projektprogramit shkruajnë se janë të ndërgjegjshëm se ky hap i ri shkel Ligjin Themelor të Gjermanisë, i cili garanton lirinë e fesë. Por politikanët e djathtë shkruajnë megjithatë se kjo liri duhet të ketë kufi. Në fund të fundit, autorët e Ligjit Themelor nuk mund ta merrnin me mend "se në fushën e zbatimit të kushtetutës mund të hynin edhe fe, të cilat bëjnë thirrje për vepra penale (...) dhe që kanë si pikësynim sundimin e përbotshëm."

Një grup ekstremist i veçuar brenda AfD, "Krahu" besohet se është përgjegjës për propozimin për programin. Kryetari i degës së AfD-së në Bavari, Petr Bystron u distancua nga dokumenti, por pranoi se kishte dijeni për të.

E pranishme në tri parlamente landesh

Bryston tha se drafti është një kundërpropozim për manifestin zyrtar, që ka publikuar javën e kaluar AfD. Në fund të prillit, AfD do ta miratojë në një kongres programin e saj bazë. Propozimi për ndalimin e ndërtimit të xhamive është deri tani propozimi më radikal për politikën ndaj fesë të AfD-së. Në shkresë thuhet shprehimisht: "Feja islame nuk bën pjesë në Gjermani". Në Gjermani vlerësohet se jetojnë katër milionë myslimanë, këta janë pesë përqind e të gjithë popullatës. AfD kërkon edhe që femrave t'u ndalohet mbajtja e shamive dhe e çarçafit. Veç kësaj, politikanët në fjalë duan ta kufizojnë ndikimin e fesë islame: p.sh. imamët duhet të shkollohen vetëm në gjermanisht dhe vetëm në universitetet gjermane, kërkohet.

Programi i AfD-së është kthyer që prej sukseseve në zgjedhje të partisë në mars në një temë e madhe. Në tri lande të Gjermanisë populistët e djathtë kanë arritur të hyjnë në parlamente. Një rol të rëndësishëm në fitoret në zgjedhje ka luajtur refuzimi i politikës së Angela Merkelit për refugjatët. AfD përpiqet ta zgjerojë spektrin tematik të saj dhe prandaj e ka vendosur tani fenë islame në shenjestër.