1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Altamann: Maqedonia në rrezik destabilizimi

Po shkatërohet imazhi pozitiv i Maqedonisë, dhe sjellja e qeverisë në Shkup e pakuputshme për bashkësinë ndëkombëtare, thotë për DW, Franz Lothar Altmman, ekspert i Ballkanit.

Franz Lothar Altmann, ekspert për rajonin e Ballkanit, anëtar i Shoqatës për bashkëpunim me Evropën Juglindore, anëtar i Fondacionit Bertelsman si dhe profesor i Universitetit të Bukureshtit në intervistë për DW, thotë se ngjarjet gjatë fundjavës (09. -10.05) në Kumanovë e rrisin frikën se “gjërat do të mund të dalin tërësish nga kontrolli dhe të arrijnë deri tek lufta civile”.

Duke shprehur shqetësim për situatën politike në Maqedoni pasi opozita filloi me publikimin e materialeve të përgjuara, Altmann vëren, se "nuk mund të përjashtohet mundësia, që situata të dalë nga kontrolli, me pasoja jo vetëm për shtetin, por edhe për fqinjët”.

Sa i përket rolit të shqiptarëve në Maqedoni, sipas Altmann: “Tek minoriteti shqiptar, ndryshe nga deri tani, do të mund të përforcohen tendencat kah separatizmi. Është e pakuptimtë se përse qeveria aktuale konservative po e rrezikon shpërbërjen e mëtejshme të shoqërisë dhe të vet shtetit. Qendrimin kokëfortë të qeverisë ndaj akuzave që kanë të bëjnë me shkelje të qarta të të drejtave themelore të njeriut, për të huajt është i pakuptueshëm”.

Eksperti gjerman sqaron se tendencat autoritare të qeverisë së udhëhequr nga Nikolla Gruevski paraqesin problem për shtetin dhe njëherit rrezikojnë marrëdhëniet me BE-në dhe Gjermaninë. “Sundimi autoritar dhe dhuna ndaj qytetarëve që protestojnë nuk do të ndihmojë të zgjidhet situata politike në vend, por vetëm do ta thellojë hendekun midis BE-së dhe Maqedonisë. Në veçanti, Gjermania është shumë e shqetësuar, për faktin se Berlini viteve të fundit gjithnjë është përpjekur t'i ndihmojë Shkupit në afrimin e tij me NATO-n dhe BE-në.

Paraprakisht, imazhi pozitiv i Maqedonisë në vazhdimësi po shkatërohet gjatë muajve të fundit që rezulton me vështirësi të mëdha për t'i bindur deputetët për ta promovuar angazhimin gjerman sa i përket Maqedonisë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për bisedime për anëtarësim të vendit në BE apo të kontestit për emrin”, thekson Altmann.

Ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoni, Kristine Althauzer, para pak kohësh kritikoi qendrimin e qeverisë në Shkup ndaj krizës dhe porositi se pret dorëheqje. Altmann i bën thirje BE-së dhe Berlinit zyrtar që në mënyrë më serioze të angazhohen për zgjidhjen e krizës në Maqedonisë. “BE dhe në veçanti Gjermania, e cila ende ka ndikim si aktor neutral dhe e cila shpesh herë ka shprehur simpati për këtë vend, duhet patjetër dhe urgjentisht t'i drejtohen qeverisë në Shkup dhe ta detyrojnë atë për bisedime pakushte me opozitën. Përndryshe, demokracia maqedonase ashtu e dobët siç është do të përfundojë me katastrofë kombëtare.”

Më 1 Maj të këtij viti, gjatë vizitës të Ministrit të Jashëm të Gjkermanisë, Frank Valter Shtajnmajer, në disa vende të rajonit, agjencia Rojters duke raportuar për vizitën e shprehu brengosjen e diplomatëve evropianë për situatën në Ballkan, ku një theks i veçantë u vendos tek dy vende - Maqedonia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Altmann e ndan këtë shqetësim, por vlerëson se BE nuk ka instrumente të forta, me të cilat do të mund të ndikonte ndaj situatës. “Unë me të vërtet jam i shqetësuar për shkak të zhvillimeve negative në Bosnjë ( në veçanti në Republika Srpska) dhe në Maqedoni, sidomos për shkak se zgjerimi i konfliktit nuk mund të përjashtohet. Vlerësoj se BE-ja në këtë rast është e pafuqishme, sepse përveç apeleve verbale nuk mund të pritet asgjë tjetër. Instrumenti i vetëm që ka në dispozicion BE-ja është perspektiva për anëtarësim, por në të dy rastet ky instrument është i dobët”, thotë analisti gjerman Frank Lothar Altmann në bisedë për DW.

DW.COM