1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Aleksander Vulin në Kosovë

Vulin viziton vendbanimet serbe, ku dhjetë ditë më parë u prishën varret dhe monumentet e serbëve në Kosovë. Vizita në Kosovë e Aleksander Vulin bëhet me leje të qeverisë së Kosovës.

Aleksandar Vulin me një nxënëse serbe në Prizren

Aleksandar Vulin me një nxënëse serbe në Prizren

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin po viziton sot Kosovën. Vulini viziton varrezat dhe monumentet e serbëve, të shkatërruara pak ditë më parë nga grupe “vandalësh”, në shenjë revolte pas heqjes së Lapidarit të UCPMB-së, në Luginë të Preshevës nga xhandarmëria serbe.

Dëmtimin e varrëzave dhe monumenteve kulturore serbe në Kosovë, e patën dënuar ashpër institucionet e Kosovës dhe prania ndërkombëtare duke i cilësuar si “akte vandale, të papranueshme dhe jo të justifikueshme për shprehje mllefi”.

Ardhja në Kosovë e Drejtorit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin dhe vizita që u bënë ai lokacioneve, ku u dëmtuan varrezat serbe, bëhet me leje të qeverisë së Kosovës dhe sigurimin e tij do ta bëjë policia e Kosovës, konfirmon zëdhënësi i policisë Brahim Sadriu.

“Pas dhënies së lejes nga Qeveria e Kosovës, Policia e Kosovës do ta shoqërojë zyrtarin serb gjatë qëndrimit në vend”, thotë zëdhënësi Brahim Sadriu.

Aleksander Vulin, ishte në Kosovë edhe për Krishtlindjet ortodokse serbe, mirëpo, policia e Kosovës gjatë kësaj vizite pati arrestuar për disa orë nëntë persona, pjesëtarë të së ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, të cilët siç u tha ilegalisht luanin rolin e truprojave të zyrtarit shtetëror serb në Kosovë. Aleksander Vulin, asokohe i mllefosur për këtë arrestim, ishte larguar në mënyrë demonstrative nga Kosova duke thënë se “qasja e autoriteteve kosovare ndaj tij do ta dëmtojë dialogun Kosovë-Serbi”.

Qeveria e Kosovës dy herë radhazi lejon vizitën në Kosovë të Aleksander Vulinit, ndërkaq, nuk e ka lejuar vizitën e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic për Krishtlindjet ortodokse.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi