1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Aleksandar Vuçiq: Nga unë nuk do të dëgjoni fjalë të keqe për delegacionin kosovar

"Serbia i ka kaluar kohërat e luftës. Në Kosovë e kuptojmë realitetin", thotë në intervistë me DW, Aleksandar Vuçiq, kryeministër i ardhshëm i Serbisë. Ai flet edhe për atmosferën në dialog, rajonin, Rusinë dhe BE-në...

Deutsche Welle: Zoti Vuçiq, e di që këto ditë jeni duke punuar në hartimin e planit të qeverisë së re. Cilat do të jenë prioritetet e kësaj qeverie?

Aleksandar Vuçiq: Prioritetet do të jenë reformat juridike dhe ekonomike, të cilat janë të rëndësishme për vendin tonë. Një pjesë të këtyre reformave e kërkon Bashkimi Evropian, por ne do t'i bëjmë të gjitha reformat, sepse ato janë në interesin e vendit tonë. Kur flas për reformat ekonomike, e kam fjalën për ndryshimet e menjëhershme strukturore. Do të bëjmë ndryshimet e shumë ligjeve: ligjin e falimentimit të firmave, ligjin e privatizimit, ligjin e punës, ligjin për administratën e shtetit, për sigurimet, ligjin për planifikim dhe ndërtime, i cili nënkupton që lejet të jepen në një periudhë shumë më të shpejtë se më parë. Qëllimi ynë është që në një periudhë të shkurtër të krijojmë një kornizë dhe një ambient shumë më të përshtatshëm ligjor për investime në vendin tonë – për investitorët e brendshëm dhe të huaj. Nga ana tjetër, duhet të miratojmë të paktën 13 ligje në sektorin e implementimit të planeve aksionale dhe në sektorin e sundimit të ligjit. Duhet të mendojmë edhe për konsolidimin fiskal, i cili do të jetë shumë, shumë i rëndë dhe i dhimbshëm, në veçanti për sektorin publik. Duhet të bëjmë edhe reformën e administratës publike dhe në këto kushte të cilat nuk kanë qenë ndoshta kurrë më të rënda, duhet të mendojmë për mundësitë e zhvillimit më të madh industrial. Ne jemi duke përgatitur një plan i cili duhet të zbatohet në periudhën prej 1 qershor të vitit 2014 deri me 1 qershor 2016. Zgjidhjet që do t'i bëjmë duhet të jenë më të mirat në rajon, në mënyrë që të tërheqim sa më shumë investorë të huaj në vendin tonë, sepse ata nuk kanë nevojë të vijnë në Serbi në qoftë se nuk kanë kushte më të mira se sa në vendet e tjera.

Aleksandar Vuçiq: do ta luftoj kriminalitetin

Aleksandar Vuçiq: do ta luftoj kriminalitetin

DW: Një prej problemeve më të mëdha me të cilat po përballet Serbia është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilën jeni duke e udhëhequr Ju vetë. Këto ditë keni arrestuar edhe disa persona të kërkuar prej vitesh. Besoni se do ta fitoni këtë luftë?

Aleksandar Vuçiq: Natyrisht që këtu ka shumë probleme dhe në këtë drejtim duhet të punojnë të gjitha institucionet. Me gjërat që kemi bërë deri tani, ne vetëm kemi treguar vullnetin politik. Por në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vetëm kaq me siguri që nuk mjafton. Të gjitha institucionet tona duhet të punojnë më mirë dhe më shumë. Gjërat që i kemi bërë deri tani janë fryt i punës së policisë dhe prokurorive, por të gjitha këto gjëra duhet të dëshmohen edhe në gjykata, të cilat duhet të jenë shumë më efikase. Në Kroaci për shembull këto probleme i kanë zgjedhur shumë më mirë se ne në Serbi. Ata kanë caktuar datat e seancave brenda 7 – 15 ditë, si në rastin e Sanaderit për shembull. Ndërsa disa gjykatës tanë caktojnë afate për seanca pas 45, 50 apo 60 ditësh, me qëllim që disa raste të mos përfundojnë kurrë.

DW: Të ndalemi pak tek rasti Darko Shariq, një prej bosëve më të kërkuar të drogës, i cili është arrestuar këto ditë. Në opinionin është folur shumë kohët e fundit për lidhjet e Shariqit edhe me strukturat politike në Serbi por edhe në Mal të Zi, e madje edhe për lidhjet e tij me vetë kryeministrin e Malit të Zi Millo Gjukanoviq. A keni informacione për lidhjet e tij politike?

Aleksandar Vuçiq: Edhe sikur të kisha këto informata, nuk do të flisja për asgjë, sepse unë e kam nënshkruar oblilgimin që të mos flas për gjërat që i marr vesh nga dokumente të ndryshme. Por të jem plotësisht i hapur: unë lidhur me këtë rast jam marrë kryesisht vetëm me Serbinë. Prokuroria dhe gjykatat duhet të japin mendimin përfundimtar për zotin Shariq. Por mendoj se ka qenë shumë me rëndësi që pas kaq shumë vitesh të hetimeve, të vijmë deri tek zoti Shariq. Ai tani do ta ketë shansin të mbrohet para drejtësisë ndërsa prokurorët të dëshmojnë fajësinë e tij, sepse ai është i pafajshëm deri sa nuk dëshmohet e kundërta. Por opinioni duhet ta dijë që akuzat janë të tmerrshme, sepse këtu bëhet fjalë për kontrabandimin e 5,7 tonëve drogë dhe jo për 5,7 gram. Nuk i kuptoj ata, të cilët tërë kohën përpiqen ta minimizojnë këtë rast, me fjalët se këto vepra nuk i ka bërë në territorin e Serbisë. Çfarë do të thotë kjo? Domethënë jashtë Serbisë mund të bëjë gjëra të tilla?!

DW: Për realizimin e këtyre obligimeve dhe detyrave Juve me siguri që do t'ju duhen edhe kuadro të mira dhe eventualisht ndonjë partner i mirë në koalicion, apo do të krijoni qeveri pa ndonjë partner në koalicion? A keni menduar për këto çështje dhe cili do të ishte partneri më i përshtatshëm për të realizuar këto plane dhe reforma?

Aleksandar Vuçiq: Më e rëndësishmja për mua është që të kemi një marrëveshje me popullin dhe që njerëzit të mos i gënjejmë. Dua t'ju kujtoj se në fushatën parazgjedhore kemi qenë të vetmit të cilët nuk kanë premtur heqje të obligimeve fiskale. Unë u kam thënë njerëzve: mos lejoni t'ju gënjejnë dhe t'ju mashtrojnë me fjalët se do t'i heqin tatimet solidare, sepse rrogat në sektorin publik janë shumë më të larta se ato në sektorin privat. Kjo është qesharake dhe e pamundshme, sepse nuk ka asnjë vend në botë si në Serbi, ku rrogat në sektorin privat janë 35 për qind më të ulëta se sa ato në sektorin publik. Unë nuk kam dashur ta gënjej popullin, nuk kam dashur ta mashtroj askënd. Sa i përket partnerëve në koalicion, unë mendoj se kemi majft njerëz të aftë dhe se duhet të krijojmë qeverinë më të mirë të mundshme. Duhet të krijojmë një qeveri, e cila të funksionojë si ekip. Një qeveri e cila nuk varet nga ndonjë Messi apo Xavi, por luan mirë si Ribery apo Kross në një ekip të mirë. Pra ne do të përpiqemi të krijojmë ekipin më të mirë me synim që qeveria të jetë unike. Konkretisht për partnerët në koalicion, jo vetëm që nuk i kam përzgjedhur, por ende nuk kam menduar seriozisht. Në media mund të lexoni shumë gjëra, por kjo çështje momentalisht nuk është në fokus. Në fokus janë reformat dhe mënyra se si t'i realizojmë ato.

Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiq

Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiq: do të mbeten në koalicion?

DW: A jeni të kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me Partinë Socialiste të Serbisë dhe kryeministrin Ivica Daçiq?

Aleksandar Vuçiq: Me zotin Daçiq unë kam pasur raporte korrekte dhe do të gënjeja sikur të thosha se ka qenë ndryshe. Ka pasur me siguri gjëra të shpifura, për të cilat socialistët thonë se kanë ardhur nga partia jonë, ndërsa partia jonë se kanë ardhur nga socialistët. Por unë as gjatë fushatës elektorale nuk kam dashur të flas keq për zotin Daçiq, sepse mendoj se së bashku kemi bërë disa gjëra shumë të rëndësishme. Duke u nisur nga Marrëveshja e Brukselit dhe fillimi i negociatave BE-në, që për vendin tonë është një ngjarje historike, e deri tek stabilizimi i skenës politike, e cila është bërë më normale dhe më dinjitoze. Mos harroni se pavarësisht gjërave negative që janë dëgjuar, gjatë kësaj fushate nuk ka pasur spote të nivelit tepër të ulët. Nuk ka pasur asnjë vërejtje serioze për parregullësi në zgjedhje. Ka të tillë që ankohen me fjalët se gazetat bulevardeske na kanë sulmuar. Ndonëse me siguri që edhe unë do të mund të thosha shumë gjëra, sepse lideri i partisë më të madhe opozitare ka qenë nëntë herë në emisionet qendrore në televizionit shtetëror RTS, ndërsa unë vetëm dy herë.

DW: Mirë, të mos futemi në fushatën elektorale, por ajo që më ka rënë në sy gjatë kësaj bisede është që tani për herë të parë po e përmendni Marrëveshjen e Brukselit, ndërkohë që Kosovën nuk e keni përmendur fare asnjë herë. Cila do të jetë politika juaj ndaj Kosovës dhe dialogut në Bruksel? A do të jeni Ju udhëheqës i delegacionit të Serbisë apo do të kërkoni ndonjë zgjidhje tjetër?

Aleksandar Vuçiq: Për këtë çështje do të bisedoj edhe me Chaterine Ashton në Bruksel. Nuk do t'u shmangem obligimeve të mia, sepse detyra jonë është që të flasim me shqiptarët e Kosovës. Ne themi dialogu Beograd – Prishtinë e shqiptarët thonë dialogu Kosovë – Serbi. Mund ta quani si të doni, sepse me rëndësi nuk është forma por përbërja dhe krijimi i mundësive që njerëzit të jetojnë sa më mirë. Ne kemi fituar më së shumti vota të serbëve në Kosovë e Metohi dhe kjo tregon se njerëzit atje janë të ngopur me parullat e mëdha të luftës. Njerëzit duan të jetojnë në paqë, duan punë. Mendoj se ne së bashku duhet të jemi të përkushtuar dhe të kërkojmë zgjidhje të problemeve. Edhe pse jo rrallë kemi pasur konflikte, nga unë nuk do të dëgjoni asnjë fjalë të keqe apo fjalë të rëndë për njerëzit e delegacionit shqiptar. Kjo është një punë shumë e rëndë për të dy palët. Shpresoj se gjithmonë do të mund të bisedojmë së bashku. Gjithmonë mund dhe duhet të flasim së bashku dhe shpresoj se shumicën e problemeve do t'i zgjidhim së bashku. Në radhë të parë në sektorin e ekonomisë. Gjatë bisedimeve në Bruksel ka pasur edhe detaje dhe anekdota interesante. Për shembull, për një temë jemi zënë shumë keq, nuk më kujtohem tamam cila temë ka qenë. Kur e pamë që gjërat nuk po lëvizin fare, atëherë unë dhe Thaçi filluam të flasim për ndihmat e BE. Unë propozova që BE të na japë para për ndërtimin e autostradës Nish – Prishtinë dhe të përfundojmë një projekt shumë të rëndësishëm. Thaçi menjëherë u lajmërua dhe tha: unë e mbështes propozimin e Vuçiqit, por duam para dhe jo seminare apo know how. Ndërsa Ashton tha: e shihni ju si merren vesh këta kaq shpejt kur Evropës duhet t'i merren para… Atmosfera u relaksua pak, por në fakt ne me të vërtetë presim që BE të na ndihmojë me projekte konkrete, sepse çështja e autostradave nuk është fare naive. Pse të mos fillojmë me gjërat që të dy popujve u mundësojnë një jetë më të mirë, me gjërat që mund ta forcojnë mirëbesimin dhe mbështetjen mes vete.

DW: Kur jemi tek raportet me zotin Hashim Thaçi: unë kam qenë edhe vetë në Bruksel dhe e di që atmosfera mes jush në takime nuk ka qenë gjithmonë e këndshme. Kjo është e kuptueshme, sepse në kohën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 ju keni qenë ministër i Informimit në Serbi, ndërsa Hashim Thaçi lider politik i UÇK. Do të thotë ju keni luftuar në mënyrë të drejtepërdrejtë kundër njëri- tjetrit. Sa i ngarkojnë këto gjëra bisedimet me dyer të mbyllura në Bruksel?

Aleksandar Vuçiq: Nuk është lehtë, atmosfera është e rëndë. Jo rrallë për të gjithë është shumë e pakëndshme, por kjo është puna jonë. Puna ime dhe e tij është të bisedojmë dhe të gjejmë zgjidhjet më të mira për popujt tanë. Ju keni të drejtë, sepse në vitin 1999 ne kemi qenë në anët kundërshtare. Por as sot nuk jemi në pozicione të njëjta, as për së afërmi. Megjithatë kemi një raport të civilizuar dhe dinjitoz. Ndonjëherë i kalojmë edhe kufijtë dhe në bisedime ka edhe tone tepër të larta, por ekziston respekti i dyanshëm dhe vetëdija se ne duhet të bisedojmë mes vete. Së bashku duhet të gjejmë zgjidhjet më të mira për problemet dhe të mendojmë për një ardhmëri sa më të mrië për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë e Metohi. Mendoj se në këtë aspekt kemi një atmosferë dinjitoze.

DW: Pra nëse Ju kuptova mirë: Ju jeni të gatshëm që ta udhëhiqni delegacionin serb dhe të shkoni në bisedimet për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të kontestuara në Kosovë…?

Vuçiq: kriminelët e luftës do t'i denojmë.

Vuçiq: kriminelët e luftës do t'i denojmë.

Aleksandar Vuçiq: Unë kam qenë i gatshëm edhe deri tani dhe nuk e di pse të mos jem edhe në të ardhmen.

DW: Por kësaj radhe si udhëheqës i delegacionit?

Aleksandar Vuçiq: Dua të theksoj se kjo varet edhe nga dëshirat e BE. Duhet të shikojmë se në ç'nivel do të vazhdojnë bisedimet, por unë me siguri që kurrë nuk do t'u shmagem obligimeve të tilla. Më lejoni të them edhe diçka, sepse më duket shumë e rëndësishme: ekzistojnë njerëz që thonë se angazhimi në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit është i mirë, sepse kjo është në përputhje me mendimet e shumicës së njerëzve. Por mos u përziej në çështjen e Kosovës sepse në këtë mënyrë vetëm mund të humbësh vota. Ka dhe të tjerë që thonë mos u përziej në ekonomi sepse do t'i humbësh të gjitha votat. Ndërsa përgjigja ime ka qenë: mua nuk më kanë zgjedhur në këtë post që të jem i bukur apo të flas vetëm gjëra të mira, por t'i zgjidhë problemet. Dikush duhet t'i zgjidhë ato, duhet të shkojë tek njerëzit që i bllokojnë rrugët dhe të përballet ndoshta edhe me sharje. Unë nuk kam pikë faji për shkak se dikush i bllokon rrugët, apo për faktin që dikush e ka mbyllur ndonjë firmë dhe njerëzit kanë mbetur pa punë. Apo për faktin që dikush ka bërë privatizime të gabuara. Por dikush duhet t'i zgjidhë edhe problemet në Kosovë dhe ato në ekonominë e Serbisë etj. Pritni pak: a thua me të vërtetë duhet të ikim nga problemet vetëm për të fituar ndonjë votë më shumë, apo për të qenë më i dashur për dikë? Unë nuk do të shmangem nga zgjidhja e problemeve.

DW: Është për t'u respektuar interesimi Juaj për zgjidhjen e problemeve. Por një prej kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare ka qenë dhe është zbatimi i denjë i Marrëveshjes së Brukselit në tërësi. A jeni Ju të gatshëm që ta implementoni këtë marrëveshje në tërësi?

Aleksandar Vuçiq: Unë mendoj se këtë jemi duke e bërë në mënyrë korrekte. Marrëveshja IBM për kontrollin e kufirit dukej në fillim e pazbatueshme, ndërsa tani nuk ka gati asnjë problem. Së shpejti presim edhe marrëveshje për sigurimin e automjeteve, gjë që do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve. Nga ana tjetër kemi biseduar dhe kemi gjetur zgjidhje edhe për komandantin rajonal të Policisë së Kosovës, gjë që tanimë funksionon sipas Marrëveshjes së Brukselit. Nuk them që bisedimet janë të lehta, por më duket se nuk jemi larg narrëveshjes dhe kompromisit edhe për organet juridike dhe drejtësinë. Shpresoj se edhe ky problem do të zgjidhet. Natyrisht që ka edhe probleme të brendshme pasi që duhet të ndryshojë ligji kushtetues, me të cilin duhet të harmonizohen zgjidhjet lidhur me autonominë. Ndryshe këto zgjidhje mund të shpallen të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, me shpjegimin se zgjidhjet nuk janë në përputhje me Kushtetutën.

DW: A do të bëni edhe ndryshimin e Kushtetutës, për të implementuar marrëveshjet dhe vendimet për Kosovën?

Aleksandar Vuçiq: Kjo është një çështje që i takon procesit të integrimeve në BE dhe për këtë çështje do të bisedojmë në negociatat e anëtarësimit në BE. Por së pari duhet të ndryshojmë ligjin kushtetues në mënyrë që të zbatojmë autonominë esenciale. Me këtë ligj do të saktësohen qartë qëndrimet e Serbisë ndaj këtyre çështjeve.

DW: Zoti Vuçiq, autonomia esenciale e serbëve në Kosovë për të cilën po flisni Ju, mund të ketë të paktën dy interpretime. Kosova pohon se me zgjidhjet e arritura në Bruksel është mundësuar njohja territoriale e Kosovës dhe ka filluar procesi i integrimit të serbëve në institucione. Por ka edhe të tillë që thonë se krijimi i bashkësisë së komunave serbe paraqet vetëm hapin e parë drejt ndarjes së veriut të Kosovës. Cili është mendimi juaj ndaj propozimeve për ndarjen e Kosovës?

Aleksandar Vuçiq: Po nuk është bashkësia e komunave serbe vetëm në veri të Kosovës.

DW: Kjo bashkësi përfshinë nëntë komuna, por kryesisht flitet vetëm për ndarjen e veriut …

Aleksandar Vuçiq: Pikërisht ashtu është sepse bashkësia i përfshinë nëntë komuna, nga të cilat katër janë në veri të Kosovës. Shikoni: unë as sipas kushtetutës së Serbisë nuk mund të angazhohem për ndarjen e Kosovës. Unë e kam thënë këtë edhe në Bruksel, herën e fundit kur Hashim Thaçi apo Vlora Çitaku e kanë përmendur çështjen e ndarjes. Kam thënë: shikoni këtu jemi për të zgjidhur problemet dhe për faktin se ne nuk pajtohemi mes vete. Ju mendomi se Kosova është e pavarur, ndërsa ne mendojmë se Kosova është pjesë e Serbisë. Hajde pra të gjejmë ndonojë rrugë se si mund t'i zgjidhim problemet. Por mendoj se për ndarjen nuk ka folur askush.

DW: Pala kosovare mendon se Kosova është vend i pavarur, të cilën deri tani e kanë njohur edhe 106 vende, ndër to 23 vende të BE. Pesë vende të BE ende nuk e kanë njohur ende, por edhe këtu ka pasur disa lëvizje kohët e fundit. A jeni Ju të gatshëm që ta njihni Kosovën si shtet, nëse njohja e shtetit të Kosovës shtrohet si kusht për anëtarësim në BE?

Aleksandar Vuçiq: Deri tani askush nuk e ka paraqitur këtë kusht. Unë nuk mund të flas tani se çfarë do të ndodhte po të ndodhte. Pas zgjedhjeve të ardhshme me siguri që do të vi dikush tjetër në pushtet, në vitin 2017 apo 2018. Pas reformave të rënda që do t'i bëjmë, ma merr mendja se dikush tjetër do të fitojë pushtetin dhe atij duhet t'ia shtroni këtë pyetje. Deri atëherë me siguri që askush nuk do ta shtrojë njohjen e Kosovës si kusht. Ata e dinë që kjo për Serbinë në këtë moment është e pamundshme dhe se kjo është një gjë për të cilën në këtë moment nuk mund të bisedohet. Mendoj se as atëherë askush nuk do ta njoh formalisht pavarësinë e Kosovës. Por ne e kuptojmë realitetin dhe e dimë se në Drenas, Skenderaj apo në Pejë – përveç në Gorazhdevc – nuk mund ta ngulim flamurin serb dhe të themi se kjo është Serbi. Ne e kuptojmë realitetin, por edhe shqiptarët duhet ta kuptojnë realitetin në veri dhe në disa pjesë të tjera të Kosovës. Por ne jemi këtu për të biseduar dhe për këto çështje po bisedojmë.

DW: Unë kam jetuar në Beograd 15 vite dhe e njoh edhe një Vuçiq tjetër: atë të viteve 90-të. Në Beograd kam qenë edhe në vitin 1999 dhe më kujtohet programi i Partisë Radikale Serbe, ku Ju keni qenë në një post shumë të lartë. Në këtë program thuhej se të gjithë shqiptarët duhet të dëbohen nga Kosova….

Aleksandar Vuciq: Por këtë nuk e keni dëgjuar nga unë…

DW: Po flas për Partinë tuaj ku Ju keni qenë Sekretar i Përgjithshëm. Ndërsa sot ju flisni me një ton krejt tjetër. Kjo me siguri që u pëlqen edhe njerëzve në Kosovë, por edhë në vendet e rajonit. A jeni Ju të gatshëm zoti Vuçiq, që për hirë të pajtimit mes dy popujve më të mëdhenj në këtë pjesë të Ballkanit, të kërkoni falje për krimet serbe ndaj popullit shqiptar në Kosovë?

Aleksandar Vuçiq: Unë nuk mendoj që kërkimi i faljes apo ndonjë akt tjetër personal janë të rëndësishme. Mendoj se me rëndësi është që ata që kanë bërë krime edhe të përgjigjen për këto krime. Mendoj se është me rëndësi që të gjejmë dhe t'i dënojmë ata të cilët i kanë vrarë tre vëllezërit Bytyqi. Mendoj se rezultatet janë shumë më të rëndësishme se sa fjalët. Unë nuk pres prej askujt në Kosovë që të kërkojë falje për krimet e bëra ndaj serbëve në Kleçkë apo diku tjetër. Pres që përgjegjësit për këto krime të nxirren para gjykatave dhe të denohen. Jam i sigurt se këtë presin edhe shqiptarët prej meje, që ata që kanë bërë krime në emër të vendit dhe popullit tim të nxirren para drejtësisë. Unë ju siguroj se asnjë kriminel nuk do të mbrohet dhe secili që ka bërë krime do të përgjigjet për këtë.

DW: E kam fjalën për vet aktin e kërkimit të faljes për krimet e bëra …

Aleksandar Vuçiq: Edhe Juve do t'ua them atë që ua kam thënë edhe kroatëve: unë nuk jam njeri që kërkon falje dhe jep fjalë të mëdha, vetëm sa për të promovuar veten në opinion. Unë jam një njeri, i cili mendon se me rëndësi është që të punojmë dhe të jemi të përgjegjshëm dhe serioz. Mendoj se këto vlera i respektojnë edhe shqiptarët në Kosovë. Unë në asnjë mënyrë nuk mund të them se është mirë që dikush në mënyrën më të tmerrshme dhe më monstruoze i merr dhe i paketon si sardele në një gropë të tre vëllezërit. Unë e urrej jashtëzakonisht atë që dikush e ka bërë ndaj njerëzve të pafajshëm.

DW: E keni fjalën për tre vëllezërit Bytyqi?

Kryeministri i Kosovë Hashim Thaçi dhe baronesha Ashton

Vuçiç: nuk do t'i shmagem obligime në dialogun me Kosovën

Aleksandar Vuçiq: E kam fjalën për ata të cilët e kanë bërë këtë krim ndaj vëllezërve Bytyqi. Më falni ju lutem: po kush mund t'i mbrojë serbë të tillë? Pse unë do të duhej të mbroja dikë në Kosovë që ka dhunuar serbët dhe ata që ka vrarë, sepse në Kosovë edhe më tej ka shumë serbë të zhdukur. Rasti i vëllezërve Bytyqi nuk është zgjidhur qe 15 vjet. Nga fjalët e kota nuk ka asgjë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm dhe serioz dhe t'i zgjidhim të gjitha veprat penale. Këtë duhet ta bëj edhe pala shqiptare.

DW: Për kërkim falje fola sepse një akt i tillë ka ndihmuar shumë në raportet mes Gjermanisë dhe Polonisë…

Aleksandar Vuçiq: Mirë, por rasti i Gjermanisë dhe Polonisë nuk është i ngjashëm me atë të Serbisë dhe Kosovës. Nëse futemi në këtë debat, atëherë duhet të shtrojmë edhe pyetjen se kush është në këtë rast Gjermania e kush Polonia…

DW: Mirë të mos kthehemi në histori, por a besoni Ju në procesin e pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve?

Aleksandar Vuçiq: Unë besoj që serbët dhe shqiptarët jetojnë dhe duhet të jetojnë së bashku dhe se ata duhet të kenë shumë më shumë mirëbesim mes njëri-tjetrit. Unë e di që këtu nuk ka dhe nuk mund të pritet ndonjë dashuri tepër e madhe. Kjo vlen edhe për raportet mes serbëve dhe kroatëve. Unë nuk dua t'i vardisem askujt me fjalë të tilla. Shqiptarët në Prishtinë mua nuk do të më duan kurrë. Mendoj se mjafton ta respektojnë dikë, nëse e shohin se edhe ai po i respekton. Nuk duhet ta duan, mjafton respekti. Mendoj se ky raport është shumë më i rëndësishëm dhe më i mirë. Besoj se me bisedime dhe me krijimin e mirëbesimit, me bashkëpunimin më të ngushtë mes dhomave tona ekonomike, me ndërtimin e rrugëve, gjërat do të ndryshojnë ngadalë në të mirë. Është shumë vështirë të pritet që në vitet që janë para nesh të ketë ndonjë dashuri të madhe mes nesh. Por jam i bindur se do të kemi një mirëbesim më të madh dhe se do të kemi raporte më të mira mes nesh. Për dallim prej shumë të tjerëve, unë mendoj se kjo nuk pengon askënd. Përkundrazi mendoj se ky lloj afrimi është i mirë për të dy popujt.

DW: Këtu pajtohemi dhe besoj se një ndër elementet, të cilët me siguri do të ndihmonin është ndërtimi i raporteve më të mira të Serbisë jo vetëm me Kosovën por edhe me Shqipërinë. Një sinjal shumë i rëndësishëm në këtë drejtim do të ishte, për shembull, vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd, sepse një vizitë të tillë, nëse më kujtohet mirë, nuk ka pasur që nga viti 1946. A do të ketë një vizitë të tillë?

Aleksandar Vuçiq: Sa i përket takimeve me zotin Rama, unë jam i gatshëm në çdo moment të takohem me të në Beograd apo në Tiranë. Thënë qartë: jam plotësisht i gatshëm për takim dhe bisedime me të. Mendoj se zoti Rama dhe unë do të takohemi dhe do të bisedojmë gjatë këtij viti.

DW: Pra mund të presim vizitën e zotit Rama këtë vit në Beograd, apo keni menduar Ju të shkoni në Tiranë?

Aleksandar Vuçiq: Për mua është absolutisht e parëndësishme se ku do të takohemi, unë nuk vuaj nga gjëra të këtilla. Unë mendoj se një takim i tillë është i rëndësishëm për Serbinë. Puna ime është që të mbroj interesat e Serbisë dhe mendoj se është me rëndësi që të takohem me kryeminisrin e Shqipërisë. Mendoj se një takim i tillë në asnjë mënyrë nuk do të destabilizonte rajonin. Përkundrazi.