1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Aleksandër Vuçiq në Kosovë me rastin e Krishtlindjeve ortodokse

Vizita në Kosovë e kryeministrit të Serbisë nga data 13.01 deri më 14. 01. 2014, zhvillohet me lejen e autoriteteve kosovare. Përfaqësues të qeverisë së Kosovës këtë vizitë e cilësojnë normale dhe të zakonshme.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, qëndron në Kosovë nga data 13.01 deri më 14 01, në një vizitë dy ditore, për festat ortodokse serbe të fundvitit dhe për të marrë pjesë në hapje të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në komunën e Graçanicës, vendbanim ky i banuar me shumicë serbe. Ndërkohë, zgjedhjet për kryetar komune në Graçanicë mbahen pasi kryetari i zgjedhur i kësaj komune Branimir Stojanoviq, në qeverinë e re të Kosovës e udhëhequr nga Isa Mustafa, mori detyrën e zëvendëskryeministrit.

Kryeministri i Serbisë, Aleksander Vuçiq, thuhet se e realizon vizitën në Kosovë i eskortuar nga organet kosovare të rendit. Nuk është njoftuar të ketë ndonjë takim me udhëheqësit e institucioneve qendrore të Kosovës, veç faktit që ai do të vizitojë disa vendbanime serbe në rajone të ndryshme të Kosovës. Vizita e Vuçiqit në Kosovë realizohet vetëm pak kohë para rifillimit të dialogut për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Vizitën në Kosovë të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, zëvendëskryeministri, njëherësh edhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar si një vizitë të zakonshme prej së cilës, sipas tij, nuk duhet pasur shqetësime. "Vizita e Kryeministrit serb bëhet me lejen e autoriteteve kosovare. Nuk është vizita e parë dhe as e fundit. Këto vizita po ndodhin pas vizitave të ministrave kosovarë në Beograd. Pra, janë gati normale, të zakonshme, ndërmjet dy shteteve", theksoi të hënën ministri i Jashtëm. Thaçi theksoi, se vizitat e karakterit humanitar dhe fetar do të intensifikohen edhe me vizita të ndërsjellta, duke apeluar që nuk duhet frikësuar nga komunikimi.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ndërkaq, thotë për Deutsche Welle-n se institucionet e Kosovës duhet të jenë transparente për vizitën e kryeminstrit serb në Kosovë dhe jo të përpiqen - siç thotë ai - ta mbajnë sa më të fshehtë agjendën e saj. "Vizita e kryeministrit serb në Kosovë do të duhej të ishte transparente, e jo të mbahej e fshehtë nga institucionet kosovare. Z. Vuçiq vjen në Kosovë për të mbështetur kandidatin e Listës Serbe për zgjedhjet në Graçanicë, ndërkohë, që një ministër i Listës Serpska, Aleksandër Jabllanoviq, para pak ditësh i quajti egërsira protestuesit në Gjakovë. Me mbështetjen e kandidatit të Listës Serbe, Vuçiq vetëm sa konfirmon faktin se ky subjekt politik është krijuar nga Beogradi me qëllime të caktuara, respektivisht për të mbajtur gjallë prezencën direkte të Beogradit jo vetëm në shumicën e komunave me popullsi serbe, por edhe në vetë qeverinë e Kosovës", thotë Imer Mushkolaj.

Vizita në Kosovë e kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, realizohet në kohën kur një ministër serb për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, po përballet me presionin publik për dorëheqje, pas një deklarate të tij të një jave më parë kur protestuesit, familjarë që kanë persona të zhdukur nga komuna e Gjakovës, i quajti egërsira. Protestuesit në qytetin e Gjakovës penguan disa pelegrinë serb që të vizitojnë një Kishë në Gjakovë me rastin e Krishtlindjeve ortodokse. Komuna e Gjakovës ka numrin me të madh të civilëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, për deklaratën e ministrit të tij Jablanoviq, që vjen nga radhët e subjektit politik "Lista Serpska", ka thënë se "askush nuk guxon t'i quaj qytetarët egërsira: "Unë e kam dëgjuar një reagim të ministrit Jabllanoviq dhe ai në një formë është tërhequr nga ajo, sepse, nuk ka pasur informata të mjaftueshme dhe se ka menduar atë që e ka thënë dhe më vjen mirë që ai vet është tërhequr, sepse nuk guxon të quhen të egër njerëzit të cilët shprehin mendimet e tyre, pavarësisht nëse është apo jo e arsyeshme protetsta e tyre. Unë mendoj se gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin, veçmas nga ata që janë përgjegjës të pozitave publike dhe do të kujdesemi që maksimalisht të përmbahemi nga kjo", thotë kryeministri Mustafa Mustafa.

Analisti Imer Mushkolaj, ndërkaq, thotë se "Lista Serpska", është pjesë e koalicionit qeveritar dhe udhëheq dikasterë mjaft të rëndësishëm, pavarësisht se zyrtarë të saj nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe vetë Jabllanoviq i referohet asaj si "Kosovë dhe Metohi", pa e pasur drojën se do të ndëshkohet për deklaratat dhe sjelljet e tij. Në çdo vend normal, ministrat e tillë që nuk e njohin shtetin pjesë e qeverisë së të cilit janë dhe për më tepër, qytetarët e atij shteti i fyejnë duke i krahasuar me kafshë, do të duhej të shkarkoheshin nga detyra. Kjo nuk ndodh në Kosovë për shkak se kryeministri Isa Mustafa nuk ka guxim ta ndërmarrë një hap të tillë, ndërkohë që i duhet t'i mbyllë sytë edhe para Vuçiqit i cili, pak kilometra larg Prishtinës, do të realizojë edhe një vizitë jo me qëllimin që të kërkojë falje për krimet e kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, por me qëllim që ta dëmtojë dhe sabotojë shtetin e Kosovës".

Shumë organizata të shoqërisë civile që kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit serb në qeverinë e Kosovës Aleksandër Jabllanoviq, kanë thënë se të paktën ministri serb është dashur të kërkojë falje publike për deklaratën e tij. Ministri Aleksandër Jabllanoviq nuk ka kërkuar falje, por ka thënë se ai nuk ka pasur informacione që komuna e Gjakovës ka akoma shumë persona të zhdukur gjatë luftës.