1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Aleancë për të drejtat e njeriut" - Përfundon Global Media Forum i DW

Globalizim, të drejta njeriu dhe medie - për këto u diskutua për tri ditë me radhë në "Deutsche Welle Global Media Forum" në Bonn. Me rreth 1600 pjesëmarrës nga mbi 100 vende, konferenca vetë ishte pasqyrë e globalizimit

Erik Bettermann flet në mbyllje të GMF

Erik Bettermann flet në mbyllje të GMF

"Kemi të bëjme me një barazim të thjeshtë: pa të drejta njeriu nuk ka shoqëri civile. Pa të nuk ka siguri juridike, nuk ka mirëqënie ekonomike. Mediet duhet t'i komunikojnë këto kontexte."

Pas tri ditësh të konferencës, fjala përmbyllëse e drejtorit të përgjithshëm të Deutsche Welles, Erik Bettermann u kthye në një apel pasionant drejtuar medieve, që ato të veprojnë në përputhje me përgjegjësinë e tyre për ruajtjen dhe zbatimin e të drejtave të njeriut. Situata e të drejtave të njeriut i intereson secilit, kudo në botë.

"Konferenca jonë pasqyron përvojat me të drejtat e njeriut në të gjithë botën. Ne e lehtësojmë komunikimin midis politikanëve dhe botës akademike, midis ekonomisë dhe medieve."

Në mbi 50 aktivitetet e ndryshme u fol ndër të tjera për të drejtat e njeriut, për lirinë e internetit ose viktimat në luftën e drogës në Amerikën Latine. Gazetarëve që morën pjesë iu ofruan edhe workshope praktike. Për shembull për faktin se si raportohet për të drejtat e njeriut, pa i shkelur të drejtat e viktimave. Një temë i përshkoi të gjitha diskutimet: roli i medieve të reja dhe i rrjeteve sociale. Mundësitë dhe kufijtë e tyre, marrëdhënia e tyre me mediet klasike, rreziqet dhe shanset e tyre.

Thomas Deve nga Zimbabveja është koordinator i Fushatës së Mijëvjeçarit të OKB-së për Afrikën jugore. Deve e ndien veten të konfirmuar në pikëpamjen e tij prej gazetarëve në të gjithë botën:

"...që mediet sociale janë për ne një instrument i rëndësishëm, për t'u afruar me njëri-tjetrin. Njerëzit mund të shprehin mendimet e tyre për shtetin dhe shoqërinë."

Blogistja tuniziane Lina Ben Mhenni, fituese "Best of Blogs Awards", çmim që jepet në kuadër të Global Media Forumit të Deutsche Welles e kundërshton termin "revolucioni i Facebook-ut", term i krijuar në lidhje me përmbysjet në Afrikën e Veriut:

"Nuk kemi të bëjmë me një revolucion të Facebook-ut, apo të internetit apo të Twitter-it. Kemi të bëjmë me një revolucion të popullit, një revolucion të dinjitetit. Në Tunizi ai nuk nisi në internet, por në rrugë. Interneti ishte vetëm një mjet ndihmës."

Tema e të drejtave të njeriut do të mbetet edhe më tej në axhendën e Global Media Forumit. Në qershor 2012, në Global Media Forum-in e pestë do të bëhet fjalë për të drejtën e njeriut për arsim.

Autor: Mathias von Hein / Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM

  • Data 23.06.2011
  • Fjalët kyç GMF
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/11hw0
  • Data 23.06.2011
  • Fjalët kyç GMF
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/11hw0