1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bombenalarm USA GB

30 Tetor 2010

Dy paketa të nisura nga Jemeni për në SHBA përmbanin lëndë shpërthyese. Ato u gjetën në aeroplanët e transportit në Britani të Madhe dhe në Dubai.

https://p.dw.com/p/PuQO
Paketa ishte nisur me FedEx për në SHBAFotografi: AP/Airbus/Computer graphics

Kur Presidenti amerikan Barack Obama, doli të premten pasdite para shtypit u bë e qartë se gjendja ishte serioze. Obama deklaroi se në East Midlands-in britanik dhe në Dubai janë gjetur dy paketa të dyshimta që kishin destinacion institucione hebreje në Çikago. "Hetimet e para të këtyre paketave treguan se ato përmbanin lëndë eksplozivi".

Duhet gjetur origjina e paketës

Presidenti ishte informuar natën e të premtes nga këshilltari i luftës kundër terrorizmit John Brennan, për dyshimet që shërbimet sekrete kishin për paketën që vinte nga Jemeni. Megjithatë paketa nuk ishte gjendur ende. Obama udhëzoi ministritë dhe shërbimet sekrete për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme në mbrojtje të popullsisë amerikane dhe për të bashkëpunuar me shërbimet e tjera sekrete. Pak më vonë paketa u gjend. Ajo ishte nisur me UPS, përkatësisht FedEx për në SHBA, fillimisht në Britani të Madhe dhe më pas në Dubai. Gjatë ditës së premte u kontrolluan avionët e disa shoqërive amerikane. Një avion pasagjerësh u shoqërua madje pasdite me avion luftarak në fluturimin e tij për në Nju Jork. Edhe ky avion kishte ngarkesë që vinte nga Jemeni. Obama deklaroi: "Unë kam dhënë udhëzime që të bëjmë të gjitha përpjekjet për të gjetur origjinën e paketës dhe për të hetuar nëse në lidhje me të ekzistojnë edhe plane të tjera terroriste."

Takim për çështjet e sigurisë në Shtëpinë e Bardhë
Takim për çështjet e sigurisë në Shtëpinë e BardhëFotografi: AP

Megjithatë nuk është ende e qartë nëse paketat vërtet mund të shpërthenin. Fillimisht u bënë spekullime për një "provë", me të cilën do të provohej reagimi i autoriteteve amerikane të sigurisë. Këshilltari për cështjet e terrorizmit, tha se hetimet vazhdojnë. Sipas mendimit të tij duket se paketat përmbanin fishekë boje printerash, të manipuluar dhe ato mund të përdoreshin për një sulm terrorist. "Unë jam i shqetësuar sepse paketat përmbanin lëndë eksplozivi. Testimet zakonisht nuk kryhen me lëndë eksplozivi. Ajo që dua të theksoj është se ne nuk e dimë cfarë qëllimi kishin paketat."

Nuk ka persona të dyshuar

Ai nuk donte të spekullonte mbi dëmet që mund të shkaktonte shpërthimi i paketës, ose se si mund të ndizej lënda shpërthyese e saj. Sipas pohimeve të tij deri tani nuk ka persona të dyshuar. "Gjatë zhvillimit të hetimeve ne përpiqemi të kuptojmë kush fshihet pas saj dhe kush është përgjegjës. Dhe ne duam të kuptojmë dimensionin e kërcënimit:"

Por Brennan tha, siç kishte thënë edhe presidenti Obama më parë, se organizata terroriste El Kaida vazhdon të thurë plane për sulme terroriste kundër SHBA. Në Jemen mendohet të qëndrojnë disa qindra luftëtarë të El- Kaidës. Shërbimi postar UPS paralizoi ndërkohë furnizimet nga Jemeni.

Por amerikanët, thotë qeveria amerikane nuk kanë nevojë të shqetësohen dhe mund të vazhdojën udhëtimet , sipas planeve që kanë bërë. Edhe presidenti amerikan ka plane udhëtimi. Në fundjavë ai do të shkojë ndër të tjera në Çikago.

Autor: Christina Bergmann/ Aida Cama

Redaktoi: Dr. Pandeli Pani