1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Alarm për piratë në vendin e vikingëve

Gjermania sheh me interes nga veriu. Atje u zgjodh të dielën parlamenti i ri i landit Schleswig-Holstein. Ngjitja e Partisë së Piratëve ngatërron disa llogari politike. Edhe liberalët fshehin të papritura.

Askush nuk dyshonte më se Partia e Piratëve do të zgjidhej të dielën në parlamentin e landit Schleswig-Holstein, me përpjekjen e parë (siç ia doli muajt e mëparshëm në Berlin dhe Saarland).

Formimi i koalicionit mund të paraqitet i vëshitirë

Për partitë e tjera kjo do të thotë se koalicionet klasike nuk funksionojnë më, as ai midis demokristianëve dhe liberalëve si së fundi, as ai midis socialdemokratëve dhe të gjelbërve si më parë. Të dyja formacioneve u duhet një partner i tretë, për të qeverisur.

Shëtitje në cektësirë në veriun e Gjermanisë.

Shëtitje në cektësirë në veriun e Gjermanisë.

Kohët e fundit kandidatit kryesor të liberalëve ia ka ënda për një aleancë midis Partisë Demokristiane, Partisë Liberaldemokrate dhe Të Gjelbërve. Matematikisht kjo është e mundshme, por Të Gjelbrit anojnë tradicionalisht nga Partia Socialdemokrate, dhe kandidati socialdemokrat për kryeministër Torsten Albig shpreson për një shumicë me Të Gjelbrit duke përfshirë Lidhjen e Zgjedhësve Südschleswig (SSW).

Pjesa e landit Schleswig ka qenë për qindra vite e Danimarkës. Atje jeton edhe sot një pakicë daneze, dhe partia e saj, SSW, është e çliruar nga pragu zgjedhor prej pesë për qind, të cilin duhet ta kalojnë partitë e tjera për të hyrë në parlamentin e landit në Kiel. Me përqindjen e realizuar prej SSW-së Partia Socialdemokrate dhe Të Gjelbrit mund të arrijnë një shumicë të ngushtë.

Alternativa ndaj kësaj aleance tripartike do të ishte një koalicion i gjerë. Partia Socialdemokrate dhe Partia Demokristiane janë me rezultat ngjitur njëra me tjetrën. Me piratët nuk do të futet në pazar askush, aq më tepër në Kiel. Kryeqyteti i landit gjendet në pjesën jugore, në Holstein, ku njëherë e një kohë jetonin armiq për vdekje të vikingëve.

Piratët plaçkisin zgjedhësit e majtë

Një humbës i zgjedhjeve të landit në Schleswig-Holstein dihet tashmë: partia E Majta. Zgjedhësit e skajit të majtë nuk mjaftojnë as për t'iu afruar pragut prej pesë për qind. Dhe zgjedhësit për protestë, të cilët e ndihmuan partinë E Majta në zgjedhjet e fundit të arrinte gjashtë për qind, u rrëmbyen këtë herë nga piratët.

Njëri arriti ndërkaq triumfin: Wolfgang Kubicki. Për muaj pa fund liberalët e tij në veri u sollën nëpër ujë të cekët prej dy për qind, mirëpo me një vijë të pavarur Kubicki duket se ka gjetur ujin e thellë. Suksesi i Partisë Liberaldemokrate në veri mund t'u frynte erë edhe velave të partisë në landin e Renanisë Veriore Vestfalisë. Dhe atëherë, në Berlin kancelarja Merkel do të arrinte të duronte edhe një mënjanim të Partisë së saj Demokristiane nga qeveria në Kiel. Më e rëndësishmja, partneri i saj i koalicionit, Partia Liberaldemokrate, do të kishte një shans të ri për t'i shpëtuar fatit të vikingëve. Këta u zhdukën nga historia.

Autor: Agjencitë e lajmeve / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti