1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Al-Sisi: Nga puçist në president?

Nils Naumann/Angelina Verbica28 Mars 2014

Egjipti është në krizë. Puçisti Abdel Fatah al-Sisi premton përmirësim. Personi që rrëzoi presidentin Mursi të zgjedhur në mënyrë demokratike dëshiron të bëhet kreu i shtetit. A po kthehet në këtë mënyrë diktatura?

https://p.dw.com/p/1BXcq
Plakate me gjeneralin al-Sisi
Plakate me gjeneralin al-SisiFotografi: REUTERS

"Nuk kam ambicie, për t'u bërë president", tha Abdel Fatah al-Sisi, kur rrëzoi në korrik 2013 presidentin e Egjiptit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohammed Mursin. Shumë vëzhgues nuk ia patën besuar me të vërtetë këto fjalë atëherë. Të mërkurën (27.03.2014) kjo u bë zyrtarisht realitet. "Në modesti të plotë unë kandidoj për postin e presidentit të Egjiptit", tha al-Sisi në fjalimin e transmetuar nga televizioni egjiptian. Dhe që të kandidojë si civil, ashtu siç e kërkon kushtetuta, ai dorëzoi postin e shefit të ushtrisë dhe dha dorëheqjen si ministrër i mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër.

Al-Sisi është që prej rrëzimit të presidentit islamist Mohammed Mursi njëriu i fortë i Egjiptit. Portreti i tij është kudo në rrugë, në dyqane dhe në mediat e vendit. Shumë egjiptianë shpresojnë se Al-Sisi do t'u kthejë sigurinë dhe stabilitetin.

Kandidati i preferuar

"Eshtë pak a shumë e sigurt se Al-Sisi do t'i fitojë zgjedhjet presidenciale", thotë Maha Azzam, eksperte për Egjiptin në institutin britanik Chatham House. Por zgjedhje me të vërtetë demokratike Azzam nuk pret. "Nuk ka opozitë të vërtetë. Udhëheqësit e Vëllazërisë Myslimane janë në burg. Mediave u është mbyllur goja, qoftë ato shtetërore, qoftë ato private mbështesin Al-Sisin."

Deri tani ka vetëm një kandidat rival: Hamdin Sabbahi. Politikani i majtë ka mbështetur përmbysjen e Mursit dhe masat e rrepta ndaj Vëllazërisë Myslimane. Një kandidat "simbolik" pa shanse reale, thotë Azzam.Se në çfarë gjendjeje është demokracia në Egjipt e tregoi edhe referendumi për kushtetutën para disa muajve. Sipas rezultatit përfundimtar zyrtar 98 për qind e votuesve dhanë votën. "Këto janë rezultate tipike të diktaturave", thotë Azzam.

Përleshje në rrugët e Kajros: Përkrahësit e islamistëve nuk duan të dorëzohen
Përleshje në rrugët e Kajros: Përkrahësit e islamistëve nuk duan të dorëzohenFotografi: Virgine Nguyen Hoang/AFP/Getty Images

Sigurisht që Al-Sisi në popullsi nuk ka vetëm përkrahës, thotë Andrew Hammond, ekspert i Lindjes së Mesme në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. "Al-Sisi nuk e ka popullaritetin e madh, siç paraqitet gjithmonë, ai është manipulim i mediave egjiptiane." Në zgjedhje me të vërtetë të lira fitorja e Al-Sisit nuk do të ishte aspak e sigurtë, thotë Hammond.

Refuzim prej Vëllazërisë Myslimane

Islamistët e Egjiptit e kanë kritikuar ashpër kandidaturën e Al-Sisit: "Al-Sisi nuk ka për t'i sjellë Egjiptit stabilitet", tha Magdy Karkar, anëtar i Vëllazërisë Myslimane. Al-Sisi ka shumë përkrahës, që e adhurojnë. "Por ka edhe shumë, që e urrejnë dhe e bëjnë përgjegjës për gjakun e derdhur." Që prej marrjes së pushtetit qeveria tranzitore e vendosur nga ushtria vepron në mënyrë shumë rigoroze ndaj Vëllazërisë Myslimane. Më shumë se 1.000 përkrahës të Vëllazërisë Myslimane u vranë, mijëra të tjerë janë burgosur, lëvizja është klasifikuar si organizatë terroriste dhe është ndaluar.

Mijëra anëtarë të Vëllazërisë Myslimane janë burgosur
Mijëra anëtarë të Vëllazërisë Myslimane janë burgosurFotografi: picture-alliance/dpa

Përpara në të shkuarën?

Duke pasur parasysh acarimin mes fronteve edhe ekspertja për Egjiptin, Maha Azzam është skeptike: "Nuk ka asnjë garanci, që ushtria të mund të vendosë stabilitetin në Egjipt. Në nëntë muajt e fundit kemi parë më shumë mungesë të stabilitetit në vend." Qeveria kalimtare nuk ka dëshmuar që një njeri i fortë mund ta kontrollojë situatën në vend. Gjendja e sigurisë është kritike, gjendja ekonomike e keqe, inflacioni është shumë i lartë. Në të njëjtën kohë rritet pakënaqësia kundër shkeljes të të drejtave të njeriut nga ushtria dhe policia.

Al-Sisi nuk ka ndonjë vizion, thotë eksperti i Lindjes së Afërt Andrew Hammond: "Ai kurrë nuk ka thënë me të vërtetë se çfarë qëndrimi ka, përveç masave të ashpra kundër Vëllazërisë Myslimane. Mendoj se ai është për një kthim në politikën e diktatorit Husni Mubarak, të rrëzuar në vitin 2011. Që do të thotë një vizion neoliberal për Egjiptin, i shoqëruar me një praktikë fashistoide në politikën e sigurisë. Në fund të fundit, Al-Sisi, është një kopje e Mubarakut, thotë Hammond. Maha Azzam nga Chatham House shkon edhe më tej, kur ka parasysh mijëra të vdekur dhe të burgosur politikë: "Ajo që kemi parë deri tani nga Al-Sisi, është më e keqe se çdo gjë, që kemi përjetuar nën regjimin e Mubarakut. "