1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Akuzim dhe afrim - Strategjia gjermane për rënien e Murit të Berlinit

Protestat e politikanëve gjermanë pas ndërtimit së Murit të Berlinit nuk patën efekt. Askush nuk donte t'i hynte rrezikut të një lufte të re. Kështu Gjermania kërkoi rrugë të tjera për dobësuar Perden e Hekurt.

"Që nga ora 2 e mëngjesit kanë mbërritur lajmet e para...,nga ora 3:48 erdhën njoftimet e para të transmentuesve që pikat e kalimit në sektorë të ndryshëm po bllokohen me tel me gjemba." Ishte Willy Brandt, kryebashkiaku i Berlinit dhe kandidat i socialdemokratëve për kancelar, i cili më 13 gusht 1961 njoftoi botën për fillimin e ndërtimit të Murit të Berlinit. Në një takim të jashtëzakonshëm të deputetëve gjermano-perëndimorë, ai protestoi para komandantëve të fuqive aleate perëndimore nga SHBA, Britania e Madhe dhe Franca: "Senati i Berlinit ngre akuzë para gjithë botës kundër masave të kundërligjshme dhe çnjerëzore të ndarjes së Gjermanisë". Me pasion Brandt paralajmëroi: "Shtyllat e ftohta të betonit, të cilat po ndajnë qytetin tonë janë ngulur në zemër të unitetit gjerman dhe në organizmin e gjallë të qytetit të Berlinit."

Ashtu si Brandt edhe kancelari Konrad Adenauer (CDU) ishte në fushatë zgjedhore. Ai erdhi në Berlin nëntë ditë me vonesë, madje pas zëvendëspresidentit amerikan, Lyndon B.Johnson. Ditën e ndërtimit të murit në një fjalim televiziv, Adenauar flet kthjellët. "Bashkë me aleatët tanë ne do të marrim masat e duhura... por këto orë kërkojnë që me vendosmëri, por edhe me qetësi t'i dalim ballë sfidës së Lindjes." Brandt theksoi shpresën e rrëzimit të murit. "Asnjëherë njerëzit nuk duruan përjetë skllavërinë... ne nuk do ta pranojmë asnjëherë ndarjen brutale të qytetit tonë."

Willy Brandt 1989 Schöneberger Rathaus Berlin

Willy Brandt kritikoi ashpër ngritjen e murit, por pa efekt

Spektatorë të shokuar në Perëndim

"Lindja vepron, por çfarë bën Perëndimi? Perëndimi nuk bën ASGJË!" titulloi tre ditë më vonë gazeta "Bild". Adenauer u tregua i rezervuar. Edhe aletatët protestuan tre ditë me vonesë në Moskë. Ndërkohë me forcën e armëve berlinezët lindorë u mbajtën larg të afërmve dhe miqve në perëndim. Willy Brandt i shkroi presidentit amerikan John F. Kennedy dhe kërkoi hapa të qartë në Kombet e Bashkuara. Por Kennedy u mjaftua vetëm me gjeste simbolike. Sot dihet se ai u ka thënë këshilltarëve të tij. "Një mur është dreqi e mori më mirë se një luftë." Si shenjë solidariteti me Berlinin Perëndimor ai dërgoi zëvendëspresidentin dhe 1.500 ushtarë amerikanë.

Por as këta ushtarë nuk ndërhynë, kur u qëlluan me armë refugjatët nga RDGJ në kufi. Gati 11 ditë pas ndërtimit të murit ra viktima e parë. Në vitin 1962, 18-vjeçari Peter Fechter u qëllua me armë, në përpjekje për të kaluar kufirin. Një orë ai thërriste për ndihmë. Por as policët perëndimorë dhe as ushtarët amerikanë nuk guxuan të hynin në territorin e Berlinit lindor. Peter Fechter ndërroi jetë para qindra berlinezëve të shokuar. Muri nuk vrau vetëm refugjatë: Cetin Mert nga Kreuzberg u mbyt në ditën e ditëlindjes, 5 vjeç në lumin Spree, megjithëse forcat berlineze të shpëtimit shkuan menjëherë në vend. Lumi në atë vend ishte pjesë e RDGJ-së.

Erich Honecker zu Besuch bei Helmut Kohl 1987

Erich Honecker vizitoi Helmut Kohl në vitin 1987

Merkel vlerëson politikën e Willy Brandt

Kush donte të ndryshonte gjendjen, duhet të kërkonte rrugë të tjera, thoshte socialdemokrati, Egon Bahr, zëdhënës i Brandt, i cili zhvilloi idenë "Ndryshim përmes afrimit" në vitin 1963. Konservatorët e refuzuan fillimisht këtë ide. Sot kancelarja konservatore gjermane, Angela Merkel mendon ndryshe. "Krahas politikës së lidhjes me Perëndimin të Konrad Adenauerit, ishte politika e Willy Brandt për lindjen ajo që krijoi bazën, mbi të cilën Helmut Kohl drejtoi negociatat për ribashkimin me Bashkimin Sovjetik."

Në vitin 1969 Brandt u zgjodh kancelar i koalicionit social-liberal. Ai bëri fjalë për dy shtete në Gjermani, të cilët nuk janë të huaj për njëri-tjetrin. Ai inicioi menjëherë politikën e lindjes, punoi për çtensionimin në Europë, dhe nënshkroi marrëveshjen e parë për Lindjen me Bashkimin Sovjetik. Në takimin e parë me kreun e shtetit të RDGj-së, Stoph, ai shkoi pa iluzione: "Ne e kemi humbur unitetin dhe nuk ka kthim për këtë."

Bildergalerie Helmut Kohl 1989

Helmut Kohl në ditën historike

Marrëveshje dhe kredi miliardëshe

Në vitin 1972 u nënshkrua marrëveshja bazë mes dy shteteve gjermane, e shoqëruar me një "Letër për bashkimin gjerman". Aty bëhej e qartë se Republika Federale punon për bashkimin e Gjermanisë. Ishte pikërisht kryeministri bavarez, armiku i deklaruar i RDGJ-së, Franz-Josef Strauß (CSU) i cili një dekadë më vonë bëri marrëveshje me fqinjin lindor, kur ky ndodhej në një krizë të rëndë. Strauß ndikoi në dhënien e një kredie miliardëshe të Perëndimit për Lindjen. Nga ana e saj, RDGJ çmontoi minat në kufirin e brendshëm gjerman dhe lejoi lehtësime udhëtimi mes dy shteteve. Kjo marrëveshje u bë bazë për hapa të tjerë: Të dyja shtetet u bënë anëtare të OKB-së, u vendosën përfaqësi të përhershme dhe filluan negociatat me konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, KSBE. Në vitin 1975 kreu i RDGJ-së, Erich Honecker nënshkroi marrëveshjen në Helsinki me njohjen e paprekshmërisë së kufijve dhe të të drejtave të njeriut.

Vjeshta 1989 -Koha për t'u bashkuar

Kur në vitin 1982 kancelari konservator, Helmut Kohl (CDU) largoi Helmut Schmidt, u ngritën sërish zërat kundër ndarjes së Gjermanisë, por qeveria gjermane vazhdoi kursin e saj. Helmut Kohl priti Erich Honecker si kreu i parë i shtetit në Republikën Federale. Shpesh Republika Federale nënshkruante çekun për Lindjen për të blerë refugjatë që donin të kalonin murin apo disidentë.

Kur më 9 nëntor 1989 ra muri, kancaleri Kohl foli në një miting në bashkinë së Schöneberger para berlinezëve, krah për krah me ish-kancelarin Brandt. Shumë i prekur Brandt i cili përjetoi ngritjen e murit, u shpreh: "Falënderoj zotin që arrita ta jetoj këtë ditë, ...kur këto pjesë të Europës po bashkohen."