1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Akuzat për tortura - Përgjegjësia e evropianëve

Që kur u bënë të njohura akuzat e para kundër disa vendeve evropiane për përfshirjen e tyre në praktikat e CIA-s, ka ndodhur shumë pak. Thirrjet për një hetim të ri janë të dobëta.

Bashkimi Evropian përshëndet raportin me akuzat kundër CIA-s. Parlamenti Evropian do ta kthejë këtë temë sërish në rendin e ditës në seancën e tij plenare në Strasburg javën e ardhshme. Që kur janë bërë të njohura akuzat në lidhje me përfshirjen e disa vendeve evropiane në praktikat e CIA-s ka pasur një sërë debatesh të tilla. Barbara Lochbihler, zëdhënëse për të drejtat e njeriut e të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, kujton: "Ne kemi miratuar dy raporte (2012 dhe 2013), të cilat deklarojnë qartë, se shtetet duhet të japin sqarime të plota për çështjen. Shtetet si Polonia, por edhe Lituania, Italia, apo Britania e Madhe, që kanë qenë bashkëpërgjegjës për trasportimet me avionë të të akuzuarve, nuk i kanë zbatuar këto rekomandime."

Edhe agjencitë evropiane të zbulimit jashtë kontrollit të shtetit

Ajo thotë se evropianët kanë akoma përgjegjësinë për të hetuar këto çështje. Dhe Barbara Lochbihler nuk e ka fjalën vetëm për aspektin e përpunimit të së kaluarës, por për kontrollin aktual të shërbimeve kombëtare të inteligjencës. Është parë se "në këtë luftë të devijuar antiterror shumë shërbime inteligjence punojnë praktikisht jashtë kontrollit të shtetit. Dhe vetëm kur diçka është zbuluar e shtyrë nga skandalet, ajo fillimisht është përgenjështruar dhe pastaj është fshehur. Unë mendoj se edhe në formësimin dhe kontrollin e shërbimeve sekrete këtu në Evropë duhet të jemi shumë më transparentë dhe konsekuentë." Ajo kërkon gjithashtu që Evropa me përgjegjësinë e saj të reagojë në mënyrë më aktive ndaj praktikave të tilla të paligjshme.

Këshilli i Evropës ishte promotori

Dick Marty raportoi për përfshirjen e shteteve evropiane

Dick Marty raportoi për përfshirjen e shteteve evropiane

Sqarimi i kësaj teme është kryer në rradhë të parë nga Këshilli i Evropës në Strassurg, sidomos nga hetuesi i saj special Dick Marty. Ai publikoi në vitin 2005 raportin e parë ndër të tjera mbi burgjet e fshehta të CIA-s në Poloni, Rumani dhe Lituani dhe për përfshirjen e vendeve evropiane në fluturimet e fshehta të shërbimit sekret amerikan, me anë të të cilave rrëmbeheshin të dyshuarit për terrorizëm. Por përveç një vale të zemërimit publik në disa vende konsekuencat qenë të papërfillshme: Hetimet në Lituani dhe Poloni nuk çuan në asnjë përfundim dhe Rumania mbajti qëndrim bllokues ndaj këtyre akuzave që në fillim.

A nuk ndjehet Këshilli i Evropës pas publikimit të tanishëm të raportit mbi CIA-n edhe një herë i detyruar, që të fillojë sërish hetimet? Nuk është akoma kështu, thotë Daniel Hëltgen, zëdhënës i institucionit në Strasburg. Hetimet po vazhdohen nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut.

Ajo ka hetuar deri tani shumë raste. Kështu gjykatësit shqyrtuan dy padi të ish të burgosurve të një burgu ilegal të CIA-s në Poloni, një bazë e mëparshme ushtarake në verilindje të vendit dhe bënë të ditur në korrik të këtij viti vendimin: Qeveria në Varshavë duhet t'u paguajë të dy paditësve, një palestinezi dhe një sauditi një dëmshpërblim në shumën 1000.000 euro për shkak të "bashkëfajësisë" në tortura dhe për trajtim çnjerëzor.

Proceset në gjykatvn për të drejtat e njeriut ecin ngadalë

Proceset në gjykatën për të drejtat e njeriut ecin ngadalë

Të dy burrat pas paraburgimit të fshehtë në territor polak u dërguan në Guantanamo, ku gjenden edhe sot, pa qenë ngritur kundër tyre asnjëherë ndonjë akuzë. Megjithatë Polonia ndërkohë e ka apeluar vendimin. Dhoma e madhe e gjykatës po shqyrton ndërkohë, nëse procesi duhet të rihapet. Në vitin 2012 Maqedonia u dënua për përgjegjësi në rastin Khaled El-Masri, i cili në vitin 2003 u arrestua në Maqedoni dhe iu dorëzua agjentëve të CIA-s. Pas kësaj me muaj të tërë ai ishte keqtrajtuar dhe torturuar në Afghanistan. Në gjykatë vazhdojnë procedurat kundër Italisë, Lituanisë dhe Rumanisë, por shqyrtimet e çështjeve zgjasin.

Trajtimi ligjor duhet të vazhdojë

Sipas Barbara Lochbihler, ish përfaqësueses së Amnesty International, trajtimi ligjor duhet të vazhdojë, pavarësisht sa i vështirë mund të jetë ai: "Ndoshta tani ky raport, që i referohet edhe transporteve me avion të të dyshuarve, do të sjellë më shumë informacione". Atëherë do të ekzistonte mundësia që kjo çështje të ndiqej në nivle europian, por edhe në secilin shtete. Dhe në të njëjtën kohë ajo i bën thirrje prokurorit federal për guxim juridik dhe politik: "Nëse zbatohet të drejta ndërkombëtare, atëherë edhe në Gjermani ekziston një kod penal i së drejtës ndërkombëtare dhe natyrisht edhe në Gjermani mund të hetohet, në rast se prokurori federal argumenton me rreptësi dhe guxim". Nëse dikush për shembull do të ngrinte edhe një herë padi kundër ministrit amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld.

Komisioni Evropian megjithatë mbetet i përgjithëshëm: e Ngarkuara për Politikën e Jashtme e BE, Federica Mogherini, publikoi me rastin e raportit nga ana e Senatit të SHBA një deklaratë, në të cilën bën thirrje për heqjen e torturës në mbarë botën. Konventa e OKB-së kundër torturës është miratuar 30 vjet më parë, "por tortura aplikohet gjerësisht në mbarë botën". Por zëdhënësja e saj nuk donte të komentonte akuzat e njohura ndaj vendeve të veçanta të BE-së.

DW.COM