1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Akuza të mjekëve amerikanë- Mjekët kanë marrë pjesë në torturat e CIA

Që në kohën e Bushit të dyshuarit për terrorizëm i detyronin të flisnin me metoda brutale marrjesh në pyetje, kjo është e njohur. Gjithashtu e njohur është që në këto marrje në pyetje kanë qenë të pranishëm edhe mjekë.

Stuff of Life.

Skenë nga filmi i Amnesty International, "Stuff of Life".

Ish-qeveria Bush e përdorte mbështetjen e mjekëve si dëshmi, për të treguar se të burgosurit nuk torturoheshin, por vetëm merreshin në pyetje "me vrazhdësi", nën mbikqyrjen e mjekëve. Organizata "Mjekët për të drejtat e njeriut" megjithatë thotë se prania e mjekëve i ka shërbyer vetëm "përpunimit" të metodave të torturave.

Nathaniel Raymond bën pjesë në hartuesit e raportit të ri dhe ai preferon të flasë me fjalë të qarta: "Ne kemi dëshmi se me të burgosurit në burgjet e CIA-s janë kryer me sa duket eksperimente ilegale."

Burgu Abu Ghureib në Bagdad

Burgu Abu Ghureib në Bagdad

Këto janë kritika të rënda, sepse që prej Luftës së Dytë Botërore eksperimentet me të burgosur pa aprovimin e tyre, janë të ndaluara. Ndalimi bazohet tek Konventa e Gjenevës dhe tek Kodi i Nyrnbergut, i cili përcakton qartë të mos kryhen eksperimente me njerëz. Por pikërisht për të tilla akuzon organizata e të drejtave të njeriut në SHBA , mjekët që kanë qenë në shërbim të CIA-s, në marrjet në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm. Dhe kjo në kohën e qeverisjes së presidentit Bush.

Mjekët kanë mbajtur shënime të sakta në metodat e ndryshme të marrjes në pyetje, thotë psikologu Stephen Soldz, një bashkëautor i raportit: "Ata kanë mbledhur të dhëna, por jo në të mirë të individit, por për të ndryshuar në përgjithësi metodat e marrjes në pyetje dhe ndoshta edhe për t'u siguruar juridikisht."

Guantanamo

Guantanamo

Për dy vjet me radhë autorët mblodhën të dhëna për raportin e tyre dhe për këtë ata u mbështetën në vlerësime të dokumentave të qeverisë dhe të autoriteteve të epokës së Bushit. CIA i ka pas udhëzuar mjekët, që gjatë të ashtuquajturit "Waterboarding" - të mbytjes së simuluar - të mbajnë shënime të hollësishme: sa ujë u përdor, sa ujë u derdh kot, si hidhej uji në gojën dhe hundën e të burgosurve, cila ishte përshtypja që krijohej etj. Në fund mjekët bënin "propozime përmirësimi". Për shembull qëpara ëaterboarding i burgosuri të hante vetëm ushqime të lëngshme, në mënyrë që po t'i duhej të villte, të mos mbytej me të vjellat e tij. Sepse të burgosurit nuk duhej të vdisnin.

Në një pozicionim të saj, CIA e përcaktoi raportin si "thjesht të gabuar". Eksperimente me të burgosurit nuk janë bërë kurrë, u tha. Dhe metodat e marrjes në pyetje të CIA-s kanë qenë kontrolluar disa herë nga qeveria e SHBA.

Autor: Anna Engelke/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 11.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NoNg
  • Data 11.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NoNg