1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Akuza reciproke për gjenocid të Kroacisë dhe Serbisë

Kroacia e ka paditur Serbinë për shkak të luftës civile në vitet '90. Serbia reagoi me një kundërpadi. Të hënën në Hagë fillon procesi. Juristët presin që asnjëra nga palët të mos ketë sukses.

Që më 1999 e akuzoi Kroacia Jugosllavinë e atëhershme për gjenocid para gjykatës më të lartë të OKB-së - Gjykatës Ndërkombëtare. Vetëm 15 vjet më vonë nisin seancat e dëgjimit kundër Serbisë, si pasardhëse juridike e Jugosllavisë. Synimi i padisë kroate është që të dëshmojë se njësitë ushtarake, që ndodheshin nën urdhërin e drejtpërdrejtë të Jugosllavisë, kanë ushtruar gjatë luftës midis viteve 1991 dhe 1995 gjenocid. Më shumë se 10.000 kroatë u vranë në kuadër të të ashtuquajturave "spastrime etnike". Përmes aktpadijes, Kroacia do të identifikohet qartësisht si viktimë e luftës, siç shpjegoi ministrja e atëhershme e drejtësisë, Vesna Skare-Ozbolt. Që atëherë, këtë projekt e ndjekin të gjitha qeveritë e Kroacisë. Argumentimi zyrtar i aktpadijes është se përmes saj, Serbia duhet të detyrohet të plotësojë njëherësh disa kushte: të bëjë procesin gjyqësor të të gjithë kriminelëve serbë të luftës, të kthejë objekte kulturore të rrëmbyera në luftë nga Kroacia dhe të paguajë reparacione. Veç kësaj Serbia duhet të sqarojë se çfarë ka ndodhur me më shumë se 1400 kroatët, fati i të cilëve nuk dihet që prej luftës.

Në vitin 2010 Serbia ngriti një kundëraktpadi - për shkak të masakrimit të më shumë se 6000 serbëve të Kroacisë dhe dëbimit të më shumë se 200.000 serbëve të Kroacisë nga kroatët në kohën e luftës civile. Qeveria e Beogradit është treguar në të kaluarën disa herë e gatshme që ta tërheqë aktpadijen, nëse edhe Kroacia është e gatshme ta tërheqë aktpadijen kundër Serbisë. Javët e ardhshme në Hagë do të nisin seancat e dëgjimit për të dyja aktpadijet.

Në Vukovar të Kroacisë ende duken gjurmët e luftës. Godine e shkaterruar

Në Vukovar të Kroacisë ende duken gjurmët e luftës

Aktpadi gati identike u refuzua më 2007

Por juristë të të dyja vendeve nisen nga fakti që asnjëra nga të dyja palët nuk ka shanse të vërteta suksesi: "Unë besoj se këto seanca nuk do të ndryshojnë asgjë. Sepse një aktpadi thuajse identike, të cilën Bosnjë-Hercegovina e paraqiti në vitin 2007 kundër Serbisë para Gjykatës Ndërkombëtare u refuzua", thotë avokati i njohur i Zagrebit, Veljko Miljeviç në bisedë me DW. Edhe kolegu i tij i Beogradit dhe ish-ministri i brendshëm i Serbisë, Bozo Prelevic deklaron: "Për mendimin tim, në Kroaci vërtet është zhvilluar spastrim etnik nga të dyja palët, por jo gjenocid në kuptimin juridik. Koncepti juridik i gjenocidit është përcaktuar shumë qartë dhe prandaj unë besoj se as pala serbe, as pala kroate nuk do të kenë sukses me aktpadijet e tyre."

Gjithsesi, raportimi në medie për procesin mund të tërheqë më shumë vëmendje për viktimat e luftës dhe për kriminelët e luftës që nuk janë dënuar, mendon Vesna Terselic nga organizata "Documenta", e cila angazhohet për viktimat e luftërave ballkanike. As Serbia, as Kroacia nuk punojnë mjaftueshëm që t'i sqarojnë këto krime, kritikon ajo. Nga ana tjetër, një sallë gjyqi nuk është vendi më i mirë, për të diskutuar për kapituj të veçantë të historisë.